E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha, pastrimi i parave ka ligj, por nuk zbatohet

26/03/2005  Raporti për pastrimin e parave nëpërmjet shitjes së bonove të thesarit për individët nga Banka e Shqipërisë, është komentuar dhe në rrethet politike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka quajtur të drejtë ligjin, por jo mënyrën se si ai vihet në zbatim. „Ambasada amerikane ka lëshuar sot një korrigjim, por në dijeninë time, nga aq sa kam mundur të hetoj, banka i përmbahet procedurës ligjore në shitjen e bonove të thesarit, procedurë, e cila parashikon moslejimin e pastrimit të parave, por ka një problem, kur shkon ligji tek Caci bëhet më i zi se ai, këtu qëndron problemi. Ligji është i mirë, i ka të gjitha kushtet që larja e parave të mos ndodhë“, ka bërë komentin e tij kreu i opozitës në lidhje me çështjen. Pas korrigjimit që Departamenti i Shtetit i ka bërë raportit për të shuar çdo ekuivok të krijuar, kreu i opozitës, Berisha, ka deklaruar se ky proces duhet të jetë i mirë monitoruar deri në fund, për të kuptuar nëse ndodh apo jo vërtet pastrim parash. „Çështja e zbatimit të ligjit pastaj është tjetër gjë, sepse ti vërtet shkon dhe blen bono e bën deklaratën, por a e verifikon institucioni i ngarkuar për këtë, ky është një problem tjetër“, ka shprehur dyshimet e tij në lidhje me këtë çështje kryetari i PD–së, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›