E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amfiteatri, xhamia Fatih dhe kalaja e Peqinit në proces restaurimi

 

TIRANE-Amfiteatri antik, xhamia Fatih dhe kalaja e Peqinit, janë tre nga monumentet historike të cilat do të restaurohen pjesërisht brenda këtij viti nga specialistët e Ateliesë së Qarkut të Durrësit, tha dje drejtori i Ateliesë së Monumenteve, Edlir Terpo. Ai tha gjithashtu se edhe një subjekt privat ka nisur rindërtimin e një godine 124-vjeçare që ndodhet në këtë qytet, duke ruajtur të pandryshuar elementët e fasadës së saj. Drejtori i Ateliesë bëri të ditur se brenda këtij viti do të rikonstruktohen disa galeri të vogla në anën veriore të Amfiteatrit antik të Durrësit dhe do të bëhet disiplinimi i ujrave mbi pjesën e arenës së tij. IMK ka dhënë 1 milion lekë për ndërhyrjet e domosdoshme dhe urgjente në galeritë që ndodhen ndën shkallaren e lagjes Kala, rreth 100 metra pranë Bashkisë së qytetit të Durrësit. Ky monument madhështor është ndërtuar në fund të shekullit të parë të erës sonë dhe është zbuluar vetëm pjesërisht, pas ekspeditave të drejtuara nga arkeologu Vangjel Toçi, në vitin 1966. Terpo njoftoi se në bashkëpunim me Komunitetin mysliman, në Durrës ka nisur puna për restaurimin e plotë të xhamisë Fatih, një nga monumentet më të vjetra fetare në këtë zonë. "Pas paraqitjes së projektit të miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) për ndërhyrjet dhe restaurimin e çatisë, fasadës dhe mjediseve të brendshme të xhamisë, Komuniteti mysliman vendosi financimin e këtij restaurimi, që do të realizohet nga specialistët e Ateliesë së Durrësit", tha Terpo, duke sqaruar se shumës prej 500 mijë lekësh që ka dhënë IMK, do t'i shtohet financimi i këtij Komuniteti për rikonstruksionin e plotë të xhamisë Fatih brenda këtij viti. Xhamia Fatih është ndërtuar në shekullin e 19-të mbi rrënojat e një godine të mëparshme kulti (një kishe të vjetër) dhe ndodhet në zonën historike, shumë pranë Muzeut etnografik të qytetit. Sipas të njëjtit burim, një subjekt privat i cili ka blerë një godinë të ndërtuar në vitin 1884 në zonën historike të Durrësit ka nisur rindërtimin e saj, duke ruajtur të pandryshuar fasadën. IMK ka lejuar rindërtimin e godinës që ka shërbyer edhe si konsullatë e Austro-Hungarisë në fillim të shekullit të 20-të, duke respektuar lartësinë dhe pamjen e dikurshme të saj, sipas projektit të miratuar nga ky institut. Specialistët e Ateliesë së Monumenteve po ndjekin rikonstruksionin e kësaj godine të dëmtuar aq rëndë për shkak të amortizimit, sa rrezikonte të rrënohej plotësisht.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›