E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, më e forta në histori

Nga Express më 01 qershor 2011 në ora 08:42

Edhe Marcello Lippi i ka ndarë disa fjalë për Barcelonën e Pep Guardiolës, e cila të shtunën e fitoi Ligën e Kampionëve pasi e mposhti Manchester Unitedin me rezultat 3:1. Trajneri italian, i cili me ‘Azzurrët’ ishte shpallur kampion i botës në vitin 2006, është i mendimit se katalunasit kanë skuadrën më të fortë në histori të futbollit.

“Barcelona i ka karakteristikat për të qenë skuadra më e fortë e të gjitha kohërave. Natyrisht, ciklet si Interi i Herreras, Ajaxi i vitit 79 dhe Milani i Sacchit kanë qenë të shkëlqyeshëm, por këtu kemi të bëjmë me një fenomen vërtetë unik”, tha ish trajneri i Juventusit dhe Interit.

Lippi nuk ka dyshim se Messi dhe shokët e tij janë mbi të gjithë të tjerët. Ai e tregon edhe sekretin e këtij fakti. “Ka të bëjë me klasin e lojtarëve individualë, mbi të gjitha të kolektivit. Forca e një grupi të aftë për t’i mbajtur dy faza me harmoni: shpejtësinë dhe organizimin taktik”, vazhdoi ai.

“Barcelona, sapo e humb topin, bën presion për ta rimarrë. Ndërmjet fazës ofanzive dhe defanzive, tranzicioni është i menjëhershëm. Kjo është vendimtare”, tha në fund Lippi, i cili nuk mendon se do të përsëritet një Barcelonë e tillë në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›