Fasonët kundër rritje së pagës minimale, shpenzimet për pagat kalojnë 80 për qind
Rritja e pagës minimale shton kostot e prodhimit për fasonët, të cilët herë pas here kanë kërkuar heqjen e pagës minimale për këtë sektor, pasi puna matet me normë. Kostoja shtesë nuk është llogaritur ende sepse ky sektor është zhytur
në krizë që në vitin 2009 dhe për këtë shkak janë shkurtuar shumë vende pune. Rritja e pagës minimale me 20 mijë lekë kundërshtohet për shkak se kostoja për pagesa mund të arrijë deri në 80 për qind të totalit të shpenzimeve, shumë e cila është e papërballueshme për shkak se ky sektor ka ndjerë shumë krizën financiare globale, efektet e të cilës janë pasqyruar në uljen me 53 për qind të shitjeve. Shkak ka qenë prishja e kontratave nga kompanitë greke dhe italiane, të cilat janë dhe blerësit e këtyre prodhimeve. Pozitat e kompanive prodhuese me porosi vështirësohen edhe nga mungesa e kompensimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga ana e qeverisë shqiptare.
Rritja e kostos
Fasonët bëjnë të ditur se shpenzimet për paga zënë rreth 60 për qind të totalit të shpenzimeve, ndërsa pjesa e sigurimeve shoqërore zë 15-20 të shpenzimeve, kur sipas tyre, në sektorë të tjerë shpenzimet për paga variojnë nga 8-10 për qind të totalit të shpenzimeve. Sipas të dhënave nga Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve, përllogaritet se në total sektori i fasonit ka një humbje prej rreth 750 milionë lekë. Rritja e kostos si pasojë e bërjes së pagës minimale për 17,000 lekë është rreth 13 për qind më shumë. Me rritjen e pagës minimale në 19 000 mijë lekë do të rritet ndjeshëm kjo kosto, e cila deri tani nuk është përllogaritur nga fasonët.
Studimi
Sipas një studimi për periudhën janar-mars 2010, shitjet e kompanive të fasonit janë ulur me 58,3 për qind, ndërsa 40 për qind e kompanive të pyetura kanë deklaruar përkeqësim të rezultatit financiar, ulje të normës së fitimit. Ndërsa në vitin 2009, në krahasim me vitin 2008, po sipas të njëjtit studim, shitjet e kompanive kanë rënë me rreth 57 për qind. Sipas autoriteteve, kriza në sektorin e prodhimit me material porositësi, apo siç quhet ndryshe, fason, për vitin 2009 ka sjellë një ulje të eksporteve në rreth 15 për qind krahasuar me një vit më parë. Edhe gjatë muajve të parë të vitit 2010, kjo rënie ka vijuar, por me ritme më të ulta. Rrjedhojë e krizës ka qenë ndërprerja ose pezullimi i kontratave me kompani të huaja, sidomos greke, por edhe italiane, ulja e kostos për njësi të produkteve të përfunduara, mungesa e likuiditetit për kompanitë fasoniste, që është e shprehur edhe në mungesën e rreth 40 milionë eurove që mungojnë në arkën e shtetit nga mospagesa e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe pezullimi apo pushimi i një numri të konsiderueshëm punëtoresh, në pritje të aktivizimit të kontratave ekzistuese apo lidhjes se kontratave të reja. Sipas një studimi i realizuar në rreth 80 kompani fasoniste në rrethet Tiranë, Shkodër dhe Korçë dhe për të cilin janë pyetur drejtpërdrejt rreth 250 punonjës të këtij sektori, ka vërtetuar se shitjet e vitit 2009 rezultojnë 57,1 për qind më të ulta se ato të vitit 2008. Kompanitë e pyetura kanë deklaruar në masën 61,5 për qind se presin rezultat financiar më të mirë në vitin 2010 dhe vetëm 26,2 për qind e tyre kanë deklaruar se presin keqësim të situatës në këtë sektor.
