E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kremlin Corporation"...? Thesari i "carit" Putin

Një shef, i detyruar të marrë komandën në mes të rrëmujës, duhet të dijë gjithnjë si të ndryshojë aleancat dhe mbështetjet, duke ruajtur besnikërinë ndaj miqve, përndryshe, rrëzimi është i lehtë. Duhet të zotërojë një strukturë personale shumë të fortë për t‘u përballur me sfidat e vendit. Pra, duhet të ketë një vend të fshehtë qetësie. Vetëm kështu mund të jetë konservator, autokrat dhe reformist njëherësh. E këtu, Vladimir Putin, ia ka dalë mbanë. Një gazetare, e ftuar prej tij në periudhën e parë të tij në Kremlin, e kujton të lodhur, të heshtur, por krenar dhe kryelartë. Sot, kush e ka ndjekur gjatë shfaqjeve të shpeshta në publik, ka parë një njeri plot vetëbesim e të sigurt. Është pranë largimit nga Kremlini, por duket se gjithçka vazhdon të shkojë mirë për të. E në fund të fundit, edhe nëse do të detyrohej të dilte krejtësisht nga jeta politike, nuk do të ishte një problem. Do të kishte një të ardhme për t‘u pasur zili edhe nëse do të mbetej "pa punë" në moshën 55-vjeçare. Ka të drejtën e një pensioni tjetër, përveç atij si President, me punën në shërbimet sekrete. Fillimisht në KGB e më pas në FSB. E ndërkohë, thuhet se ka blerë shtëpi, një vend ku do të kalojë pleqërinë, bashkë me Ludmillën. Por, pak para presidencialeve të 2008-ës, shpërtheu skandali i pasurisë personale të Putinit. Ka nga ata që flasin për 30, të tjerë për 40 miliardë dollarë. Ka madje edhe nga ata që thonë se paratë i përkasin fondit diskret presidencial që do t‘i kalojë pasuesit të tij. Në konferencën e fundit për shtyp, Putin i quajti këto zëra "thashetheme". Por, në fakt, kemi të bëjmë me një grup miqsh të vjetër nga Shën Petërburgu, ku Presidenti ka lindur politikisht. Bëhet fjalë për kalimin e aksioneve të disa sipërmarrjeve që me kalimin e kohës kanë shumëfishuar vlerën. Blihet sot një aksion që nesër vlen 10 herë më shumë, por kjo dihet që më parë. Në shumë vende përfundon në gjykatë për operacione të tilla. Kampion në transfertat pak transparente është kompania që ka monopolin e gazit, "Gazprom". Një shembull i përmendur nga Boris Nemtsov, zëvendëskryeministër në vitet ‘97-‘98 dhe Vladimir Milov, zëvendësministër i energjisë në 2002, flet për historinë e "Bank Rossija". Mes themeluesve të saj, në 1990-ën, në Shën Petërburg ishte edhe një funksionar i Partisë Komuniste, Juri Kovalciuk, ende sot President. Lista e pronarëve ishte e panjohur, por është e sigurt që bëhet fjalë për miq të vjetër që në vitet ‘90 kishin hedhur hapat e parë. "Gazprom" transferon në këtë bankë, në korrik 2005, aksionet në kompanitë televizive NTV dhe TNT, për një vlerë prej 166 milionë dollarësh. Dokumenti që e sanksionon këtë është hartuar sipas normave ndërkombëtare. Dy vjet më vonë ato vlejnë 7.5 miliardë. Banka ka marrë kështu prona të "Gazprom"-it me një fraksion të vlerës reale. "Gazprom" asokohe drejtohej nga Presidenti aktual, Dimitri Medvedev. Drejtori i bankës tani kontrollon katër rrjete televizive, gazetën "Komsomolskaja Pravda" dhe dhjetëra transmetues dhe gazeta lokale. Lajmi për pasuritë e Putinit, shfaqet ndërkohë në nëntor 2007, në një intervistë me Stanislav Belkovskij, shef i institutit kombëtar të strategjive që gjithnjë ka folur për ekzistencën e një thesari sekret, pa u frikësuar asnjëherë nga Putin. Sipas politologut, Putin beson se paratë mund të zgjidhin çdo problem. "Ajo që nuk mund të sigurohet me 1 miliard, sigurohet me 10, përndryshe me 20 e kështu me radhë...". Sipas tij, Putin ka aksione në tre kompani nafte, llogaritë bankare janë fshehur në sistemin bankar të huaj. Shtypi ndërkombëtar sjell edhe një tjetër detaj. Oligarku Roman Abramoviç, që banon në Londër, i ka lënë vendit të tij 75 për qind të aksioneve të kompanisë "Sibneft". I kishte blerë për 100 milionë dollarë, ka fituar prej tyre 13.7 miliardë. Një shoqëri pa telefon dhe pa adresë në Zvicër eksporton naftën ruse për një vlerë prej 40 miliardë dollarësh në vit. Quhet Gunvor një prej bashkëpronarëve, është dhe një suedez me emrin Torbjorn Tornkvist. Në një letër shkruar britanikes "Guardian", ai flet për një tjetër bashkëpronar rus. Nuk dihet kush është, nuk njihet as emri i vërtetë i drejtorit të "Surugutneftegaz", shoqëri që furnizon me lëndë të parë. Bëhet fjalë vetëm për afaristë danezë, finlandezë dhe suedezë. Por fitimet a u shkojnë vetëm atyre...?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›