Liberalizimi i vizave, BE: Shqipëria nuk përfiton që në qershor
Raporti konfidencial i Komisionit Evropian për çështjen e vizave nuk e favorizon Shqipërinë. KE-ja do të paraqesë një raport mbi ecurinë që ka ndërmarrë Shqipëria në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, duke dhënë nota negative mbi hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi shqiptar. Sipas Top Channel, dokumenti pasqyron qëndrimin e BE-së për progresin e Shqipërisë, në kuadër të Këshillit të parë të Stabilizim Asociimit që zhvillohet të hënën në mbrëmje në Bruksel. Për çështjen e vizave, raporti sekret vlerëson se janë bërë disa progrese, por se nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. Vlerësimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Ballkanin do të diskutohet nga vendet anëtare më 25 maj. Për shtetet ballkanike që kanë përmbushur më mirë kriteret e udhërrëfyesit, komisioni pritet t’i propozojë Këshillit Evropian rekomandimin për heqjen e regjimit te vizave në fund të muajit qershor. Më të favorizuara mësohet se janë Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Për Shqipërinë, ashtu si dhe për Bosnjën pritet të ketë një vendim të dytë. “Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet njëfarë progresi në përgjithësi, por për sa i takon fushave për heqjen e regjimit te vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet evropiane. BE thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në dokument. Në të theksohet se “megjithë përmirësimin e perceptimit, korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz”. Ndërsa cilësohet si progres i limituar, theksohet se ky fenomen mbetet problem serioz që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri. “Përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve, si dhe nga mangësitë në politikat afatgjatë. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë të reduktojnë efikasitetin hetimor. Trafiku i drogës mbetet shqetësim serioz”, thuhet në raport. Ndërsa, sipas Top Chanel, vlerësohet se Shqipëria është “vend i rëndësishëm origjine për trafikun e qenieve njerëzore, si për shfrytëzimin seksual të grave e vajzave dhe për punën e detyruar. Trafiku i brendshëm i grave e fëmijëve është në rritje”. Kontrolli kufitar cilësohet më efektiv, por emigracioni ilegal mbetet shqetësim për KE-në. Për çështjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, theksohet “Bashkimi Evropian është njohur me masat e marra dhe shpreh shqetësim për shpejtësinë e shpërndarjes së kartave të identitetit”. Gjithashtu, “BE nënvizon rëndësinë e kompletimit të regjistrimit, vlerësimit dhe kompensimit të tokës, pasi çështjet e pazgjidhura të pronësisë kanë dëmtuar funksionimin e tregut të tokës duke mbajtur investimet e huaja nën nivelin potencial”. Ditën e hënë pritet që KE të diskutojë mbi raportin konfidencial mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit, ndërsa qëndrimi final do të bëhet në datën 25 maj.