E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sot Meta votëbesohet për kryetar të LSI-së

26/03/2005  30 mijë anëtarë do të votojnë për drejtuesin e partisë më të re politike

Anëtarësia e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të votojë sot për të zgjedhur kryetarin e saj. Kandidatura e vetme deri më tani është kryetari aktual Ilir Meta, i cili do të votohet në tre opsione, pro, kundër dhe abstenim nga rreth 30000 anëtarë të LSI-së. Kështu, anëtarët e kësaj partie me votat e tyre do të tregojnë se sa mbështetje gëzon Meta nga elektorati. Në këtë mënyrë, LSI-ja bëhet forca e parë në vend që kryetari i partisë vlerësohet nga parimi "një anëtar, një votë". Nga ky votim do të ketë dhe një testim më të qartë se sa është numri i mbështetësve të LSI-së. Lidhur me porcesin e zgjedhjes së kreut, Meta tha se "i drejtohem 30 mijë anëtarëve të LSI në të gjithë Shqipërinë, për angazhimin dhe sakrificat që kanë bërë, që LSI të jetë kjo forcë politike që do të realizojë atë ndryshim që e kërkojnë shumica e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit". Ndërkohë, Meta ka vazhduar turin e takimeve në bazë. Në qytetin e Korçës, ai ka prezantuar dhe disa prej kandidatuarve për deputetë të kësaj zone, si nënkryetarja e partisë Filloreta Kodra dhe kryetari i LSI-së për Korçën, Riza Ashimi. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se "para një viti hodha idenë e krijimit të një Lëvizjeje Socialiste për Integrim, skeptikët i jepnin kësaj lëvizjeje të re politike një fitore në shifrat 3-4 për qind. Por, pas dy muajsh, kur panë se në një sfidë lokale, ku u angazhuan të gjithë strukturat shtetërore, LSI mori rreth 15 për qind, skeptikët thanë se LSI fiton 15-20 për qind në zgjedhjet e përgjithshme". Kreu i LSI-së ka theksuar se "pas dy muajsh, kur të zhvillohen zgjedhjet, shqiptarët do të binden se LSI-ja do të fitojë 40 për qind dhe do të dalë forca e parë politike në mazhoritar". Meta fitoren e LSI-së në zgjedhje e ka cilësuar si një detyrë dhe mision që shqiptarët të mos përjetojnë më riciklimin e krizave dhe jo si një sfidë personale apo partiake ndaj dy partive të mëdha në parlament. Gjithashtu, në takimin me banorët e Korçës, Meta ka shpallur prioritetet e partisë së tij si "rritjen e prodhimit kombëtar në nivelet 6.5 deri 7.5 për qind, thithjen e investimeve të huaja, zhvillimin e modernizimit të arsimit, që ky sektor të mos shikohet si biznes personal me shkolla e universitete private pa cilësi, si dhe përmirësimit të sektorit të shëndetit publik".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›