Kriza mbërthen sektorin e ndërtimit, 5 mijë apartamente të pashitura
Sektori i ndërtimit është mbërthyer nga kriza ekonomike më shumë se çdo sektor tjetër në vend. Mungesa e kreditimit nga bankat dhe rënia e remitancave janë dy faktorët kryesorë që kanë bllokuar shitjet në këtë sektor. Rreth 5 mijë apartamente të përfunduara janë të pashitura, duke sjellë edhe bllokimin e investimeve për shkak të ngrirjes
së likuiditeteve. Nga ana tjetër, për të dalë nga kolapsi, ndërtuesit kanë zgjedhur kleringun për të kryer një pjesë të madhe të shërbimeve, pra rreth 60-70 për qind të tyre.
Kriza
Përveç mungesës së likuiditeteve, një pengesë që ka shtyrë drejt kolapsit investimet në ndërtim është edhe mungesa e lejeve të ndërtimit. Burime nga Dhoma e Tregtisë bëjnë të ditur se prej rreth një viti nuk është dhënë pothuajse asnjë leje ndërtimi në zonat ku edhe kërkesat për blerë janë më të larta. Sipas të njëjtave burime mësohet se një problem tjetër për biznesin e ndërtimit është mungesa e likuiditeteve, e cila detyron sektorin e ndërtimit të kryejë punimet me klering. Burimet bëjnë të ditur se 60-70 për qind e ndërtimeve në këtë sektor bëhen me klering. Ky proces sjell pasojat zinxhir jo vetëm në kompanitë e ndërtimit, por edhe në ato që kryejnë punimet ndihmëse. Burimet bëjnë të ditur se sektori i ndërtimit pohon se shitjet janë shumë të pakta madje në pjesën më të madhe të rasteve edhe nën kosto. Nga ana tjetër, efekti zinxhir cënon edhe të ardhurat në buxhet. Sipas zyrës së tatim-taksave mësohet se kompanitë ndërtuese nuk po derdhin tatime për shkak të paralizimit të punës. Kompanitë e ndërtimit ishin dhe një katalizator i mirë për zbutjen e fenomenit të papunësisë nëpër qytetet kryesore të vendit, pasi ato angazhonin në punë një pjesë të mirë të krahut të lirë të punës. Por viti 2009 ka nisur me regres për këtë sektor i cili jo vetëm që nuk po bën më derdhjet e pritura në arkat e bashkive, por po shton edhe numrin e të papunëve të cilët po krijohen nga mbyllja e aktivitetit të kompanive ndërtuese. Burimet bëjnë të ditur se edhe kompanitë e ndërtimit në rrethe janë përballur seriozisht me efektet e krizës, pasi shitjet u kanë rënë ndjeshëm dhe shumë subjekte janë bllokuar pasi nuk po shesin më shtëpi dhe lokale. Po kështu ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit ka rënë ndjeshëm edhe kërkesa nga ana e emigrantëve për blerje apartamentesh ose lokalesh për qëllime biznesi. Në Bankën e Shqipërisë mësohet se investimet në sektorin e ndërtimit kanë shënuar një rënie prej 64 për qind. Sipas të njëjtave burime mësohet se për tregun e banesave, situata bëhet edhe më e vështirë po ti shtosh këtu edhe problemin e rënies së kredi-dhënies për pasuritë e paluajtshme, e cila ra në rreth 149.8 miliardë lekë.
Kërkesat
Problemet për ndërtuesit në vend nuk kanë të sosur, pasi kohët e fundit kanë rënë dhe kërkesat e qytetarëve për shtëpi. Sektori i ndërtimit vijon të mbetet në një situatë të vështirë, ku shitjet kanë rënë në nivelet më të ulëta. Ndërtuesit thonë se pavarësisht krizës, i kanë mbajtur çmimet konstante dhe se nuk planifikojnë ti ulin ato. Ata kanë kërkuar shpeshherë edhe nga ana e qeverisë që të ndërhyjë dhe të ndihmojë këtë biznes, pasi sipas tyre shumë prej shoqërive të ndërtimit rrezikojnë të falimentojnë. Por agjencitë imobiliare thonë se kjo është e vërtete vetëm pjesërisht. Sipas tyre, ndërtuesit po përpiqen të mos i ulin çmimet, por ata që duan të shesin po detyrohen të pranojnë çmime më të ulëta. Për herë të parë vitin e kaluar çmimet e apartamenteve jo vetëm që nuk u rritën, por sipas agjencive kanë rënë. Por nga ana e tyre qytetarët shqiptarë shprehen se çmimet e larta të apartamenteve i mbajnë ata larg. Gjithashtu një tjetër problem sipas shoqatës së ndërtuesve janë dhe bankat, të cilat sipas tyre i kanë interesat mjaft të larta.
