Në seancën e fundit, u shfaq e plotë opozita pa kokrra dhe politika shterpë e PS
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje nen për nen dhe në tërësi, ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2010-të. Me 75 vota ‘pro’ ligjvënësit e mazhorancës konfirmuan shkurtimet në buxhet, për t’i dhënë një hov të ri rritjes ekonomike dhe njëherazi për të forcuar ndjeshëm klimën e investimeve.
Si zakonisht deputetët opozitarë kundërshtuan projektligjin, me argumentin se përmes tij, ulet fatura financiare dhe sociale për qytetarët. Ata akuzuan qeverinë për mos menaxhim të mirë të financave publike dhe vendosën të mos marrin pjesë në miratimin e 16 neneve të tij. Në minutazhin e diskutimit të lirë deputetja socialiste Rudina Seseri i quajti të gabuara shkurtimet në buxhet, pasi siç theksoi ajo do të dëmtojë më shumë ekonominë në krizë në vend.
Por e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e kryeministrit të vendit, Sali Berisha.
Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, kriza që deklaron opozita është e rreme, pasi vendi po gëzon një rritje të konsiderueshme ekonomike. Kreu i qeverisë akuzoi opozitën për nihilizëm dhe politikë të mbrapshtë, duke i quajtur ata si pa “kokrra”.
“ç’është ky model qe keni adaptuar zoti Ruçi. Unë jam kundërshtari juaj, unë kam nevojë për votat kundër të tuajat, ku i keni, jeni me kokrra apo pa kokrra. Më mirë është 64 vota kundër Sali Berishës, apo hiç vota kundër Sali Berishës. Si more dilni 64 deputetë burra dhe gra të nderuara sikur s’jeni dhe unë dal gjithmonë pa asnjë votë kundër. Për sa i përket buxhetit ndihma ekonomike është dyfishuar, janë shkurtuar disa projekte ekonomike dhe këtë nuk e mohoi. Por sa projekte kanë ngelur. Nga 320 projekte rrugore në mbarë vendin, kanë mbetur 100 projekte rurale”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, kjo qeveri, që prej ardhjes në pushtet 5 vjet më parë, çdo qershor ka sjellë në parlament ndryshimet në buxhetin e shtetit.
Berisha tha se janë bërë të domosdoshme nga dinamika ekonomike dhe për të çuar mesazhin më të fuqishëm në qarqet financiare të vendit. Në këtë kontekst, kryeministri foli për një ekonomi të stabilizuar e cila edhe në kushtet më të egra të recensionit global, njohu vetëm rritje.
“Ekonomia u rrit me 8 për qind gjatë vitit 2008-ë, vijoi me një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2009-ë me 3.4 për qind, atëherë kur e gjithë bota ishte zhytur në një hendek të thellë krize. Kemi dyfishim të ardhurash gjatë vitit 2010-ë dhe parashikohet një rritje ekonomike deri në 3 për qind. Të ardhurat e mbledhura me taksat kanë arritur në 104 miliardë lekë, ndryshe nga 50 miliardë lekë të mbledhura nga opozita e sotme në vitin 2004. Sa ka qenë fondi i pensioneve të vitin 2004, e ke pasur 50 miliard sa është sot 109 miliard. Gjeni një vend tjetër në Evropë dhe në botë, që të ketë vendosur në 5 vite në fondin e pensioneve më shumë se ç’ka ekzistuar në të gjithë kohën para tij. Keni ju ndjenja për ata pensionistë. Si mund të ngriheni ju në këtë mënyrë për pensionet. I bëj thirrje çdo pensionisti shqiptarë të mbaj shënim pashpirtësinë tuaj. Ndaj dhe ju ku bëni oponencën duhet ta bëni me shifra dhe fakte. Po, ka vetëm krizë flluskash. Të dashur deputete të PS jeni ulur në ato karrige si grupi i milionerëve”, u shpreh më tej kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës të heqë nga tregu dordolecët ekonomikë, të cilët shpifin dhe trillojnë për interesa te kryetarit të socialistëve, Edi Rama.
Sipas kryeministrit, ekonomia shqiptare e këtij viti do ketë rritjen më të madhe.
“Bëni politikë dhe bëni oponencë qeverisë mbroni programin tuaj hiqini ata dordolecë që mbledh kryetari juaj përreth për t’ja u mbushur mendjen shqiptarëve se janë mendje të ndritura ekonomiste. Ju keni njerëz këtu që dhe kryetarit mund ti japin ide dhe mendime dhe grupit mund ti japin ide dhe më pas të bëni oponencë. Nuk ka gjë më fatkeqe se të ngrihen të thonë që ngritja e pensioneve është një veprim kriminal. Si more qenka veprim kriminal, krim është të mos rrisësh pensionet. Si mund ti lejoni vetes kundërshtimin e rritjes së pensioneve. Ju garantoj se treguesit ekonomisë po ecin shumë mirë. Një problematikë e krijuar po kapërcehet me sukses të madh. Ekonomia shqiptare do jetë në fund të këtij viti me rritjen më të madhe në Europë dhe dua të gëzoj të gjithë”, deklaroi Berisha.
Kryeministri evidentoi se nga kjo politikë rritje ekonomike, vetëm rruga Durrës-Kukës do i sjell ekonomisë shqiptare mbi 130 milion euro, ndërsa premtoi se do të ndërtohen 320 rrugë dytësore dhe 100 rrugë rurale dhe qindra e mijëra metra rrugë kombëtare nga Tropoja në Gjirokastër. Sipas kryeministrit, seriali i inaugurimeve do të nisë së shpejti dhe për këtë ai ftoi edhe deputetët e grupit parlamentar socialist.