Rritja e akcizave
Rritja e akcizës, për ambalazhet që përdoren në sektorin e veshjeve dhe këpucëve, sigurisht që do të ndikojë në treguesit financiarë të këtyre kompanive, por efektet ende nuk janë llogaritur, sepse ndryshimi i akcizës ka pak kohë që është bërë. Ndërkohë rritja e çmimit të energjisë, rritja e herëpashershme e pagave minimale nga ana e qeverisë si dhe ndryshimet e shpeshta fiskale në mes të vitit e dëmtojnë këtë sektor, për shkakun e thjeshte se kompanitë fasoniste punojnë me kontrata të mbyllura që në fillim të vitit, pra me çmime të fiksuara nga kontraktorët e huaj dhe çdo ndryshim ndikon ndjeshëm në normën ne tyre të fitimit. Edhe rritja e çmimit të energjisë, për shkak se ky produkt vjen i dytë në radhën e shpenzimeve të planifikuara, pas atij të pagave dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore, ka dhënë ndikim në uljen e efektivitetit të investimeve në kompanitë fasoniste, në mungesën e likuiditetit dhe të kapitalit për të përmirësuar teknologjinë dhe në përgjithësi në performancën e këtyre kompanive, në kushtet kur konkurrenca në këtë treg rritet dita ditës.
Bankat, barriera për kreditimin e fasonëve
Sektori i fasonit është një sektor pothuajse i padëshirueshëm nga bankat e nivelit të dyte për t'u kredituar. Arsyet janë të shuma, që fillojnë nga rentabiliteti i ulët i këtyre kompanive, mungesa e kolaterialit, kompanitë në shumicën e rasteve nuk kanë prona por punojnë në objekte ish-shtetërore të marra me qira, si dhe pasiguria në vijimësinë e kontratave me partnerët e huaj, gjë që i bën bankat të mos jenë të sigurta në financim. Edhe financimet e parashtruara nga qeveria shqiptare, nëpërmjet fondeve të dhëna, psh nga Qeveria Italiane, kanë qenë joefektive, burokratike dhe efektivisht nuk janë realizuar, sepse është e vështirë që ky biznes të plotësojë kushtet specifike të bankave për marrjen e këtyre kredive. Po kështu edhe fondi për konkurrueshmërinë dhe fondi për nxitjen e eksporteve janë joproduktive dhe pothuajse kanë dështuar, megjithë dëshirën e mirë të qeverisë.
Kërkesa, të hiqen pagat e referencës
Llogaritja e kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për të gjithë të punësuarit e deklaruar duhet të behet jo me mbi bazën e pagave të referencës, sipas vendimit ekzistues, por mbi bazën e pagës faktike, që është lehtësisht e kontrollueshme. Bizneset kanë përqafuar detyrimin ligjor për të paguar pagat nëpërmjet kanaleve bankare dhe qeveria mund e duhet të kontrolloje lehtësisht pagën faktike, e cila në këtë sektor është e lidhur domosdoshmërisht me normën e realizuar. Në këtë formë që është sot, bizneset tona detyrohen të paguajnë edhe mbi nivelin e pagave të realizuara, duke rritur për pasojë padrejtësisht kostot e prodhimit.
Përjashtim nga tatim fitimi
Duke qenë se industria e tekstileve në formën e organizimit të deritanishëm është industri që punon për eksport dhe për pasoje zë një peshë relativisht të konsiderueshme në futjen e valutës së huaj në vend, e cila ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit, duke qenë se kjo industri nuk përfshihet në nivelin e tatimpaguesve të mëdhenj me ndikime të ndjeshme në buxhetin e shtetit, por dhe duke marrë në konsideratë dispozitat ligjore të vendeve fqinjë e mw gjerë, të përjashtohen nga tatim fitimi. Pjesë e kërkesave të industrisë së tekstileve, e cila zë 5 për qind të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është edhe përjashtimi për një periudhë pesëvjeçare nga tatim-fitimi i kompanive.
Ornela Manjani