Çmenden çmimet e apartamenteve
Çmimet e larta të apartamenteve janë shkaktuar nga ndërtimet e pakta si rrjedhojë e lejeve të kufizuara të ndërtimit. Por ndërkohë që në Tiranë ulja e çmimeve të banesave konsiderohet e pamundur ndryshe duket se ka ndodhur në Vlorë apo në Durrës kryesisht për shkak të rënies së shitjes me 50 për qind. Ndërkohë sipas Bankës së Shqipërisë investimet e biznesit kanë rënë me 64 për qind gjatë katër muajve të parë të vitit 2010 dhe kjo rënie ka prekur kryesit sektorin e ndërtimit. Ulja e investimeve do të pasqyrohet në rritjen e papunësisë dhe në efektet e tjera zinxhirë që rrjedhin prej saj. Shifra është bërë publike në raportin e Bankës së Shqipërisë, ku mësohet se shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, ritmet e ulëta të kredisë për investime dhe rënia e importit të mallrave kapitalë e të ndërmjetëm sinjalizojnë për një tkurrje të investimeve private. Sipas bankës, kërkesa për mjete monetare e sektorit privat vazhdon të jetë e ulët, duke reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. Ndërsa ritmi vjetor i rritjes së kreditimit për këtë sektor u ngadalësua më tej në 4.8 për qind në muajin mars. Kërkesa e bizneseve për kredi vazhdon të jetë burimi i vetëm i rritjes së kreditimit, ndërkohë që kredia për individë vijon të tkurret në terma vjetorë për të pestin muaj radhazi. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe sinjalet e para për një lehtësim të kushteve të kreditimit nga ana e bankave, por ky hap është ndërmarrë vetëm për bizneset e mëdha.
Çmimet e banesave në lekë për m2
21 Dhjetori, Zogu i Zi 1000-1600
Rruga e Kavajës 1300-1900
Rruga e Durrësit 1300-1800
Pazari i Ri 750-900
Rruga Bardhyl 700-900
Stacioni Trenit 900-1250
Don Bosko 650-750
Lapraka 550-700
Zona e Bllokut 1600-2000
St. Dinamo, Garda 1800-2000
Rruga Komuna e Parisit 750-850
Unaza e re, Kombinat 450-580
Ish-Ekspozita 1500-1850
Myslym Shyri 900-1600
Unaza, Materniteti i Ri 700-900
Uzina e Autotraktorëve 450-550
Liceu, Rr. Elbasanit 1400-2000
Rruga e Elbasanit 1200-1800
Min. Jashtme, Q. Studenti 1100-1600
Spitalet, Shkolla e Bashkuar 650-850
Kinostudio 500-600
Unaza, Shish-Tufinë 450-500
BQE: Evropa ka nevojë për kthesë
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean Claude Trichet, tha për parlamentin evropian se të dhënat konfirmojnë se ringritja e ekonomisë në eurozonë ka vazhduar në gjysmën e parë të vitit. Trichet tha gjithashtu se Banka Qendrore Evropiane, pret që ekspansioni i ekonomisë të vazhdojë në këtë vit dhe në vitin e ardhshëm. Por gjatë seancës dëgjimore në parlament, ai tha se Bashkimi Evropian duhet të bëjë një kthesë thelbësore në mënyrë e të bërit politikë dhe kërkoi nga udhëheqësit evropianë, forcimin e vëzhgimit të pavarur të buxheteve të vendeve anëtare. "Banka Qendrore Evropiane, beson se kthesa thelbësore është e nevojshme në kornizën ligjore për vëzhgimin dhe rregullimin e politikave fiskale. Në thelb qëndron forcimi i vëzhgimit të politikave buxhetore," tha ai. Trichet tha se Komisioni Evropian duhet të ketë më shumë kompetenca në monitorimin dhe formësimin e zhvillimeve fiskale në Eurozonë. Ai tha për deputetët evropianë se kjo duhet të përkthehet në zbatim strikt të rregullave dhe të procedurave dhe në më shumë pushtet për Komisionin Evropian. Ai tha se në rast se rregullat e paktit të stabilitetit dhe të zhvillimit do të zbatohen me përpikmëri nga Eurozona, atëherë rajoni do të jetë në një gjendje shumë herë më të mirë.
13 bankat e rrezikuara në Eurozonë
Sipas një stres testi të kryer nga analistë të Citi Bank, mbi 13 banka në Eurozonë, banka gjermane Commerzbank dhe banka Kombëtare e Greqisë, janë dy të parat në listën e bankave për nevojë të rritjes se kapitalit. Grupi i analistëve të Citi të drejtuar nga Stefan Nedialkov, testuan ndikimin për vitin 2012 në nivelet e kapitalit në rast se do të përkeqësohet situatat e borxheve sovrane të Greqisë, Spanjës dhe ekonomive të tjera periferike të Evropës. Rezultatet dolën duke marrë si pikë bazë një skenar kur bonot sovrane greke zhvlerësohen me 40%, Port