Amnisti fiskale, nëse paguan 3% detyrime
Duket se biznesi e ka tashmë të qartë se çfarë kërkon nga amnistia fiskale. Gazeta “Shqip” mëson detaje të draftit që ndodhet në Ministrinë e Financave, hartuar nga ekspertët e ekonomisë, me mbështetje nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Në një nga pikat e propozimeve është vendosja e kushtit për të paguar detyrimet e fshehura në masën 3 për qind, e më pas falja e gjobave, përfshi dhe legalizimin e aseteve. Sakaq, mësohet se ditët e fundit janë zhvilluar disa takime informale mes qeverisë dhe biznesit për të vendosur piketat përfundimtare të projektit. Në draft, biznesi kërkon një maniti të plotë dhe të gjerë fiskale, duke nënkuptuar jo vetëm legalizim asetesh, por edhe falje gjobash. Në fakt, debatin për faljen e gjobave e hapi ministri i Financave, i cili papritur doli hapur për një amnisti të plotë fiskale, si veprimi duhur për stadin ku ndodhet aktualisht ekonomia e vendit. Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, tregon për gazetën disa detaje paraprake të projektit, duke pranuar ekzistencën e një drafti dhe mbylljen e procesit sa më shpejt. “Pas një pune intensive, me një grup pune të përbërë nga ekspertë të fushës, hartuam draftin dhe ia kemi dërguar brenda një kohe të shkurtër Ministrisë së Financave”, thotë Jaka, i cili nuk e mohon faktin se ka zhvilluar disa takime informale me zyrtarë të ministrisë. Jaka pranon se nga ministria nuk ka ardhur ende asnjë propozim konkret, por vetëm është biseduar në tërësi, ndërsa nuk mungojnë kërkesat për më shumë detaje rreth asaj çfarë kërkon biznesi. Duket se, pavarësisht dëshirës së qeverisë për ta vënë në zbatim, ka diçka që e pengon ministrinë të japë aprovimin final.
“Ajo çka ne duam është legalizimi i plotë i aseteve, falja e të gjitha detyrimeve të deritanishme duke aplikuar një masë tatimore deri në 3 për qind”, thotë kryetari i Dhomës së Tregtisë. Shumë vende të zhvilluara e kanë kryer amnistinë fiskale disa herë me cikle 5 deri në 10 vjet. “Mendoj se tashmë legalizimi i aseteve për kompanitë shqiptare është bërë i domosdoshëm. Formalizimi i aseteve të biznesit, deklarimi dhe regjistrimi i tyre në zyrat e hipotekës, do të thotë më shumë kredi për biznesin shqiptar, më shumë investimeve dhe hapje vendesh të reja pune”, thotë Jaka.
Ekspertët gjykojnë se kompanitë që i kanë asetet e fshehura duhet t'i kontabilizojnë, pasi rentabiliteti i tyre rritet me vlerat e plota të formalizuara, i kthen konkurruese.
Për amnistinë fiskale ka dhënë qëndrimet e saj edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Ndonëse është tunduese në klimën aktuale, duke qenë se ka mundësinë për një rritje të njëhershme në të ardhura një amnisti fiskale duhet marrë në konsideratë vetëm si mjeti i fundit, pasi rrezikon të kërcënojë pagesat e taksave në të ardhmen dhe besueshmërinë e sistemit tatimor”, deklaroi pak kohë më parë FMN.
#