Amfiteatri i lashte romak, çel siparin e Festivalit të Filmit Ndërkombëtar
Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Durrës do të çelet sonte me një nga përfaqësuesit e kinematografisë franceze me disa prodhime të viteve më të fundit, ku mes tyre do të jetë ekranizimi i baletit "Borëbardha" të koreografit shqiptar me famë botërore Angjelin Prejlocaj. Festivali Ndërkombëtar Veror i Durrësit (SIFF), rikthehet në edicionin e tij të tretë, me të tjera filma në garë, me të tjerë të ftuar, e pa dyshim në pritje të fituesve të radhës. Nga sot deri më 4 shtator 2010, amfiteatri i lashtë romak do të presë sërish publikun, por jo më të pasionuar pas ndeshjeve me gladiatorë e luanë, por pas filmit. Ky edicion, i cili ka gjetur mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike do të prezantojë për publikun shqiptar, por edhe atë të huaj, që do të jetë i pranishëm ditëve të Festivalit, produksionet më të rëndësishme të kinemasë bashkëkohore botërore. Gjatë këtyre ditëve teatri "Aleksandër Mosiu" dhe amfiteatrin antik i qytetit do të shfaqi 10 filma produksione të viteve të fundit Hungaria, Belgjika, Franca, Serbia, Austria, Spanja, Hollanda etj," tha dje gjatë një konference për shtyp Anila Varfi, drejtore e këtij festivali.
Filmat që do të shfaqen në seksionin "Vizione bashkëkohore" më i rëndësishmi në "Festival, do të konkurrojnë për Çmimin e madh "Gladiatori i Artë", si dhe për çmimet "Regjisorin më i Mirë" dhe dy Aktorët më të mirë protagonistë," shtoi Varfi. Nga konkurrimi i 7 filmave në seksionin Botë Ballkanike juria ndërkombëtare do të përzgjedhë fituesin e çmimit filmi më i mirë, ndërsa çmimi i kritikës Fipresci përbën një risi të këtij festivali të kinemasë. Studentët shqiptarë të degëve të regjisë në akademitë përkatëse në vendin tonë, Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi do të garojnë për herë të parë me punimet e tyre filmike në metrazh të shkurtër duke synuar titullin Bukuroshja e Durrësit që do t’u japë fituesve mundësinë e pjesëmarrjes në Berlinale Forum (Gjermani).
E veçanta e këtij edicioni nuk janë vetëm pjesëmarrësit dhe seksionet e reja që i janë shtuar, por edhe fakti që ai nuk do të kufizohet vetëm në Durrës. Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit do të shtrihet edhe në katër qytete të tjerë të Shqipërisë: në Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë, me një program special për këto qytete. Në konkurrimin zyrtar do të prezantohen 26 filma artistikë, të përzgjedhur midis produksioneve më të spikatura të këtij viti. Për ta bërë festivalin më të larmishëm dhe për të ofruar më shumë mundësi për kineastët, organizatorët kanë menduar të shtojnë dhe dy seksione të reja, atë të "Dokumentarit Internacional", si seksion jashtë konkurrimit dhe atë konkurrues të "Filmit të Shkurtër Shqiptar". Në këtë seksion janë parashikuar të konkurrojnë plot 30 filma të shkurtër shqiptarë, duke u krijuar një mundësi më shumë, sidomos artistëve të rinj, të shfaqin krijimet e tyre dhe të afirmohen. Ndaj, edhe në fokus do të jenë kryesisht filmat e shkurtër, të realizuar në Akademitë Shqiptare të Filmit, qoftë ajo e Akademisë së Arteve apo "Marubi". Ashtu si edhe në edicionet e shkuara, një seksion i veçantë i kushtohet retrospektivës, krijimtarisë së njërit prej regjisorëve më të njohur të kinematografisë botërore. Bëhet fjalë për regjisorin Kristaq Dhamo, prej krijimtarisë së të cilët janë përzgjedhur filmat më të mirë dhe më të dashur për publikun. Nuk do të mungojnë edhe "takimet e ngushta", të cilat ofrojnë një fokusim në kulturën e një vendi evropian. Është menduar që gjatë ditëve të festivalit të shfaqen filmat më të mirë të tre vjetëve të fundit, të prodhuar në këtë vend. Qëllimi është t'i mundësohet audiencës një njohje më e thellë mbi kulturën e atij vendi, si dhe njohje më nga afër me industrinë kinematografike që zhvillohet atje. Për vitin 2010, "Miku i Nderit" është Franca, që jo vetëm është atdheu i një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë, ai i Kanës, por ka edhe një industri filmike të zhvilluar dhe një krijimtari tejet interesante, ndryshe nga çdo vend tjetër evropian.
