E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investitorët e huaj: Pengesë ligji për minierat

Përfaqësuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj, kundërshtojnë disa pika të ligjit të ri për sektorin minerar. Sipas tyre, ky ligj i pengon edhe më shumë investimet e huaja. Ekspertë të kësaj shoqate, të pranishëm në Komision e Veprimtarive Prodhuese, theksuan se problemi më i madh në ndryshimin e ligjit qëndron tek zvogëlimi i sipërfaqeve

të shfrytëzimit si dhe zvogëlimi i afateve. Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit, Jemin Gjana deklaroi se vërejtjet e paraqitura nga ana e Shoqatës së Investitorëve të Huaj, nuk mund të çojnë në ndryshimin e mëtejshëm të  ligjit. Ndryshimet në ligjin për Sektorin Minerar, janë diskutuar për disa javë me radhë në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Ky draft është shqyrtuar në disa seanca në komision për shkak të mangësive në hartimin e tij. Ndërkohë që ka kaluar në debate pa fund mes hartuesve grupeve të interesit dhe deputetëve. Propozimi i Ministrisë së Ekonomisë i cili është pasqyruar edhe në ligj parashikon ndarjen e lejeve për aktivitetin e kërkimit dhe atë të zbulimit duke e arsyetuar me faktin se kjo do të bëje që një subjekt të mos e mbajë për shumë kohë të bllokuar një sipërfaqe tokësore pa shfrytëzuar. Nga ana tjetër, anëtarët e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese kanë kërkuar bashkimin e këtyre lejeve në një të vetme duke i lehtësuar sipas tyre punën investitorëve. Sipas deputetëve leje pranë METE-s duhet marrë vetëm në momentin që subjekti vendos të fillojë zbulimin për mineral. Por është kundërshtuar nga hartuesit e draftit të cilët nuk ka mbështetur një ndryshim të tillë në ligj duke vënë theksin tek fakti se në rastet kur jepet leja për kërkim ndaj një subjekti ajo i bëhet me kushtin që të dhënat që përfiton t'ia ofrojë shtetit ndërsa nëse liberalizohet ky proces këto materiale atëherë asnjë subjekt nuk do të jetë i detyruar që të dhënat e akumuluara t'ia japë ministrisë. Me gjithë kontestimet ligji ka kaluar në komision dhe pritet vetëm miratimi i tij me seancë plenare.

Bjelloruasia lejon tranzitin të gazit
Ministria bjelloruse e Energjisë, tha se konflikti i fundit me Rusinë nuk do të shkaktojë ndërprerje të furnizimit me gaz të Evropës. "Ne po marrim të gjitha masat që tranziti i gazit të jetë i siguritë, në mënyrë që klientët që marrin gaz nga tubacionet tona të transitit, të mos kenë frikë për ndërprerje të furnizimit," tha zëvendës-Ministri i Energjisë së Bjellorusisë në një konferencë në Kiev. Rusia uli furnizimin e Bjellorusisë me 15% në ditën e hënë, si shtrëngim për të detyruar fqinjin e saj të paguajë një borxh 192 milionë dollarë. Kjo ndërprerje rriti frikën për reduktim të furnizimit me gaz për Evropën. Marrëdhëniet mes të dy vendeve u tensionuan pasi ato nuk kanë rënë dakord mbi tarifën doganore, që duhet paguar për gazin, si dhe pas vendimit të Bjellorusisë për ti dhënë azil politik udhëheqësit të Kirgistanit, pavarësisht pozicionit të kundërt të Moskës. Rusia plotëson 25% të nevojës Evropiane për gaz dhe përdor Bjellorusinë që është në kufi me Poloninë, për të tranzituar gazin dhe naftën në brendësi të Evropës.

Kina vetëvlerëson jenin
Kina hoqi maskën mbi regjimin e ri të këmbimit të monedhës, duke dalë më hapur si faktori që shkaktoi zhvlerësimin e juanit. Me këtë lëvizje Pekini përçon mesazhin për më tepër paqëndrueshmëri në normën e këmbimit të juanit. Kjo do të thotë se Pekini do të lejojë vlerësimin e juanit në një masë më të vogël nga sa presin kritikët perëndimorë të  politikës së saj monetare. Pozicioni aktual i juanit, nuk është shumë i mirë po të krahasohet me gjendjen e lirë të monedhave të tjera kryesore të tregtisë. Por deri në këtë javë ishte e paprecedentë në Kinë që Banka Qendrore, të ketë shkaktuar një paqëndrueshmëri të tillë në normën e këmbimit të juanit në harkun kohor të një dite. Në ditën e hënë juani u rrit me 0.4% duke shënuar rritjen më të madhe që nga rivlerësimi i vitit 2005. Të martën pika e referencës vendosur nga Banka Qendrore, ishte në të njëjtën vlerë si një ditë më parë, teorikisht hapësirë për rritje të monedhës me 0,5%.

Gjermania: Borxhet mund të sjellin një krizë të re
Gjermania ka paralajmëruar se dështimi për të reduktuar borxhet publike, mund të shkaktojë një tjetër krizë ekonomike mbarë botërore, duke thënë se shkurtimet, që ajo ka planifikuar, nuk do ta rrezikojnë rritjen ekonomike globale. Duke folur pak përpara takimit të Grupit të të 20-ve në Toronto të Kanadasë, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se programet stimuluese të Berlinit do të tërhiqen me një ritëm të menduar. Në një letër, publikuar të premten nga presidenti amerikan Barack Obama, ai u kërkonte liderëve të G20-ës të fokusoheshin tek rritja ekonomike dhe të mësonin nga gabimet me pasoja të së kaluarës, kur stimujt në ekonomi u tërhoqën me shumë shpejtësi. Disa figura evropiane duket se e kanë marrë letrën si një sulm të koduar kundër Gjermanisë, por zyrtarët amerikanë thonë se nuk i shohin planet e Berlinit si kërcënim për rritjen. Nuk bëhet fjalë për një program radikal kursimesh, deklaroi nga Berlini dy javë më parë znj. Merkel, lidhur me programin 4-vjeçar prej 80 miliard eurosh shkurtime shpenzimesh dhe subvencionesh. Por nuk vazhdohet me të njëjtin program stimulues, kur ke rritje ekonomike të vazhdueshme. Në rast se nuk arrijnë një rritje të qëndrueshme, por thjesht prodhojmë sërish rritje inflacioniste, do të paguajmë me çmimin e një krize tjetër, shtoi ajo.

Last Updated on E Marte, 22 Qershor 2010 19:47

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›