E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnisti fiskale për bizneset debitore, kush përfiton dhe çfarë u falen subjekteve

Nga falja do të përfitojnë kompanitë e import-eksportit. Në 4 muaj janë mbledhur më pak se 2% e totalit të principalit

Ervin KOÇI

Kur kanë mbetur më pak se 2 muaj nga skadimi i afatit për amnistinë fiskale, vetëm një numër i vogël biznesesh kanë shlyer principalin për të përfituar më pas faljen e kamatëvonesave apo të gjobave. Rreth 4 muaj nga hyrja në fuqi e amnistisë fiskale, janë mbledhur vetëm 45 milionë lekë, apo më pak se 2 për qind e totalit të principalit. Duke u ndalur në gjobat që bizneset u detyrohen Doganave, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, i ftoi ato të paguajnë detyrimet doganore, ndërsa theksoi se fushata për faljen e borxheve dhe të kamatëvonesave, e njohur ndryshe si "amnistia fiskale", përfundon në fillim të muajit prill. Sipas Dervishit, afati përfundimtar i kësaj amnistie do të jetë 7 prilli 2009, ku nga 10 miliardë lekë detyrime ndaj Doganave, subjekteve të biznesit do t’u falen 7 miliardë lekë. Deklarata u bë gjatë një takimi me bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku qëllimi i aktivitetit ishte që bizneset të marrin informacion më të freskuar mbi të gjitha ndryshimet ligjore dhe teknikat e reja financiare që aplikohen sot. Sipas të dhënave nga administrata doganore, janë rreth 1000 biznese që figurojnë si debitore në këtë administratë dhe vlera financiare e debisë që ato kanë shkon në 10 miliardë lekë. Sipas rregullit, bizneset duhet të paguajnë principalin 25-30 për qind, në një kohë që në listë janë edhe subjektet që kanë borxhe edhe tek Tatimet.

Subjektet debitore

Subjektet e biznesit që kanë borxhe ndaj shtetit janë të shumta dhe kryesisht ato u përkasin subjekteve “VIP” (biznese të mëdha), ndaj të cilave shteti e ka mjaft të vështirë t’ua vjelë borxhet. Në këtë listë janë përfshirë edhe biznese që janë aktualisht në proces gjyqësor. Kjo për shkak se nëse këto subjekte humbasin gjyqin ndaj shtetit, atëherë të kenë të paktën mundësinë që të përfshihen në skemën e amnistisë fiskale. Sipas kreut të Doganave, Dervishi, “të gjitha këto subjekte nuk do të përfitojnë nga amnistia derisa të përfundojë gjykimi apo hetimi”. Në fillim të muajit nëntor 2008 filloi zbatimi i ligjit që shkarkonte nga detyrimet e prapambetura një numër të madh subjektesh. Bëhet fjalë për rreth 2.5 miliardë lekë që bizneset u detyrohen vetëm Doganave, në një kohë që borxhi në administratën tatimore shkon disa herë më tepër. Por, sipas ekspertëve, falja e borxheve dhe kamatëvonesave të biznesit përkthehet si një përfitim shumë më i madh, me mbi 5 miliardë lekë. Bizneseve iu lanë 6 muaj kohë për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj Doganave. Borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore në total arrin në 5 miliardë lekë, ndërsa bizneset janë të detyruara të paguajnë principalin, që arrin në vlerën e 2.5 miliardë lekëve. Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992, ndërsa llogaritet si borxh i humbur, ose i thënë ndryshe, "i shuar", për arsye të ndryshme, vlera prej 1.7 miliardë lekësh.

Amnistia
Amnistia fiskale do të zbatohet për taksat e prapambetura të automjeteve, detyrimet doganore dhe tatimore, si mospagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Bëhet fjalë për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave, nëse paguhet principali nga subjektet. Ajo do të jetë në fuqi deri më 7 prill, pasi ligji u jep afat bizneseve vetëm 6 muaj nga data e miratimit. Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992, ndërsa llogaritet si borxh i humbur, ose i thënë ndryshe “i shuar”, për arsye të ndryshme, kap vlerën prej 17 miliardë lekësh. Sipas kreut të Doganave, Përparim Dervishi, në këtë listë të “zezë” përfshihen borxhet, të cilave jo vetëm që u ka kaluar afati, por edhe borxhet e atyre bizneseve që as nuk ekzistojmë në regjistrat e administratës fiskale. Gjithsesi, janë të pakta bizneset që mund t’i plotësojnë këto kushte, pasi për to ka pasur vendime të zbatuara nga zyrat e Përmbarimit, që ka sjellë edhe arkëtimin e pagesave të pakryera. Sipas Dervishit, administrata doganore ka bërë gati të gjitha procedurat që bizneset të përfitojnë nga kjo lehtësi. Nga ana tjetër, është edhe shuma e borxheve për bizneset që nuk ekzistojnë më. Për këto lloj borxhesh vendimi i qeverisë parashikon fshirjen e rekordeve të mbetura, një lëvizje që do të përmirësojë treguesit e informalitetit të lartë të bizneseve shqiptare në vendin tonë, si një kusht për integrimin në komunitetin e bashkësisë europiane.

Doganat

Administrata doganore këtë vit ka në plan të rrisë të ardhurat me 12,5 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2008, pavarësisht impaktit që mund të sjellë kriza ekonomike dhe tregtia jonë me jashtë. Ndërkaq, për bizneset mbetet ende shqetësim përditësimi i çmimeve të referencës, por për përfaqësuesit e Doganave është e pamundur që këto çmime të azhornohen përditë, sidomos për pajisjet e teknologjisë, celularët etj. Gjatë takimit u ra dakord që të bëhet edhe zgjerimi i magazinave doganore, si një kërkesë e biznesit vendas.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›