E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët shkelin Kosovën

Përfaqësuesja e Kosovës është gjunjëzuar nga ekipi ‘Athlets in Action’, i cili përbëhet nga basketbollistë të rinj nga kolegjet amerikane. Mysafirët e kanë deklasuar ekipin e Arben Krasniqit, të cilën e mposhtën me 49 pikë dallim, 115:66, duke dominuar në çdo aspekt të lojës. Nga Express më 31 maj 2011 në ora 23:01

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është treguar e pafuqishme përballë basketbollistëve të rinj amerikanë ‘Athlets in Action’, që luajnë në kolegje. Ekipi i Arben Krasniqit madje është turpëruar, duke humbur me 49 pikë dallim, 66:115.

Skuadra mysafire e ka treguar forcën e vetë qysh në çerekun e parë, të cilin e mbylli 41:16. Amerikanët e vazhduan lojën e mirë edhe në çerekun e dytë, të cilin e mbyllën me epërsi 23:18, për ta mbyllur pjesën e parë me 30 pikë dallim, 64:34.

10 minutëshi i tretë ishte më i nivelizuar, me kosovarët që u treguan më të mirë. Por, edhe kjo periudhë u takoi udhëtuesve, 19:16. Në çerekun e fundit, trajneri i mysafirëve, Tim Maloney, bëri shumë zëvendësime, duke u dhënë hapësirë basketbollistëve më të rinj. Edhe rezervistët amerikanë shkëlqyen dhe e fituan këtë periudhë 32:16.

“Ne i duam njerëzit i Kosovës. Ata janë të shkëlqyeshëm. Kemi vizituar Greqinë e Maqedoninë, por si këtu nuk ka. Këtu janë shumë njerëz të mirë. Unë kam ardhur nga Nju Jorku dhe kur kam parë se si janë njerëzit këtu, me të vërtetë më ka befasuar shumë. Nuk është vetëm basketbolli, por edhe disa aspekte tjera. Kosova ka luajtur me zemër, por iu kanë munguar disa lojtarë”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Athlets in Action, Tim Maloney.

Në anën tjetër, përzgjedhësi i Kosovës, Arben Krasniqi e pranon se nuk e kishte besuar se skuadra kundërshtare ishte aq e fortë. “E kemi ditur se janë të fortë, por nuk e kam pritur se janë kaq shumë. Nuk e kemi pritur këtë humbje aq të thellë. Ndoshta në këtë humbje ndikoi edhe lodhja e basketbollistëve. Megjithatë ne kemi potencial dhe duhet të vazhdojmë përpara”, tha ai.

Tek ekipi amerikan, më i miri ishte Dufault me 24 pikë, kurse për kosovarët më së shumti u dallua Mazreku, me po aq pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›