Amnezia e madhe gjermane
Joschka Fischer
Gjendja e Evropës është serioze shumë serioze. Kush do ta mendonte se kryeministri britanik, David Cameron, do tu bënte thirrje qeverive të eurozonës të mbledhin guximin për të krijuar një union fiskal (me një buxhet dhe politika tatimore të përbashkëta si dhe borxh të garantuar publik unik)? Për më tepër Cameron argumentoi se integrimi më i thellë politik është mënyra e vetme për ndalimin e shpërbërjes së euros. Një kryeministër konservator britanik! Shtëpia evropiane është në flakë, ndërsa Downing Street bën thirrje për një përgjigje racionale dhe të vendosur të brigadës së zjarrfikësve. Fatkeqësisht, brigada e zjarrfikësve udhëhiqet nga Gjermania dhe shefja e saj është kancelarja Angela Merkel. Si rezultat i kësaj, Evropa vazhdon tentimet për ta shuar zjarrin me benzinë me masat e kursimit të imponuara nga Gjermania pasojat e së cilës gjë, më së paku pas tre vjetësh, do ta shndërrojnë krizën financiare të eurozonës në një krizë ekzistenciale të Evropës. Le të mos e gënjejmë veten: nëse euroja shpërbëhet, atëherë do të shpërbëhet edhe Bashkimi Evropian (ekonomia më e madhe e botës), duke shkaktuar krizë globale ekonomike të një përmase të cilën shumica e njerëzve të gjallë sot nuk e kanë përjetuar asnjëherë në jetë. Evropa ndodhet buzë një humnere dhe më se sigurt do të rrokulliset në të nëse Gjermania dhe Franca nuk ndryshojnë kurs. Zgjedhjet e fundit në Francë dhe në Greqi, së bashku me zgjedhjet lokale në Itali dhe trazirat e vazhdueshme në Spanjë dhe Irlandë, kanë treguar se publiku ka humbur besimin në masat e ashpra të kursimit të imponuara ndaj tyre nga Gjermania. Terapia vrit për të shëruar e Merkelit del të jetë kundër realitetit dhe demokracisë. Ne po e mësojmë edhe njëherë se shtegu i zorshëm i këtij ky lloj kursimi, kur aplikohet në kohën e krizës së madhe financiare, çon vetëm në depresion. E kjo gjë do të duhej të dihej nga të gjithë ngase ky ishte, mbi të gjitha, një mësim i madh i dalë nga politikat e kurimit të presidentit amerikan, Herbert Hoover dhe kancelarit Heinrich Brüning në Weimar të Gjermanisë në fillim të viteve 30. Fatkeqësisht, Gjermania, më shumë se të gjitha shtetet e tjera, duket ta ketë harruar këtë gjë.
Si pasojë e kësaj, kaosi po mbizotëron në Greqi, siç po i pret shkatërrimi i mëvonshëm bankat në Spanjë, Itali dhe Francë dhe kështu orteku do ta varrosë Evropën. Por pastaj? A duhet të shlyejmë ne atë që më shumë se dy gjenerata evropianësh kanë krijuar një investim masiv në ndërtimin e institucioneve që ka rezultuar me periudhën më të gjatë të paqes dhe prosperitetit në histori të kontinentit?
Një gjë është e qartë: shpërbërja e euros dhe e BE-së do të sjellë daljen e Evropës nga skena botërore. Politika aktuale e Gjermanisë është gjithnjë e më absurde, në aspektin e pasojave të dhembshme politike dhe ekonomike që do të shkaktojë.
Është në duart e Gjermanisë dhe Francës, respektivisht Merkelit dhe presidentit Francois Hollande, të vendosin të ardhmen e kontinentit tonë. Shpëtimi i Evropës tani varet nga një ndryshim fondamental të qëndrimit ekonomiko-politik të Gjermanisë dhe qëndrimit të Francës për integrimin politik dhe reformat strukturore.
Franca duhet ti thotë po një unioni politik: një qeveri e përbashkët me një kontroll të përbashkët parlamentar për eurozonën. Qeveritë e eurozonës tashmë po veprojnë njëzëri si një de facto qeveri për ta adresuar krizën. Ajo që po bëhet gjithnjë e më e vërtetë në praktikë do të duhej çuar përpara dhe zyrtarizuar.
Gjermania, nga ana e vet, duhet të vendoset për një union fiskal. Në fund të fundit, kjo gjë nënkupton garantimin e mbijetesës së eurozonës me fuqinë dhe pasuritë ekonomike të Gjermanisë: përvetësim i pakufizuar i bonove qeveritare të shteteve në krizë nga Banka Qendrore Evropiane, evropianizim të borxheve kombëtare nëpërmjet eurobonove dhe programeve të rritjes për të shmangur një depresion në eurozonë dhe për të ushqyer rimëkëmbjen. Shumë lehtë mund të merren me mend konstatimet e Gjermanisë rreth këtij lloj programi: edhe më shumë borxh! Humbje kontrolli mbi pasuritë tona! Inflacion! Thjesht nuk do të funksionojë! Por funksionon: rritja e siguruar nga eksporti i Gjermanisë bazohet pikërisht në këso programe nëpër shtetet në rritje dhe në SHBA. Sikur Kina dhe Amerika të mos i kishin derdhur pjesërisht paratë e financimit të borxhit në ekonomitë e tyre në fillim të vitit 2009, atëherë Gjermania do të kishte pësuar një goditje të madhe. Gjermanët tani duhet të pyeten nëse ata, të cilët kanë përfituar më së shumti nga integrimi evropian, janë të gatshëm ta paguajnë çmimin për atë apo do të preferonin ta linin të shpërbëhej. Përveç bashkimit politik dhe fiskal si dhe politikave të rritjes afatshkurtër, evropianët urgjentisht kanë nevojë për reforma strukturale që kanë për qëllim ringjalljen e konkurrencës në Evropë. Secila prej këtyre shtyllave është e domosdoshme po qe se Evropa dëshiron të tejkalojë krizën e saj ekzistenciale. A e kuptojmë ne gjermanët përgjegjësinë tonë panevropiane? Nuk duket se e kuptojmë.Në të vërtetë, Gjermania rrallë herë ka qenë aq e izoluar sa është tani. Mezi që dikush e kupton politikën tonë dogmatike të kursimit, e cila shkon përtej çdo përvoje, ndërsa ne konsiderohemi gjithnjë e më shumë jashtë shtegu, nëse jo edhe se po shkojmë në shtegun e gabuar në trafik. Ende nuk është tepër vonë për të ndryshuar drejtim, por tani kemi vetëm disa ditë dhe javë, mbase muaj, por jo vite, për ta bërë këtë. Gjermania e shkatërroi vetveten dhe rendin evropian dy herë gjatë shekullit të njëzetë dhe më pas e bindi Perëndimin se ka hartuar konkluzione të drejta. Vetëm në këtë mënyrë që reflektohet më së dukshmi në rastin e përqafimit të projektit evropian Gjermania fitoi miratim për ribashkimin e saj. Do të ishte sa tragjike po aq edhe ironike nëse një Gjermani e rikthyer, me mjete paqësore dhe me synime më të mira, ta çonte drejt shkatërrimit rendin evropian për të tretën herë.