Sindikatat edhe për policinë
26/03/2005 Me përjashtim të policisë serbe, Policia e Shtetit tonë është e vetmja polici në Evropë pa një organizim sindikal. Për këtë arsye Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDN, orgnizoi një tryezë diskutimi. Në këtë tryezë refereuan, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Albert Dervishi, Avokati i Popullit Ermir Dobjani, ish-ministri i Rendit Perikli Teta, Petro Koçi, ish-ministri i Jashtëm, Arjan Starova etj. Të nevojshme e ka quajtur lëvizjen sindikaliste dhe ministri i Rendit, Igli Toska. Në parim, sindikalizmi në polici nuk mund të bëhet me urdhër nga lart, e drejta për t’u federur, apo organizuar për të mbrojtur të drejtat buron nga një sërë aktesh juridike ndërkombëtare e kombëtare për çdo individ dhe bashkësi individësh dhe do të mbartë vlerën e dëshiruar, nëse ajo vjen si ndërgjegjësim i brendshëm, i të gjithë anëtarëve të policisë shqiptare. Sindikalizmi në polici është forma e vetme për ngritjen institucionale dhe profesionale të Policisë së Shtetit. Sindikata është strukturë e rëndësishme jo vetëm për të drejtat ekonomike, por dhe për të neutralizuar voluntarizmin, apo arbitraritetin jo të rrallë të vendimmarrësve, për arsye se sindikatat e policisë marrin pjesë aktive dhe janë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Diskutantët thanë se policia nuk mund të pretendojë që të mbrojë të drejtat e individit, përderisa nuk ka një strukturë që të mbrojë të drejtat e saj.