E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Qeveria të rishikojë taksat

Në raportin e misionit të FMN-së pas përfundimit të vizitës në Tiranë, thuhet se “disa reforma për uljen e taksave që janë ndërmarrë në të kaluarën duhet të rishikohen”. Më konkretisht, FMN-ja kërkon nga qeveria që të rishikojë uljen e kontributeve me 5 pikë përqindje që ajo ndërmorri në maj të vitit të kaluar.

Ekspertët e fondit theksojnë se kjo masë jo vetëm që nuk pati rezultatet e dëshiruara për rritjen e të ardhurave, por përkundrazi, e përkeqësoi më tej deficitin e skemës së pensioneve me 2,5 pikë përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas ekspertëve të FMN-së, ky është një nivel shumë i lartë për Shqipërinë.

Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga qeveria shqiptare që të hartojë një strategji të menjëhershme për të luftuar ekonominë informale, si dhe të ndërmarrë një politikë të shtrënguar buxhetore dhe realiste në katër vitet e ardhshme.

Sipas ekspretëve, strategjia e Tiranës për të ulur borxhin publik në tre vitet që vijnë, bazohet më tepër në parashikimet optimiste të qeverisë për mbledhjen e të ardhurave, parashikime që nuk janë të njëjta me ato të FMN-së. Kjo mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të borxhit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›