Amerikani: Në Gërdec punonin fëmijë
Trazhgim Sokolaj
Njëri nga specialistët amerikanë, që ortaku i Mihal Delijorgjit kishte sjellë në Gërdec, ka dëshmuar se në fabrikën e demontimit nuk zbatohej asnjë rregull, punëtorët ishin të pa trajnuar, aty nuk ishte shpallur asnjë rregullore ndërsa me demontimin e municioneve merreshin fëmijë 8-9-vjeçarë. Shtetasi amerikan Sidney Tison MacIntyre, adresa: 707 Laurel Street, Conëay, SC 29920, datëlindja: 6 janar 1950, ka dëshmuar para një hetuesi të SHBA duke iu përgjigjur pyetjeve të dërguara nga Prokuroria e Shqipërisë. Dëshmia e amerikanit është sjellë në rrugë zyrtare dhe ndodhet në dosjen “Gërdeci”. Më poshtë procesverbali:
1. Çfarë profesioni keni, ku punoni dhe çfarë eksperience keni?
Unë jam një menaxher projekti/këshilltar teknik. Unë kam punuar në fabrikën e Southern Ammounition në Loris, S.C, për pak më shumë se një vit. Unë kam ndihmuar krijimin e modelit të përshtatshëm për makineritë e demilitarizimit të përdorura në Shqipëri.
2. Cila është arsyeja e ardhjes tuaj në Shqipëri, kush ju kontaktoi dhe çfarë statusi kishit?
Për të menaxhuar veprimtarinë e demilitarizimit. Më kontaktoi Patrick Henry. Prita të kisha të gjitha përgjegjësitë për veprimtarinë e përditshme të fabrikës së demilitarizimit.
3. Cili ishte qëllimi i punës tuaj dhe i specialistit tjetër që erdhi nga Amerika për fabrikën e çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në Gërdec, Shqipëri?
Qëllimi që synohej ishte planifikimi, vendosja e makinerive, rrjedhja e punës, para dhe pas procesi, siguria. Trajnimi, raportimi dhe koordinimi me partnerët shqiptarë.
4. A zotëroni ndonjë certifikatë cilësie nga autoritetet kompetente amerikane për çmontimin dhe çmilitarizimin e municionit? Nëse po deri në çfarë kalibri keni aftësi profesionale për të çmontuar dhe çmilitarizuar?
Nuk e di nëse është e disponueshme apo ekziston ndonjë certifikatë, megjithatë puna jonë kishte të bënte me kalibrin 14.47 dhe vetëm me municionet e kalibrit të vogël.
5. A keni njohuri për standardet e sigurisë që duhet të respektohen për depozitimin dhe ruajtjen e municionit që duhet të kalojë procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit apo rreth mënyrës së administrimit të produkteve të tjera, të tilla si barut, etj?
Po, në atë kohë unë kisha dijeni për të gjitha standardet e sigurimit dhe të sigurisë.
6. A mund të na shpjegoni si është drejtuar veprimtaria e çmontimit në Gërdec që kur erdhën punonjësit, çfarë procedurash ndiqeshin prej fillimit të punës, udhëzimet, personat përgjegjës për këtë qëllim, distancat dhe dhomat që punonjësit kishin në përputhje me procesin e punës, mjetet e përdorura gjatë punës që prej transferimit të produkteve të çmontimit e çmilitarizimit, ku depozitoheshin ato, distancat nga vendi i magazinimit të barutit në lidhje me ndërtesat e tjera, duke përfshirë vendin ku çmontohej municioni, etj?
Në kundërshtim me planet tona, kamionët ushtarakë futeshin fillimisht direkt në ndërtesë. Kur ndërtesa u mbush, atëherë kamionët shkarkoheshin menjëherë jashtë ndërtesës. Municioni i paplasur sillej menjëherë në godinë në një mënyrë të çrregullt. Unë kam vëzhguar se kutitë e drurit hapeshin dhe kutitë metalike hiqeshin mënjanë dhe hapeshin nga punonjësit burra. Çunat dhe vajzat e reja bashkë me gratë, hiqnin municionin nga kutitë metalike duke e mbështjellë dhe duke hequr letrën dhe duke ndarë municionin e paplasur në kontenjerë më të mëdhenj për t’ju nënshtruar procesit. Më pas municioni i paplasur mbështillej në makinerinë e demilitarizimit për çmontim. Baruti fillimisht ruhej pranë makinerisë së demilitarizimit në fund të godinës, larg grave të cilat përgatisnin municionin për t’ju nënshtruar procesit.
7. Cilat ishin masat e marra në “fabrikën” e Gërdecit, me qëllim që punonjësit të kryenin procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit nën kushte të sigurisë së lartë?
