Tarifa stratosferike për tërheqjet në bankomate, komision 30 për qind të vlerës për çdo lëvizje
Tërheqjet e parave nga bankomatët e bankave të tjera në treg jashtë linjës së bankës që ke llogarinë, ka një kosto prej 30 për qind të vlerës së tërheqjes. Kostoja është unike për të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend duke krijuar një kartelë monopoli. Të gjitha bankat e nivelit të dytë që operojnë në vend taksojnë klientët e
tyre për çdo tërheqje nga bankomatët dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzimi për kalimin e vlerës nga njëra bankë në tjetrën. Ndërkohë që tërheqjet brenda rrjetit të të njëjtës bankë nuk kanë asnjë komision. Një tjetër tarifë që arrin nga 1 deri në 3 euro në muaj është kostoja e shërbimit për llogaritë rrjedhëse të bizneseve edhe në rastet kur këta të fundit brenda kësaj periudhe mund të mos kryejnë asnjë transaksion. Vlera e komisionit për mirëmbajtjen e llogarisë ndryshon në varësi të bankës, ndërkohë që tarifën mbi klientin e aplikojnë të gjithë bankat e nivelit të dytë.
Kostoja e llogarive
Për të mbajtur një llogari rrjedhëse në një prej bankave të nivelit të dytë duhet të paguash një tarifë mesatare prej 2 euro në muaj ose 2680 lekë. Kjo tarifë aplikohet edhe në rastet kur poseduesi i llogari nuk kryen asnjë veprim bankar me llogarinë. Në momentin që poseduesi kërkon mbylljen e saj është e detyruar të shlyejë tarifën për shërbimin ndaj bankës.
Tërheqjet nga bankomatët
Kostoja e tërheqjes së parave nga bankomatët, në bankë alternative nga ajo ku është e hapur llogaria kushton sa 30 për qind e vlerës së tërhequr. Në pjesën më të madhe të rasteve poseduesit e llogarisë nuk janë të informuar në lidhje me komisionin që ju aplikohet për veprimin. Nga ana tjetër të gjithë bankat kanë caktuar një tarifë të përbashkët fikse për shërbimin që kryejnë për klientët e njëra-tjetrës.
Kostoja e kredisë
Bankat e nivelit të dytë operojnë në treg me normën e bonove të thesarit plus marzhin e fitimit. Norma mesatare e bonove të thesarit arrin deri në 7.1 për qind, ndërkohë që norma i interesit për konsumatorët dyfishohet në momentin e firmosje së kontratës. Marzhet e fitimit variojnë nga 3- 5 për qind në varësi të bankës. Më pas vijnë një sërë komisionesh. Shpenzimet Administrative, 1 mijë për qind e linjës së kredisë, penalitete (mbi interesin) 5%-10%, Komision Angazhimi 1%, komision për hua të përbashkëta, nëse aplikohet, shpenzime të tjera administrative/ ligjore të cilat arrijnë në 7 për qind duke dyfishuar interesin për kredi. Përveç komisioneve janë dhe një sëre figuracionesh, si ai i jetës dhe i pronës, të cilat përbëjnë kosto shtesë mujore për kredimarrësin. Tre komisione shtesë me 1-3 për qind mbi vlerën e marrë hua secili shtuar këtu dhe marxhin e fitimit mbeten fitim për bankën. Sipas përllogaritjeve të marrësh një kredi për shtëpi në lekë duhet ti paguash bankës trefishin e asaj në fund të maturimit. Normat e interesave të përdorura nga bankat i bëjnë kreditë për shtëpi në lekë gati të papërballueshme për klientët me të ardhura normale.
Fitimet
Fitimet neto të sistemit bankar shqiptar u rritën me 4.7 herë në krahasim me një vit më parë gjatë periudhës janar-mars, duke arritur në 1.6 miliardë lekë (11.5 milionë euro), bëhet e ditur nga bilanci i sistemit i publikuar dje nga Banka e Shqipërisë. Burime nga banka qendrore bëjnë të ditur se në vitin 2009, kur bankat vuajtën pasojat e krizës financiare ndërkombëtare, sistemi bankar pati siguruar vetëm 275 milionë lekë fitime neto, për shkak se shumica e fitimeve u kanalizuan për fondin e provigjoneve që garanton mbulimin e humbjeve të mundshme nga kreditë e këqija. Fitimet e sistemit bankar janë ende më të ulëta se ato të realizuara në vitin 2008, pra para fillimit të krizës. Statistikat tregojnë se sistemi bankar në Shqipëri duket se i ka kapërcyer problemet e krijuara nga kriza dhe se është në gjendje të prodhojë fitime pavarësisht kredive të këqija, të cilat vijuan të rriten edhe në tremujorin e parë.
Ornela Manjani