E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerikanët se besonin, Mehsud shfaqet në video

Autori i Lajmit: Redaksia

Video të reja nga lideri i talebanëve të Pakistanit janë bërë publike ditën e djeshme, ndërsa tregojnë Hakimullah Mehsudin që është shendoshë e mirë dhe amerikanët nuk e kishin vrarë. Në njërën prej tyre, lideri i talebanëve të Pakistanit ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një seri atentatesh në qytetet më të mëdha. Pak orë pas dështimit të atentatit në zemër të Amerikës, Hakimullah Mehsud ka publikuar një video që mendohet se është regjistruar në datën 4 prill. “Ora është e afërt kur ushtarët tanë do të sulmojnë qytetet e mëdha amerikane”,- shprehet Mehsud. Duke folur në dialektin “pashtu”, por me nëntitra në anglisht, Mehsudi siguron shikuesit se ai nuk është vrarë nga sulmi ajror amerikan dhe i ka quajtur lajmet për vrasjen e tij propagandë dhe gënjeshtër të amerikanëve. “Unë i jap lajmin e mirë botës myslimane se jam gjallë dhe gëzoj shëndet të plotë”, - thotë Mehsud. Videoja e parë zgjat nëntë minuta. Në videon e dytë (2 minuta e 19 sekonda) shihet qartazi fotoja e Mehsudit në një hartë amerikane ku tregohen shpërthimet në tri qytete të mëdha amerikane. Harta nuk duket qartë për të kuptuar emrat e qyteteve që Mehsudi ka kërcënuar se do të sulmojë. Një zë edhe ky i identifikuar si i Mehsudit, thotë se kjo video është regjistruar më 19 prill. Duke folur “urdisht”, Mehsudi thotë se objektivat e tij janë qytetet amerikane dhe “lajmet e mira do të dëgjohen brenda disa ditëve apo javëve”.
Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›