E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polanski thyen heshtjen: “Media kërkon kokën time”

Autori i Lajmit: Redaksia

Regjisori nën arrest, Roman Polanski ka thyer heshtjen në lidhje me kërkesën e ekstradimit të tij, duke thënë se qëllimi kryesor i gjithë ngjarjeve të fundit është “shërbimi i kokës së tij në pjatën e medias”. Fituesi i çmimit “Oscar”, i cili aktualisht është nën arrest shtëpiak, foli për herë të parë për një revistë online për përpjekjet e SHBA-së që ta ekstradojnë. “Unë kam dramat dhe gëzimet si të gjithë njerëzit e tjerë dhe nuk kam ndërmend të kërkoj mëshirë. Kërkoj vetëm të trajtohem me ndershmëri, ashtu si çdo person tjetër”, - thotë Polanski. Ai shton se çështja kundër tij është e padrejtë. “Unë nuk mund të qëndroj më pa folur”, - thotë ai në çdo argument për të cilin flet. Një nga ankesat e Polanskit është se avokati i Kontesë së Los Anxhelosit, Steve Cooley, i cili po merret me procedurat e ekstradimit, kërkon publicitet në media. Zëdhënësja e avokatit të kontesë, Sandi Gibbons, tha se zyra e tyre nuk do të bëjë asnjë koment, derisa Zvicra të marrë një vendim për statusin e Polanskit në arrati. Autoritetet zvicerane po përpiqen të vendosin ta ekstradojnë apo jo Polanskin me akuzën e përdhunimit të një vajze minorene 13-vjeçare në vitin 1977. 76-vjeçari është akuzuar më 1977 për ngacmime seksuale ndaj minorenes Samanta Geimer, e cila aspironte për tu bërë një modele. Ajo shkoi në Hollivud për të shkrepur një set fotografik me Polanskin. Tani, nënë e tre fëmijëve, ajo jeton e qetë në Havai dhe e ka falur regjisorin publikisht më 1997. Përdhunimi ndodhi në shtëpinë e aktorit Xhek Nikolson. Polanski u shpall fajtor, por ai u arratis nga SHBA-ja në prag të shpalljes së verdiktit për të jetuar në arrati për 32 vjet me radhë. Regjisori i filmave “Rosemarys Baby”, “Chinatoun” dhe “The Pianist” qëndroi në burg për më shumë se dy muaj përpara se të transferohej në një rezort luksoz në Gstaad të Zvicrës për të vuajtur arrestin shtëpiak në pritje të procedurës së ekstradimit. Polanski deklaroi për revistën online “La Regle du Jeu”, se i ishte dashur të linte peng në hipotekë shtëpinë e tij për të paguar lirimin me kusht. Mbrojtja thotë se gjykatësi i fundit, Laurence Rittenband, gjatë takimeve të fundit kishte pranuar që Polanski ti nënshtrohej një studimi diagnostikues prej 90 ditësh dhe asgjë më tepër. Por ai kishte ndryshuar mendje dhe kërkonte që Polanski të dënohej me burg në kohën kur ai u arratis në Francë tek të afërmit e tij. Polanski pretendoi se gjykatësi e kishte “tradhtuar” dhe “se donte të fitonte famë në kurrizin tim”. Ai tha se “kërkesa e ekstradimit tim ishte bazuar në një gënjeshtër”. Unë nuk mund të qëndroj më në heshtje, për shkak se SHBA-ja vazhdon të kërkojë ekstradimin tim, më shumë për ti shërbyer kokën time në pjatë medias së botës se sa për të dhënë gjykimin e tyre për marrëveshjen e arritur 33 vjet më parë”. Heshtja e regjisorit u thye jo drejtpërsëdrejti në dhjetor, kur ai u shkroi një mesazh falënderimi mbështetësve të tij. Ndërkohë Zvicra nuk mund të marrë parasysh apelin e Roman Polanskit kundër ekstradimit të tij në SHBA. “Vendimi për kërkesat e tij është detyrë e autoriteteve kompetente amerikane”, - ka theksuar zyra federale zvicerane e drejtësisë.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›