E Diel, 1 Nëntor 2026

"Amnesty International" i kujton Obamës burgun e Guantanamos

"Amnesty International" i ka rikujtuar Barak Obamës një nga premtimet e tij elektorale të bëra gjatë garës për Shtëpinë e Bardhë. Organizata për mbrojtjen e të njeriut i kërkoi presidentit të zgjedhur amerikan 'të fiksojë sa më shpejt datën e mbylljes e kampit të Guantanamos". Deklarata u bë nga sekretare e përgjithshme e organizatës e cila njoftoi për këtë fundjavë mobilizim ndërkombëtar me rastin e përvjetorit të shtatë të qendrës së paraburgimit. "Ne nuk kërkojmë të pamundurën. Barack Obama e ka shprehur tashmë vendosmërinë e tij për të riparuar disa gabime të miratuara nga qeveria amerikane në emër të sigurisë kombëtare dhe ne i kërkojmë ta kthejë këtë angazhim në realitet", deklaroi Irene Khan. Organizata i bëri thirrje Obamës të njoftojë një datë për mbylljen e kampit të paraburgimit amerikan, të vendosur në ishullin e Kubës 'menjëherë pas marrjes së detyrës më 20 janar'. "Amnesty International" kërkoi edhe ngritjen e një komisioni hetimor të pavarur i cili do të shqyrtojë shkeljen e të drejtave të njeriut 'në kuadër të luftës kundër terrorizmit'. "Kërkojmë ngritjen e një komisioni që të përcaktojë përgjegjësisë dhe shënimin e një kthese thelbësore në politikën amerikane antiterroriste' citohet të jetë shprehur Khan. Mbyllja e burgut të Guantanamos ëstë një nga premtimet e Barak Obamës të bëra gjatë fushatës elektorale. Për shumë kohë ai ka qenë një nga kritikuesit e ekzistencës së ketij kampi paraburgimi, dhe metodave të marrjes në pyetje të përdorura aty. Në deklaratat publike ai është shprehur se i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes të hartojë një plan për mbylljen e burgut të Guantanamos. Aktualisht aty mbahen 250 të burgosur nga 800 të tillë që kanë qëndruar që nga 11 janari 2002. Por, megjithë vullnetin e Barak Obamës për të mbyllur burgun, duket se Shtetet e Bashkuara po hasin vështirësi në gjetjen e vendeve aleate të cilat mund të pranojnë të marrin të burgosurit që mbahen në Guantanamo.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›