Themelimi i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit në Durrës
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës u themelua në 2008 me mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe Bashkisë së Durrësit. Edicioni i tretë i tij do të mbahet nga data 29 gusht - 4 shtator 2010, jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në Tiranë, Vlorë, Pogradec. Sipas organizatorëve, ky festival ka për qëllim të vendosë lidhje të forta midis Shqipërisë dhe shteteve të saj fqinje ballkanike, por edhe më gjerë, në Evropë. Do të promovojë prodhimet më të mira kinematografike, jo vetëm jashtë, por edhe brenda vendit, ndonëse prodhimtaria shqiptare është e pakët.
Vlora pret edicionin e 2-të të monodramës shqipe
Edicioni i dytë Takimit Kombëtar të Monodramës është çelur të premten në qytetin e Vlorës me pjesëmarrjen e aktorëve nga teatrot profesionistë të Shqipërisë, Greqisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Fjalimin e hapjes e mbajti aktori Albert Vërria, i cili përshëndeti të pranishmit duke kujtuar se gara në monodramë është një garë sa profesioniste mes aktorëve, po aq dhe emocionuese për publikun, një ngjarje e vërtetë në jetën artistike teatrore. Në natën e parë interpretoi Florian Agalliu në monodramën "Engjëlli i Gravitetit", shkruar nga Massimo Sgorbiani. Ai përcolli një tragjikomedi të dhimbshme të bazuar mbi një histori të vërtetë të diskriminimit të njeriut. Nga qelia e ngritur simbolikisht në skenë, ai rrëfeu në orët e fundit para ekzekutimit me varje në litar. Interpretimi i monodramës së dytë, "O jetë", shkruar nga Josip Pejakoviq dhe interpretuar nga Elmir Sejfullai, përcolli një tjetër rrëfim nga burgu, ku kujtimet nga qelia të çojnë në rrjedhën e jetës së përditshme të një njeriu nga zonat rurale, të cilin ngjarje të rastësishme e përfshijnë në një vorbull shkatërruese. Dy monodramat, kishin një element të përbashkët, qelitë e burgut, por përcjellin realitete të ndryshme përmes kujtimeve. Një i ri në mungesë të dashurisë dhe nën diskriminim njerëzor, shndërrohet në vrasës, ndërsa tjetri, një fshatar punëtor që merr përsipër vrasjen e kryer nga vëllai student dhe vuan në pritje të rifillimit të punës dhe jetës familjare. Takimi Kombëtar i Monodramës, që nisi mbrëmjen e djeshme dhe do të vazhdojë edhe dy net të tjera, organizohet nga kompania teatrore "Aulona" dhe teatri "Petro Marko" Vlorë, me mbështetjen e bashkisë Vlorë. Ajo ka karakter garues dhe në juri përfshihen kritiku Miho Gjini, aktorja Ema Andrea dhe Genc Demiraj.
Mihail Gorbaçov, boton librin e jetës
Mihail Gorbaçov është quajtur njeriu që shmangu përplasjen mes qytetërimeve. Një gjeni që nisi “Perestrojkën” dhe një politikan i moderuar që shënoi modernizimin e Rusisë. Por nga kritikët është cilësuar dhe si njeriu që i dha fund ëndrrës komuniste dhe u dorëzua para imperializmit. Ndërsa për jetën private dhe karakterin e tij, në të gjitha biografitë citohet shpesh “dashuria” për alkolin dhe sidomos vodkën ruse. Ish presidenti i Rusisë Mihail Gorbaçov pritet të hedhë këto ditë në botim librin e tij të ri, me titull “Vetëm për vetëm me veten. Kujtime dhe përsiatje”. Vetë Gorbaçov ka thënë për mediat ruse se libri do të këtë 555 faqe. Gorbaçov është shprehur se do të donte që libri i tij të mos botohej vetëm në Rusi, por edhe në vendet e tjera të botës. Sa për përmbajtjen, ish presidenti ka shtuar se më shumë se një pasqyrim i fakteve politike për ato që kanë ndodhur në Rusi, është një libër ku flet për jetën e tij. Sipas tij, ky libër përsiatjesh nuk është dhe aq politik, se sa mbi jetën e tij personale dhe njerëzit e afërt për të në kontekstin e historisë së vendit.
29 Gusht 2010