E Hënë, 2 Nëntor 2026

Amerikanët korrigjojnë Raportin për pastrimin e parave

26/03/2005  Departamenti i Shtetit ka ndryshuar pjesën kur flitet për pastrim parash me bonot e thesarit nga individët

Departamenti i Shtetit ka ndryshuar pjesën e raportit për Shqipërinë, ku flitet në lidhje me transaksionet e dyfishta gjatë shitjes së bonove të thesarit për individët. Reagimi i Bankës së Shqipërisë, në lidhje me Raportin Ndërkombëtar mbi Strategjinë për Kontrollin e Narkotikëve, ka vënë në lëvizje Departamentin Amerikan të Shtetit, që me sa duket ka bërë ndryshimet e nevojshme në raportin në internet për të larguar çdo keqkuptim të mundshëm. “Gjuha në versionin e internetit të Raportit NSKN të marsit 2005, mbi pastrimin e parave, është korrigjuar për të fshirë referimin ndaj përdorimit të mundshëm të blerjeve të bonove të thesarit pranë sporteleve të Bankës Qendrore si një mjet për pastrimin e parave”, ka bërë të ditur në një deklaratë për shtyp, ambasada amerikane në Tiranë. Ambasada ka bërë të ditur në sqarimin e saj, se në versionin e fundit të raportit shprehet dhe qëndrimi i Departamentit për punën e Bankës së Shqipërisë. “Ky ndryshim pasqyron të kuptuarit tonë të tanishëm të veprimtarive të Bankës Qendrore në këtë drejtim", ka bërë të ditur ambasada amerikane në Tiranë. Dy ditë më pare, drejtori i Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë dhe përfaqësuesi rezident i FMN–së në BSH, përgënjeshtruan publikisht raportin, duke deklaruar se nuk ka patur mundësi të pastrohen paratë nëpërmjet shitjes së bonove të thesarit. Procesi, sipas drejtuesve në BSH, ishte tërësisht i monitoruar dhe i mbështetur në standarde ndërkombëtare. Ndërkaq, duket se ndikimi i këtij lajmi ka vënë në lëvizje drejtuesit e BSH-së, të cilët kanë menduar të ndryshojnë politikat e transaksioneve të bonove të thesarit. “Në gjithë debatin e ditëve të fundit, në asnjë rast, Banka e Shqipërisë nuk ka menduar se individët duhet të përjashtohen nga tregu primar dhe t’u jepet mundësia për të blerë bono vetëm nëpërmjet tregut sekondar”, ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani. Gjatë konferencës, Fullani ka hedhur idenë se bonot mund të shiten fare mirë dhe nga Ministria e Financës. “Vetë Ministria e Financave mund të hapë sportelet e saj për t’i shitur drejtpërdrejtë publikut bonot e thesarit. Qeveria duhet të ketë portofolin e saj të bonove të thesarit për të korrektuar pasaktësitë e ndryshme në planifikim, të cilat e kanë imponuar atë t’i drejtohet si alternativë marrjes hua nga ana e Bankës së Shqipërisë”, ka deklaruar Fullani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›