Pretenca; Vrasja e Pirro Koçiut, kërkohen 21 vjet burg për Fatlum Kadinë
Akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, deklarohet fajtor dhe kërkohet 21 vjet burg për të pandehurin Fatlum Kadia. Masa e dënimit u kërkua nga prokurori i çështjes gjatë seancës së djeshme, pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme, ndërkohë që në seancën e ardhshme do të dëgjohet mbrojtja dhe më pas shpallja e vendimit nga gjykata. I pandehuri akuzohet për veprën penale “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, krim të cilin e ka kryer, sipas burimeve nga akuza, në bashkëpunim me shtetasit Erion Danaj e Arben Isufaj. Për këtë krim të rëndë, i cili ka ndodhur në rrugën “Him Kolli” 6 vjet më parë, i pandehuri Kadia është dënuar një herë nga kjo gjykatë me 23 vjet burg, ndërsa për dy bashkëpunëtorët u kërkua tërheqja e akteve në prokurori për hetime të mëtejshme. Dhe, me gjithë hetimet e mëtejshme nga organi i akuzës, ende nuk janë siguruar provat konkrete që saktësojnë pjesëmarrjen në vrasje nga i pandehuri Arben Isufaj ose “Ben Qimja”, i cilësuar nga prokurori si ekzekutori, ndërsa për të pandehurin Kadia është provuar shkencërisht se është një nga bashkëpunëtorët. I pandehuri Fatlum Kadia, sipas akuzës, është vërtetuar se ditën e ngjarjes ka qenë i shoqëruar me viktimën, Pirro Koçiu, në këtë vend dhe numri i celularit 0692343994 ka qenë ura lidhëse mes tyre. Megjithëse ky i pandehur nuk e pranon të ketë pasur këtë numër, ky pretendim hidhet poshtë nga deklarimet e dëshmitarit E. S., i cili ka shpjeguar se ka folur me të pandehurin disa ditë para ngjarjes. Po ashtu, dhe dëshmitarja E. V. ka shpjeguar se i pandehuri është larguar nga vendngjarja me makinën me targa TR 6666, prandaj fajësia e tij, edhe pse për dy të pandehurit e tjerë kërkohet kalimi i akteve për hetime të mëtejshme, nuk ka lidhje me emra konkretë, por me dy persona për të cilët provat nuk janë të plota.