Politika është kurbë...
Edmond Tupja
...e vjetër, pretendon kolegu e miku im i ri Françesk Armadhi; sipas tij, kurba në fjalë shpesh zgjedh një itinerar të ndryshueshëm, të papërcaktueshëm, pra, të paparashikueshëm. Dhe kjo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera me regjime demokratike më se shekullore (si, p.sh., Franca, ku, pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, socialisti Kouchner pranoi ftesën e Sarkozy-së për të qenë ministër i jashtëm i qeverisë së djathtë). Prandaj nuk është për t’u çuditur nëse, para disa ditësh, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, në aleancë me Partinë Demokratike......dhe, rrjedhimisht, me koalicionin e djathtë në Shqipëri, vendosi të ndërrojë aleat duke u bashkuar, në fushatën zgjedhore, me Partinë Socialiste, d.m.th. me të majtën shqiptare. Sigurisht që dorëheqja e ministrit Duro mund të duket pak a shumë një colpo duro për qeverinë e Berishës, por, me gjasë, Berisha diti ta administronte mirë këtë “incident”, sepse, tashmë i rrahur me vaj e me uthull në politikën shqiptare (që i ngjan një pjate me sallatë), ai e ka të qartë që kjo e fundit është kurbë (natyrisht me “b” dhe jo me “v”, siç shprehet proverbialisht populli ynë që nuk ka frikë nga fjalët). Pikërisht këtë tipar të politikës u rrek të shpjegonte edhe vetë kreu i PBDNJ-së, kur deklaroi në njërën prej mediave tona elektronike se partia e tij di të manovrojë shkathtësisht për t’u distancuar nga aleancat e vjetra, duke krijuar aty për aty aleanca të reja sipas drejtimit që merr kurba (me “b” dhe jo me “v”) e politikës në zhvillimet e saj të zhdërvjellta, pra, detyrimisht, që marrin edhe politikanët me taktikat e tyre luhatëse rreth qendrës së gravitetit politik ose, ndoshta më saktë, rreth gravitetit pa qendër, pa bosht, d.m.th. plot ndryshime oportune për të mos thënë oportuniste, të disa partive apo grupimeve politike në Shqipëri.
Gjithsesi, le t’i japim Qezarit atë çka i takon Qezarit: PBDNJ-ja është një nga të rrallat parti, e cila, qysh nga themelimi i saj, ka ditur t’u përshtatet situatave të ndryshme (aftësinë për t’u përshtatur, si psikologët ashtu edhe sociologët e politologët e konsiderojnë shpesh – por jo gjithmonë – si shenjë inteligjence) duke lundruar në detin herë të qetë, herë të trazuar, herë të stuhishëm të politikës, ku mbijetojnë ato parti, sidomos të vogla, që luhaten, shkojnë nga të fryjë era e nga t’i shtyjnë dallgët e rrymat detare: motoja e tyre duket se është fluctuat nec mergitur (luhatem nga dallgët, por nuk mbytem), që është edhe deviza e qytetit të Parisit, i cili ka për emblemë një anije.
Në këtë kuadër taktik – dhe meqenëse sapo përmenda figurativisht detin dhe Parisin, proverbi i vjetër detar “Kur mbytet anija, të parët e braktisin minjtë”, do të hidhte një dritë po aq figurativisht tronditëse mbi ngjarjen në fjalë. Por a thua vërtet të mbytet anija blu e Berishës në përplasjen e saj zgjedhore me anijen rozë të Ramës? Po të jetë kështu, PBDNJ-ja, falë parandjenjës së saj, do të ketë ndjekur, me të drejtë, kurbën (me “b” dhe jo me “v”) e paparashikuar, por të nuhatur të politikës së sotme në Shqipëri. Por (ka gjithmonë një “por”, që mund të prishë punë), por sikur anija e Berishës të mos mbytet? Si do të veprojë në këtë rast PBDNJ-ja? A do t’i kthehet, në politikën e saj, kurbës së vjetër apo do të ndjekë ndonjë kurbë të re (me “b” dhe jo me “v” si për të vjetrën edhe për të renë)? Po sikur të ketë mundësi të ndjekë një kurbë të tretë (me “b” dhe jo me “v”), të cilën e ilustrojnë më së mirë proverbat shqiptarë “Njërën dorë në revani, tjetrën në bakllava”, “Njërën vithe në kolltuk, tjetrën në shilte me pambuk”, “Tërhiq e mos këput”, “Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet” etj., etj., me një fjalë ta ketë mirë me të dy palët për arsye të nuhatura si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar ose, më saktë, ballkanik?
Sipas kolegut e mikut tim të ri Françesk Armadhi, nuk përjashtohet asnjëri prej rasteve të porsapërmendura. I vetmi problem, gjithmonë sipas tij, është momenti i zgjedhur për të ndjekur kurbën (me “b” dhe jo me “v”) të politikës: një vonesë e vogël nuk prish punë, sepse, siç thuhet, “Më mirë vonë se kurrë”, por, nëse kemi të bëjmë me një vonesë të zgjatur ose tragjikomike, atëherë shumëkush do të thotë “Më mirë kurrë se vonë”. Sidoqoftë, Françesk Armadhi, i bindur se PBDNJ-ja gjithnjë ka ditur e do të dijë t’i marrë kthesat thuajse pa vonesë të theksuar, është i mendimit se tash e tutje shprehja “Më mirë kurbë se vonë” mund të konsiderohet si moto e taktikës së saj të përhershme në vigjilje fushatat zgjedhore.