E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy talentë kosovarë për kuqezinjtë e Ari Han

Rinovimi i Kombëtares vazhdon. Konfirmimi ka ardhur në listën e futbollistëve që tekniku Ari Han ka përzgjedhur për grumbullimin nga 20 deri më 28 maj në Shtutgart të Gjermanisë. Jashtë skuadrës, Bushi, Dede e Haxhi dhe konfirmim i të rinjve si Lila, Bakaj, Hyka e Lika. Por, ndërkohë që Han punon në fushë, Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon evidentimin e talentëve që në të ardhme dëshirojnë të bëhen pjesë e Kombëtares. Së fundmi, zyrtarët e institucionit që drejtojnë futbollin në vend kanë shprehur interesim për dy lojtarë me prejardhje nga Kosova. Bëhet fjalë për portierin Ertrit Berisha dhe mesfushorin Anel Raskaj. "Gardiani" 18-vjeçar, Berisha, mbron ngjyrat e ekipit elitar suedez, Kalmar FF. Në këtë klub ai u transferua gjatë merkatos së janarit nga skuadra prishtinase 2 Korriku dhe vlerësohet si një portier me të ardhme të madhe. Raskaj, mesfushori 18-vjeçar me prejardhje nga Prizreni, aktivizohet te skuadra Halmstad dhe në Suedi vlerësohet si "Zidane i ri". Në moshën 14 vjeç ai emigroi drejt Suedisë dhe fillimisht ka luajtur me Leikin, ndërsa pas disa muajve u transferua te të rinjtë e Halmstadit. Që prej vitit 2007, Raskaj është pjesë e ekipit të parë. Interesimi i FSHF-së për dy talentet është konfirmuar për kosovaren "Express" nga Hito Hitaj, i cili përkujdeset për zyrën e ekipeve kombëtare në pritje të emërimit të shefit të ri në këtë pozicion. "Nga informacionet që kemi, këta dy djem luajnë në Suedi dhe ne jemi të interesuar për ta. Gjithmonë në rast se ata dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë. Dyert e ekipeve kombëtare i kemi të hapura e veçanërisht për futbollistët kosovar të cilët dëshirojnë të luajnë për ngjyrat kuqezi", deklaroi Hitaj. Ish-shefi i garave pohoi se këta dy futbollistë do të vazhdojnë të vëzhgohen dhe në varësi të zgjedhjes së tyre mund të fillojnë edhe procedurat për pajisjen me pasaporta shqiptare. Sipas Hitajt, drejtuesit e FSHF-së i kanë trajtuar gjithmonë në mënyrë të barabartë futbollistët nga Shqipëria dhe ata nga Kosova: "Ne dëshirojmë të realizojmë strategjinë që kemi si federatë. Shumë nga këta futbollistë që kanë luajtur në Kombëtaren shqiptare janë projekt i kësaj strategjie që ne ndjekim për të mbledhur dhe të afruar të gjithë futbollistët të cilët kanë dëshirë të luajnë për ekipet kombëtare. Qofshin këta shqiptarë apo kosovarë, i kemi trajtuar gjithmonë njësoj". Aktualisht në Kombëtaren shqiptare luajnë pesë futbollistë me origjinë kosovare: Arjan Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Besart Berisha. Të gjithë ata janë pjesë integrale e skuadrës dhe boshti ku do të bazohet përfaqësuesja për eliminatoret e Botërorit 2010. Më parë fanellën kuqezi e kanë veshur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi. Përveç Kombëtares A, futbollistë kosovarë ka edhe në përfaqësuesen Under-21, të drejtuar nga Artan Bushati. Pjesë e "kuqezinjve të vegjël" është portieri i Palermos, Samir Ujkani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›