Mustafaj tërhiqet nga politika, caktohen tre rivalët për PD e Tiranës
ADI SHKEMBI
Një prej figurave qendrore të politikës shqiptare këto 18 vjet, Besnik Mustafaj ka njoftuar dje publikisht tërheqjen e tij nga politika. Një ditë para mbledhjes së Kuvendit të degës së Tiranës, ish-ministri i Jashtëm deklaroi se nuk do të kandidojë për këtë post, pasi vuri re se u shkelën standardet zgjedhore. “Konstatoj me hidhërim të madh se nuk është zbatuar as edhe një normë e Statutit. Rrjedhimisht, ashtu siç u përfshiva në fillim vetëm për arsye parimore, ashtu edhe tani në fund, për arsye parimore po tërhiqem nga gara”, u shpreh Mustafaj rreth 60 minuta pasi kishte marrë njoftimin zyrtar nga PD-ja se paraditen e sotme do të mbahen zgjedhjet për degën e kryeqytetit. Në të njëjtën kohë, ai lajmëroi edhe tërheqjen nga jeta politike për katër vitet e ardhshme, teksa konfirmoi se nuk do të jetë pjesë e asnjë prej listave për 28 qershorin.
Arsyet
Burime pranë PD-së bënë të ditur për gazetën se lista e delegatëve të zgjedhur për Kuvendin e degës së Tiranës ka qenë shkaku i tërheqjes së Besnik Mustafajt nga kjo garë. Mësohet se Mustafaj ka kërkuar pranë PD-së emrat e rreth 800 delegatëve që do të votojnë gjatë ditës së sotme, por që kjo kërkesë i është refuzuar nga selia blu. Ashtu siç edhe e paralajmëroi rreth dy javë më parë, teksa foli për cenim standardesh, Mustafaj bëri të ditur se nuk do të kandidojë. “Kam pasur vetëm arsye parimore në shtator 2008, kur shpreha publikisht vullnetin tim, mbështetur në statutin e partisë, për të qenë pjesë e kësaj gare, si kandidat për kryetar i degës. Kam besuar asokohe sinqerisht se kjo fushatë është një rast shumë i përshtatshëm për të zhvilluar brenda partisë një debat të shëndetshëm, i cili do ta demokratizonte partinë e do ta shëndoshte, duke e përgatitur atë të përballojë sfidën e madhe të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kam besuar kështu se edhe unë vetë, me historinë dhe eksperiencën time politike 20 vjeçare, do të bëhesha më i dobishëm për aspiratat e demokratëve”, vijoi më tej Mustafaj.
Tërheqja
Ish-ministri i jashtëm konfirmoi dje edhe tërheqjen nga jeta politike për katër vitet e ardhshme. Mustafaj konfirmoi se në zgjedhjet e 28 qershorit emri i tij nuk do të figurojë në asnjë prej listave të kandidatëve për deputetë. “Po mbyll kështu sot një jetë politike dhe publike 20-vjeçare. Kam të drejtë të bëj me këtë rast edhe një bilanc të shpejtë. Pa u zgjatur, ndjehem krenar para familjes time në radhë të parë, para dy djemve të mi, bashkëshortes, prindërve të mi të moshuar, dy vëllezërve të mi, tre nipërve dhe dy mbesave, të cilëve nuk u kam lënë asnjë njollë, që do t’i detyronte të rrinin kokulur”, tha Mustafaj. I pyetur nëse dorëheqja ishte përfundimtare, apo mund të pritet që emri i tij të figurojë në listat e kandidatëve të ndonjë partie tjetër, Mustafaj tha se “në fjalorin tim nuk ekziston fjala “kurrë”. Por e sigurt është se projektet e mia për katër vjetët e ardhshme nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Në vitin 2013 unë do të kem saktësisht moshën që kishte Berisha në vitin 1999, kur së bashku ideuam dhe hodhëm në veprim lëvizjen për “Fillimin e ri”. Dhe, për të qenë i qartë deri në fund, emri im në këto zgjedhje nuk do të figurojë në listën e asnjë partie”.
Bumçi, Përnaska e Bojaxhi në garën e Tiranës
Më pak se 24 orë nga mbajtja e Kuvendit të degës së PD-së së Tiranës, kryesia e kësaj partie ka përcaktuar kandidatët që do të garojnë për pasardhës të Sokol Olldashit. E mbledhur dje në mesditë, pas tërheqjes së Besnik Mustafajt, kryesia e vogël vendosi të hedhë në garë tre kandidatë për degën e kryeqytetit. Konkretisht 800 delegatët do të zgjedhin mes zëdhënësit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deputetes së kryeqytetit, Lajla Përnaska dhe drejtorit të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi. Nga kandidaturat e shpallura publikisht, përveç Mustafajt, nuk do të jetë në garë as deputeti Edi Paloka. Statuti i PD-së detyron kryesinë që të mblidhet paraprakisht për përcaktimin e kandidaturave. “Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga kryesia e PDSH. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat”, thuhet në nenin 27 të statutit. Mbledhja e sotme e Kuvendit të degës pritet të jetë maratonë. Kuvendi do të hapet në orën 12:00 në TOB me raportin e kreut të degës së PD-së, Sokol Olldashi dhe më pas do të flasë Kryeministri Berisha. Pas fjalës së kreut të qeverisë, tre kandidatët do t’i drejtohen rreth 800 delegatëve të cilët më pas do të zgjedhin mes Bumçit, Përnaskës dhe Bojaxhiut.
Formularët
Ish-ministri i Jashtëm dhe ish-sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në PD, ishte i vetmi deputet që nuk firmosi formularin e shpërndarë nga sekretarja e grupit të PD-së, për të kandiduar në zgjedhje. Burime pranë PD-së bënë të ditur se Mustafaj ka refuzuar të plotësojë formularin në fundjavë, kur iu shpërnda të gjithë deputetëve.
Paralajmërimi
Fiks një muaj më parë Mustafaj paralajmëroi se do të tërhiqet nëse shkelen standardet në PD. “Në qoftë se nuk plotësohen minimumi i standardeve, siç i mendoj unë standardet dhe siç janë shkruar në statutin e partisë, unë nuk futem në garë dhe nëse unë nuk futem në garë, është shumë e mundur që unë të tërhiqem nga politika të paktën përkohësisht”, tha Musfataj në Ora News.
Berisha
Kryeministri Berisha shprehu hapur simpatinë e tij pak kohë më parë për zëdhënësin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Gjatë një interviste televizive, kreu i qeverisë tha se Aldo Bumçi ishte një kandidaturë e shkëlqyer për të drejtuar degën e PD-së në Tiranë, teksa shtoi se edhe Mustafaj nuk do të përjashtohej nga gara. Por kjo deklaratë e kreut të qeverisë u pa si ndërhyrje në garë nga ana e Mustafajt, i cili më pas hyri në një debat publik me disa nga anëtarët e kryesisë së PD-së.