Bruno Canino rikthehet në Tiranë pas Gërdecit
Artisti i njohur italian është ngjitur mbrëmë në Teatrin e Operas.Në udhëtimin e dytë në Shqipëri, Bruno Canino ka sjellë në program kompozitorë italianë dhe amerikanë. Koncerti i pianistit ishte parashikuar ditën e shpërthimit, por u anulua.
TIRANE- Vizita e parë në Shqipëri, pianistit Bruno Canino i rastisi me shpërthimin e Gërdecit. Artisti italian kishte parashikuar një koncert në Teatrin e Operas. Ndërsa në Tiranë situata ishte e pështjelluar, ai kishte marrë avionin nga Italia me idenë e partiturave, një salle teatri dhe një publiku të ri. Koncerti i atëhershëm u anulua. Por Canino, i njohur si pianist i nivelit të lartë, nuk hoqi dorë nga ideja e një koncerti në Tiranë. Mbrëmë ai është ngjitur në skenën e TOB-it, me një koncert më të përforcuar se më parë. Në konferencën e djeshme për shtyp, kur pianistit iu kujtua episodi i Gërdecit, u përgjigj: "Më në fund kam kënaqësinë ta luaj këtë koncert". Programi përfshiu pjesë nga Clementi, Rossini, Gottschalk, Copland, Corea, Gershwin. Mungonin emrat e kompozitorëve të njohur e shumë "popullorë", si Bethoven apo Moxart. "Mendoj se ka vend edhe për kompozitorë të tjerë. Mua personalisht më pëlqen të dëgjoj pjesë të panjohura dhe besoj se në këtë mendim është edhe publiku. Ai do diçka të re në vend të përsëritjes së gjërave të njëjta", - shprehet mjeshtri. Në fakt pranon se ka bërë edhe një zgjedhje praktike. Ai është ftuar për këtë koncert nga Instituti Italian i Kulturës, e nuk mund të mungonin kompozitorët e vendit të tij. Ndërsa kompozitorët amerikanë, ka zgjedhur katër të ndryshëm nga njëri-tjetri për të krijuar një panoramë të re të historisë së muzikës amerikane. Shprehet se mundohet t'i përshtatet skenës dhe kohës kur luan, në rastet kur organizatorët nuk kanë kërkesa specifike. Bruno Canino e njeh shumë pak Shqipërinë, e kësisoj edhe muzikën shqiptare. Ka njohur të rinj muzikantë në Itali, disa prej të cilëve u ka dhënë edhe mësime, por këto njohje nuk janë shtyrë në bashkëpunime. Pianisti e përkrah edhe muzikën kontemporane, por jo festivalet që i dedikohen tërësisht asaj. "Ideja e një festivali të muzikës kontemporane është paksa i vjetruar. Ndoshta është më mirë që muzika e re të përzihet edhe me muzikën tradicionale", - shprehet ai, duke iu referuar edhe pozicionit të tij si ish-drejtor i Seksionit të Muzikës në Bienalen e Venecias. Tashmë ka hequr dorë dhe shprehet i kënaqur me këtë zgjedhje. "Është një profesion jo shumë i përshtatshëm për mua. Një punë me shumë stres dhe vështirësi organizimi e financimi. Jam i kënaqur që mbaroi. Unë kërkova të bëja zgjedhjet e mia dhe nuk bëra kompromise për to", - thekson ai. Për shumë vite, mjeshtri Canino ka dhënë mësime, 24 vjet në Milano dhe 11 në Berna. Nga përvoja e tij, thekson se pianistë të mirë ka në të gjithë botën, por jo të gjithë gjejnë mundësitë të shprehen. Ata kanë shumë mundësi të perfeksionohen në profilin e tyre, duke zgjedhur jo më detyrimisht një apo 2 profesorë, por një listë të tërë. "Është e trishtueshme kur sheh që këta të rinj të talentuar nuk arrijnë të gjejnë hapësira, deprimohen e pastaj humbasin. Ndoshta edhe talenti nuk është karta thelbësore. Ka shumë fakte të tjera që kushtëzojnë të ardhmen", - thekson Canino. Pas Tiranës, janë një sërë koncertesh të tjera që e presin në Poloni, Stamboll e më tej.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)