“NATO-n e fituam me reformat”
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu tha dje se anëtarësimi në NATO u fitua falë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Duke folur në simpoziumin “Sot në NATO, nesër në BE”, Mediu tha se “NATO-n nuk na e falën, por atë e fituam me përpjekjet tona të vazhdueshme, sakrifica, luftë, reforma të ndërmarra”, tha Mediu, duke shtuar se, “në vitin 2005, kur ne kërkonim të hynim në NATO, shumë tregoheshin skeptikë, ndërsa sot, jemi duke ndërtuar partneritete afatgjata me vendet anëtare të kësaj Aleance”. Ndërsa ish zv /Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, tha se “të gjithë e dimë se të jesh një vend anëtar i NATO-s nuk është aspak e lehtë, por unë mendoj se z. Mediu e realizoi më së miri ëndrrën e madhe që ju kishit, duke zbatuar me rigorozitet të gjitha reformat e kërkuara, ndaj unë them se një pjesë e madhe e kësaj merite i takon atij dhe punës këmbëngulëse të tij”.