Shtatori pret ngritjen e komisionit hetimor, fletët e votimit mbeten ngërçi politik
Javën e parë të muajit shtator pritet që të institucionalizohet ngritja e komisionit hetimor parlamentar me objekt hetimi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009. Zgjidhja e krizës politike njëvjeçare duke arritur kompromisin është sinjalizuar nga kryeministri Sali Berisha dhe nga drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste. Komisioni në fjalë do të drejtohet nga Partia Socialiste, e cila do të ketë dhe shumicën e anëtarëve dhe puna do të nisë me hapjen e materialeve zgjedhore. PS-ja do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim, duke kërkuar që fletët e votimit të mos digjen deri në fund të punës së këtij komisioni. Por, fletët e votimit mbeten pika ku dy forcat e mëdha politike ndahen me njëra-tjetrën. Partia Socialiste kërkon që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, t’i drejtohet Komisionit të Venecias, ndërsa nga ana tjetër, maxhoranca i kërkon opozitës t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit, më pas, Komisionit të Venecias.
Ngritja e komisionit për hetimin e zgjedhjeve i hap rrugën miratimit të një sërë ligjesh të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar votash nga ana e PS-së, si dhe fillimin e punës për reformën zgjedhore që parashikon ndryshime në Kodin Zgjedhor.
Opozita
Kreu i Grupit të socialistëve, Gramoz Ruçi, ka bërë të qartë se hetimi duhet të përmbajë fletët e votimit, në të kundërt, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, presidenti Bamir Topi apo Gjykata Kushtetuese t’i drejtohen një arbitri ndërkombëtar, siç është Komisioni i Venecias. Dy ditë më parë, numri dy në PS bëri publike tri dokumente që PS-ja i ka depozituar maxhorancës për zgjidhjen e krizës. Sipas tij, dokumenti i parë ka të bëjë me miratimin e një rezolute nga ana e Parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. I dyti ka të bëjë me angazhimin e PS-së për zgjidhjen e krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009, si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim dhe i treti ka të bëjë me angazhimin politik të PS-së për një reformë të plotë elektorale. “Transparenca e zgjedhjeve do të bëhet së bashku me fletët e votimit. Përjashtojmë ekzekutimin e fletëve, ndaj propozojmë të vazhdojmë negociatat për fletët e votimit. Në rast se maxhoranca kundërshton, kryetarja e Parlamentit le t’i drejtohet Komisionit të Venecias”, - është shprehur Ruçi. Sipas Ruçit, PS-ja nuk do të dëshironte të vazhdonte më tej me protesta, pasi çdo gjë mund të zgjidhet në sajë të një vullneti të mirë politik.
Maxhoranca
Nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se rinumërimi i kutive do të bëhet vetëm në rast se vendosin institucionet e Drejtësisë, në këtë rast Gjykata Kushtetuese, së cilës, sipas tij, duhet t’i drejtohet PS-ja. Kreu i qeverisë është shprehur se PD-ja i ka marrë seriozisht propozimet e PS-së, por, sipas tij, respektimi i institucioneve është i domosdoshëm. “Kemi vendim gjykate për rinumërimin e kutive të votimit dhe Partia Socialiste mund t’i drejtohet Gjyqësorit për kutitë”, - është shprehur kryeministri.
Xhixho: “Dy forca e mëdha politike të zbatojnë Rezolutën e PE-së”
Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho, u ka bërë thirrje të dyjave forcave të mëdha politike të zbatojnë Rezolutën e Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës politike. Xhixho theksoi se ka ardhur koha që të hiqet dorë nga inflacioni i deklaratave e demagogjia, të kalohet në veprime konkrete dhe aksione politike e ligjore që të garantojnë një reformë zgjedhore të standardeve europiane. “Për LSI-në, që vazhdimisht dhe me këmbëngulje ka bërë thirrje për zbatimin e Rezolutës së Parlamentit Europian, asnjëherë nuk është vonë që palët të reflektojnë pozitivisht dhe në sensin e duhur për të lënë mënjanë interesat partiake e për të vënë mbi to interesat europiane të vendit. LSI-ja përshëndet çdo iniciativë, e cila është në favor të krijimit të kushteve për bashkëpunim dhe të kontributeve pozitive për zgjidhjen të problematikës që aktualisht është krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar”, - u shpreh Xhixho. Kryetarja e LRI-së nënvizoi se koha e humbur për shkak të qëndrimeve refraktare dhe inatçore duhet të shërbejë që palët të përshpejtojnë ritmet e angazhimit konkret dhe të kontributeve reale për kapërcimin e gjendjes së krijuar. Më tej Xhixho e ka ftuar kreun e Partisë Socialiste, Rama, të marrë pjesë në të gjitha reformat europianizuese të vendit. “Duke shpresuar që qëndrimi më i fundit i PS-së të jetë fillimi i një procesi bashkëpunues, e ftojmë lidershipin socialist të integrohet dhe të bëhet pjesë e tërë procesit të reformave europianizuese të vendit, sepse vetëm bashkëpunimi dhe respekti ndaj institucioneve legjitime të vendit, kontributet pozitive dhe alternativat konkurruese janë ato që pret vendi në këtë kohë sfidash të mëdha”, - theksoi Xhixho.
Berisha: “Zgjidhja e krizës politike do të kryhet sipas Kushtetutës”
Kryeministri Sali Berisha, gjatë takimit të djeshën të kryeministrave të vendeve të Europës Juglindore në Salzburg të Austrisë, deklaroi se ekzistojnë hapësira shumë të mira në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për hetimin e zgjedhjeve të kaluara. Në takimin e përvitshëm informal të organizuar nga kancelari i Austrisë, Verner Faymann, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski etj. Më pas, me ftesë të kancelarit austriak, Verner Faymann, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, ndoqën operan “Romeo dhe Zhulieta”, e cila shfaqej në kuadër të Festivalit të Salzburgut. Pas shfaqjes, në një prononcim për mediat e pranishme, kryeministri Berisha u shpreh: “Ky është një samit tradicional kulturor - politik, në të cilin kancelari i Austrisë fton liderë nga rajoni për të shijuar Festivalin e Muzikës Klasike të Operas së Salzburgut dhe, natyrisht, për të zhvilluar takime. Unë pata një takim shumë të mirë me kancelarin austriak, Verner Faymann. Ne diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet bilaterale, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe mora mbështetjen e tij dhe të ministrit të Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, një mik imi i vjetër. Në takim bisedova gjerësisht edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski. Me ta diskutova për marrëdhëniet midis vendeve tona dhe shkëmbimin e vizitave. Pra, atmosfera e takimeve këtu është e njëjtë me bekgraundin kulturor që ofron Festivali i mrekullueshëm i Salzburgut", - u shpreh kryeministri Berisha.
29 Gusht 2010