E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halim Budo: “SHBA-Rusi do të nisin Luftën e Tretë Botërore”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork, 13 nëntor 1968 – Asambleja e Përgjithshme përfundoi sot një debat për politikën e përgjithshme që u hap një muaj më parë, por që rezultoi një nga më të qetët e historisë, këtu, në sallën e OKB-së në Nju-Jork. Sekretari amerikan i Shtetit, Din Rask, çeli punimet e diskutimeve të politikave më 2 tetor me një kritikë të ashpër ndaj Bashkimit Sovjetik, dhe të gjithë delegatët e pranishëm menduan se ky do të ishte një nga debatet më të ashpra Lindje-Perëndim. Rask denoncoi pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë si shkelje e Statutit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i paralajmëroi ata që të mos ndërhynin në Gjermaninë Perëndimore, ashtu siç kishin kërcënuar. Ai vuri gjithashtu në dyshim dhe doktrinën e re të Moskës që pretendonte të drejtën e ndërhyrjes në çështjet e brendshme të shteteve të tjera komuniste. Por në vend të përgënjeshtrimit të pritshëm të homologut të tij sovjetik, Andrei Gromiko, ministri i Jashtëm rus, iu kundërpërgjigj me tone shumë të moderuara. Gromiko arriti të zhvendoste disi vëmendjen nga çështja e Çekosllovakisë, duke propozuar një ofertë për ulje tensionesh me Perëndimin dhe krijimin e një imazhi të një fuqie sovjetike paqësore në të ardhmen. Gromiko gjithsesi, nuk u tërhoq nga qëndrimi sovjetik se pushtimi i Çekosllovakisë ishte i nevojshëm për të ruajtur “Republikën Sovjetike”. Megjithatë, deklaratat e tij për Vietnamin u kufizuan vetëm për ndaljen e bombardimeve dhe mungonin sulmet e zakonshme të komunistëve në lidhje me këtë konflikt. Ministri sovjetik i vuri një theks të veçantë thirrjes për paqe përmes çarmatimit dhe kontrollit të armëve. Ai tha se qeveria sovjetike është gati të nisë një fushatë të vërtetë “shkëmbimi pikëpamjesh” me Shtetet e Bashkuara për kufizimet e përbashkëta dhe reduktimin e armëve strategjike bërthamore. Çështja e Vietnamit u kalua më lehtë në shumë aspekte, ndryshe nga çkishte ndodhur çdo herë tjetër. Rusët me pushtimin e Çekosllovakisë, i cili është ende i freskët në mendjen e njerëzve, menduan më mirë që të shmangnin akuzat irrituese të cilat mund të tensiononin situatën. Vendet e mosrreshtuara, të cilat vitin e shkuar lëshuan pothuajse një apel unanim për ndaljen e bombardimeve në Vietnamin Verior folën shumë pak për luftën në Azinë Juglindore. Një heshtje e tillë mund të ketë ardhur dhe për shkak të mosrrezikimit të bisedimeve të Paqes në Paris. Të vetmen shkëndijë debati në Asamble e lëshoi Shqipëria, që konsiderohet dhe zëri i Kinës Komuniste në Kombet e Bashkuara. Ambasadori i Shqipërisë, Halim Budo, akuzoi si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimin Sovjetik si “imperialiste”, të cilat po bashkëpunonin për të shtypur Pekinin. Ai akuzoi se Moska dhe Uashingtoni kishin ndarë botën në “sfera influence në përgatitje të Luftës së Tretë Botërore kundër Republikës Popullore të Kinës”. Por, për sa i përket çështjes së pranimit të Kinës në organizatë, SHBA-ja, duke argumentuar edhe një herë tjetër kundër Pekinit në OKB, ngriti pyetjen përpara Asamblesë ditën e martë nëse Tajvani duhet të përjashtohej nga organizata. Ambasadori amerikan, Xh. R. Uiggins, tha se qeveria tajvaneze e Çan Kai Shisë i kishte përmbushur me përpikëri detyrimet e Statutit të OKB-së, ndërsa regjimi i Pekinit i ishte drejtuar përdorimit të armëve dhe agresionit ndaj fqinjëve të tij, kishte këmbëngulur në testimin e armëve bërthamore - termonukleare dhe kishte negociuar për riorganizimin e OKB-së dhe rishkrimin e historisë së saj. Duke argumentuar se për të miratuar rezolutën që do të përjashtonte automatikisht Tajvanin, ambasadori amerikan tha se atyre do tu duheshin ende dy të tretat e votave të shumicës. Rezoluta në fjalë mbështetet nga Shqipëria, Kamboxhia, Guniea dhe një sërë vendesh të tjera, tha Uigins. “Një Asamble e Përgjithshme e aftë të ndryshojë menjëherë dhe në mënyrë të parevokueshme përfaqësimin e një prej anëtarëve të vetë me 50+1 për qind të votave do të vinte në rrezik anëtarësinë e shumë vendeve të tjera të organizatës”, - theksoi Uigins. Franca dhe Bashkimi Sovjetik kërkuan ditën e mërkurë pranimin e Kinës Komuniste, por pa marrë në asnjë moment në mbrojtje regjimin e Pekinit. Ambasadori sovjetik, Xhakob Malik, e hodhi poshtë idenë e përfaqësimit të dyfishtë të Kinës në OKB. Ndërsa Asambleja nisi punimet në ditën e tretë të saj të debatit për pranimin e Kinës, ajo kishte përballë tri rezoluta: Një të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe një sërë vendesh të tjera, që mbështesnin votimin me dy të treta të mazhorancës për përjashtimin e nacionalistëve të Tajvanit (84 vota në total nëse të gjithë delegatët do të merrnin pjesë në votim). E dyta rezolutë ishte ajo shqiptare që kërkonte përjashtimin e Tajvanit dhe marrjen e karriges së Kinës me një shumicë të thjeshtë. Ndërsa rezoluta e tretë mbështetet nga Italia, Belgjika, Kili, Islanda dhe Luksemburgu. Ajo bën thirrje për ngritjen e një grupi studimi që do të raportojë vitin e ardhshëm për gjetjen e një “zgjidhjeje praktike” – që në përgjithësi mund të interpretohet si pranimi i “dy Kinave” në Organizatë. Një propozim i tillë ka shumë pak shanse për tu pranuar, sepse si Kina ashtu edhe Tajvani e kanë përjashtuar mundësinë e njëra-tjetrës në OKB. Kjo rezolutë është hedhur poshtë një vit më parë, ndërsa çudia ka ardhur nga SHBA-ja. Burime diplomatësh thonë se Uashingtoni e ka mbështetur pjesën e ngritjes së një grupi studimi, por Uigins e shprehu qartë se mbështetësit e Pekinit e përjashtonin automatikisht anëtarësimin e Kinës, nëse Tajvani nuk do të përjashtohej nga OKB.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›