E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, në dyshim për grumbullimin e Kombëtares

Fati i keq vazhdon të shoqërojë Erjon Bogdanin në këtë sezon që mund të cilësohet i dështuar. Pas largimit të ish-teknikut të Livornos, Kamolese, u duk se sulmuesi i Kombëtares do të rikthehej në formacionin titullar. Lojtari ishte përfshirë nga trajneri Orsi në 11-shin që do të luante me Atalantën, por pak orë përpara ndeshjes ai është frenuar. Shkak u bë një dëmtim në këmbë, që sipas të gjitha gjasave është mjaft serioz. Në ditët në vazhdim, Bogdani do të kryejë të gjitha kontrollet e nevojshme për të përcaktuar seriozitetin e problemit. Por, vendimi që sulmuesi mos të rrezikojë (në një moment kur ai është shumë i etur për të luajtur), mund të merret si një sirenë alarmi. Prej këtij dëmtimi, tashmë prezenca e Bogdanit në grumbullimin e Kombëtares në Gjermani është në dyshim. Më 20 maj Kombëtarja "A" do të vihet për herë të parë në dispozicion të trajnerit Ari Han dhe 7 ditë më pas është planifikuar një miqësore me Kombëtaren e Polonisë, skuadër e kualifikuar për në fazën finale të "Euro 2008".

Të dielën, nga lojtarët e tjerë që militojnë në Serinë A, në fushën e lojës ka zbritur Igli Tare. Ish-kapiteni i Kombëtares është aktivizuar përgjatë gjithë 90-minutëshin në sfidën ku Lacio humbi 2-1 në shtëpi me Palermon. "Biondi" ka qenë shumë pranë golit në dy raste, por ai nuk ka arritur të shënojë. Te sicilianët Edgar Çani ishte i grumbulluar, por përpara ndeshjes tekniku Kalantuono vendosi ta linte shqiptarin në tribunë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›