"Microsoft" heq dorë nga "Yahoo"
Gjigandi i softuerëve, "Microsoft", ka tërhequr ofertën e bërë më herët për blerjen e kompanisë së shërbimeve të internetit, "Yahoo". Përpjekja e "Microsoft"-it dështoi për shkak se të dyja palët nuk ranë dakord për vlerën e aksioneve të "Yahoo"-së. "Microsoft" tha se e kishte rritur ofertën me afro 5 miliardë dollarë, duke e vlerësuar një aksion 33 dollarë. Mirëpo drejtuesit e kompanisë "Yahoo" kërkuan 37 dollarë për çdo aksion. Korrespondentët në Shtetet e Bashkuara thonë se "Microsoft" dëshironte ta blinte "Yahoo"-në për të konkurruar me kompaninë tjetër, "Google", e cila dominon tregun fitimprurës të reklamave në internet. Ky treg vlente plot 40 miliardë dollarë në 2007-ën dhe parashikohet që vlera e tij do të dyfishohet deri në 80 miliardë në 2010-ën.