Ishte plani jonë që atje të bëheshin trajnime dhe të ndiqeshin procedura të rregullta para se të bëhej çdo lloj pune. Kjo nuk ndodhi. Mesa dukej, punëtorët shqiptarë po ndiqnin udhëzimet e Mihalit dhe eprorët e tyre as nuk ishin të interesuar e as nuk prisnin udhëzime nga ne, përveç çështjeve teknike të funksionimit të makinerive të demilitarizimit.
8. A keni parë ndonjë punonjës të mitur (nën 18 vjeç) në fabrikën e Gërdecit dhe a ishin punonjësit të trajnuar në përputhje me standardet dhe kushtet e përcaktuara në disiplinimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit sipas kushteve të sigurisë së lartë për jetën?
Po, unë pashë si djem dhe vajza deri në 8 apo 9 vjeç dhe persona që ishin në fund të adoleshencës së tyre, që punonin në fabrikë. Ata punonin me lloje këpucësh si shoshone përreth kutive të rënda. Të rinjtë dhe të rriturit nuk ishin trajnuar zyrtarisht për standardet të cilat parashikonim.
9. Kush e bënte trajnimin në fabrikë? Për sa kohë bëhej trajnimi? A mbahej dokument për të reflektuar këtë veprim dhe kush e bënte këtë?
Teknikët amerikanë bënë trajnimin për makineritë e demilitarizimit. Shqiptarët bënë gjërat e tyre për çdo gjë. Trajnimi i makinerive të demilitarizimit ishte “trajnim në punë”. Zakonisht zgjaste disa orë. Asnjë dokument nuk u mbajt për trajnimin.
10. A kishte ndonjë rregullore në fabrikën e Gërdecit, për të përshtatur teknologjinë që përdorej dhe standardet për kryerjen e procesit të çmontimit dhe depozitimit të municioneve dhe produkteve të tij, të tillë si barut etj?
Po ne amerikanët ishim përpjekur herë pas here të vendosnim heqjen e barutit nga makineritë. Me t’u mbushur çdo kontejner me barut duhej të hiqej menjëherë nga brenda godinës dhe të çohej në magazinë. Kur unë isha atje s’kishte ndonjë magazinë në dispozicion. Një grua shqiptare u udhëzua të fshinte barutin që binte nga makineritë gjatë procesit të demilitarizimit. Baruti krijoi një rrezik zjarri dhe rrezik rrëshqitje, pasi vendi ishte shumë rrëshqitës.
11. A keni lidhur kontratë përsa i takon detyrës tuaj dhe me kë keni kontaktuar?
Kontratë gojore me Patrick Henry.
12. Kush e pagoi rrugën dhe shpenzimet tuaja në Shqipëri?
Southern Ammounition.
Zhduken gjurmët e amerikanit të SAC në Ministrinë e Mbrojtjes
TIRANE - Patrik Henri, amerikani i kompanisë SAC dhe ortaku i Mihal Delijorgjit në “Alba Demil” nuk ka hyrë kurrë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Përkundër pohimeve të tij, Delijorgjit dhe ish-kreut të burgosur të MEICO, Ylli Pinari, prokuroria ka dokumentuar faktin se emri i amerikanit që kishte marrë përsipër demontimin në Gërdec, nuk gjendet në asnjë regjistër të hyrjeje në Ministrinë e Mbrojtjes apo SHPFA, qoftë me fletëhyrje të përhershme ose qoftë edhe si vizitor. Më datë 22 prill të vitit të kaluar oficeri i policisë gjyqësore, në prani të Pranvera Myftarit, shefes së sekretarisë në Batalionin Mbështetës së SHPFA në zonën e njohur si “Rrapi i Treshit”, ka këqyrur për të evidentuar personelin e huaj që ka hyrë në ministri dhe shtab. Qëllimi i kësaj këqyrjeje ishte evidentimi i faktit nëse amerikani i SAC Patrik Henri ka hyrë në këto dy institucione, dhe nëse po, cila ka qenë data. Për këtë qëllim hetuesi ka këqyrur regjistrin që përmbante të dhënat e vitit 2006 dhe më pas atë të vitit 2007. “Këqyrja vazhdoi me regjistrin me numër 115/1, datë 27 shkurt 2007, i cili është i përbërë nga 149 fletë. Në këtë regjistër janë regjistruar personat e huaj që kanë hyrë në Ministrinë e Mbrojtjes e Shtabin e Përgjithshëm nga data 15 mars 2007 deri më 20 mars 2008. Në të gjithë këta regjistra nuk figuron i regjistruar emri Patrick Henry. Këqyrja ndërpritet pasi nuk ka interes. Procesverbali pasi gjendet i rregullt, firmoset pa vërejtje nga të pranishmit”, thuhet në dokumentin e përpiluar nga hetuesi. Ndërkohë Mihal Delijorgji në deklarimet që ka dhënë në lidhje me ngjarjen pohon se Henrin ia ka prezantuar Pinari në zyrën e vet dhe më pas ata janë takuar shumë herë nëpër lokale dhe restorante të ndryshme në kryeqytet. fa.ma