E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu takon Papuliasin, kërkon ndihmën e opozitës

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, ka vizituar dje presidentin Karolos Papulias për ti kërkuar mbështetjen dhe mbledhjen e të gjithë liderëve politikë të vendit në mënyrë që ai të ketë përkrahjen e gjithë Parlamentit për kalimin e planit të masave që parashikojnë daljen nga kriza. Pak ditë më parë, Demokracia e Re, që është edhe partia më e madhe opozitare, ka kërkuar mbledhjen e një tryeze politike para vendimit BE-FMN që parashikon dhënien e një borxhi prej 110 miliardë eurosh. “Takimi mes partive nuk ka asnjë kuptim, pasi të gjitha lojërat janë bërë tashmë”,- reagon Partia Komuniste. Ndërkohë që nuk bëhet me dije nëse Papulias e ka marrë një “detyrë” të tillë, por bëhet me dije se së shpejti forcat politike do të ulen në një tavolinë të përbashkët për të diskutuar për ndihmë financiare.
Plani
Greqia paraqiti dje një plan të ri ekonomik ku përfshihen masa shumë të rrepta në shkëmbim të një ndihme prej më shumë se 100 miliardë eurosh në tre vjet akorduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, zhbllokimi i së cilës do të bëhet në mesditë nga ministrat e Financave të zonës euro. Marrëveshja mes Athinës, Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për sa i përket zhbllokimit të ndihmës financiare në Greqi në këmbim të masave shumë të ashpra ekonomike, u arrit dy ditë më parë, theksoi një burim nga Ministria e Financave. “Papandreu do ta hapë këtë takim me një fjalim që do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga televizioni për të njoftuar marrëveshjen dhe për ta paraqitur atë në kuadrin politik”,- njoftuan burimet qeveritare. Ministri i Financave, Jorgos Papakonstantinu, do të paraqesë menjëherë masat e reja të rrepta kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe partnerët evropianë të Athinës, që do ti detajojë gjatë një konference për shtyp.
Eurozona
Plani i ndihmës së eurozonës për Greqinë mund të marrë miratimin përfundimtar nga ana e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Eurogrupit në një samit të jashtëzakonshëm më 7 maj, bënë të ditur burimet diplomatike në Bruksel. Sipas këtyre burimeve, plani, i cili do të “miratohet” nga ministrat e Financave të zonës euro, gjatë "një dreke apo darke pune" të liderëve (d.m.th., jashtë gjuhës diplomatike), mund të marrë verdiktin përfundimtar më 7 maj në Bruksel. Kryeministri Jorgo Papandreu ka konfirmuar se masat antikrizë “janë e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin nga rrënimi”. Sindikatat dhe opozita e akuzojnë se po e shtyn vendin në një “recesion të thellë” dhe në një “shpërthim social” nëpërmjet uljes së pensioneve dhe uljes pagës për punonjësit e administratës, ndërhyrjes në rregullatorin e sektorit privat si dhe rritjes së taksave.

Austria
“Asnjë euro Greqisë, nëse nuk përmbush kriteret”

Ministri austriak i Financave, Josef Proell, deklaroi se Bashkimi Evropian po kalon momente kritike për shkak të krizës greke, ndërkohë që po punon për ti siguruar asaj një ndihmë financiare dhe se Greqia nuk duhet të marrë asnjë euro, nëse Athina nuk zbaton masat e premtuara ekonomike. Përpara bërjes publike të programit grek, Proell tha se përpara ndodhet një moment kritik për Evropën. "Nëse gjërat nuk marrin drejtimin e duhur, atëherë Evropa mund të përballet me sfidën më të madhe që nga viti 1930, theksoi Proell. “Asnjë euro nuk duhet ti shkojë Greqisë, nëse vendi nuk përmbush zotimet e marra”,- theksoi ministri austriak i Financave, Josef Proell.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›