E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët e Tiranës: Ekzekutivi po e tërheq prej hundësh Gjyqësorin

Skandali Gjyqtarët u japin lekë sekretareve për të blerë stilolapsa. Të gjitha debatet që u zhvilluan dje në mungesë të ministrit të Drejtësisë

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjyqësori është i pambrojtur dhe i pavarur nga Ekzekutivi. Kështu u shpreh dje, në analizën e Gjykatës së Tiranës, gjyqtari Agim Bendo. Ish-kryetari i kësaj gjykate nuk i kurseu kritikat e ashpra jo vetëm për Ekzekutivin, por edhe për vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndërsa nuk ishte prezent në analizë ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, Bendo shfrytëzoi pjesëmarrjen e numrit dy të KLD-së, Kreshnik Spahiu. “Tërheq vëmendjen që KLD-ja të tregojë më shumë kujdes për Gjyqësorin. Është detyra e saj ta mbrojë. Na vjen turp të dalim në rrugë dhe të themi se jemi gjyqtarë. Nuk duhet të përgjithësohemi. Nuk është e drejtë”, - deklaroi gjyqtari Agim Bendo. Sipas tij, nuk mund të flitet më për pavarësi të Gjyqësorit. “Ne nuk jemi pyetur për asnjë ndryshim që kanë bërë për legjislacionin mbi Gjyqësorin. Ekzekutivi po na merr zvarrë për hundësh dhe KLD-ja nuk po na mbron. Përse duhet të bëhen deklarata të tilla që Gjyqësori është i sëmurë. Cilët janë të sëmurë, të largohen”, - vijoi më tej gjyqtari, të cilit iu kërkua mendimi nga vetë zëvendëskryetari i KLD-së, Spahiu. Sakaq, nuk munguan dhe debatet mbi problemet që ngritën vetë gjyqtarët. Ata e cilësuan të padrejtë mungesën e ministrit në këtë analizë, duke ikur kështu mundësia për të dëgjuar problemet që kanë. Gjatë analizës së djeshme, kryetari i komanduar i kësaj gjykate bëri dhe përmbledhjen e punës së një viti duke folur për mbingarkesë rekord mbi punën e këtyre gjyqtarëve.
Shqetësimet
Për gjyqtarin Agim Bendo, KLD-ja nuk duhet të bëjë seleksionime në momentin kur bën përzgjedhjen për vendet bosh nëpër gjykata. Sipas tij, ligj për karrierën e gjyqtarëve duhet t’u ofrojë atyre statusin e gjyqtarit në mënyrë që të mos ngelen në mëshirë të fatit. “Ndryshe flitet në parim dhe ndryshe në praktikë. Magjistratët duhen përkrahur, por edhe ne të vjetrit. Duhet bërë gërshetimi në emërime pasi edhe këta të rinjtë një ditë do të plaken si ne”, - tha Bendo. Sipas Spahiut, gjyqtarët që kanë një numër të madh dosjesh për gjykim marrin raporte të gjata mjekësore në mënyrë që këto dosje të rihidhen në short duke iu shmangur kështu punës. Sipas tij, KLD-ja ka konstatuar dhe një rast konkret dhe nuk ka ndërmend të tolerojë raste të tilla. Pas kësaj deklarate reagoi gjyqtari Artan Broci. Ky i fundit tha se Këshilli bën mirë t’i verifikojë këto raste, pasi gjyqtarët mund të jenë sëmurë me të vërtetë dhe ndoshta këto raporte nuk i marrin qëllimisht.
Mbingarkesa
Analiza e djeshme shërbeu për gjyqtarët e Tiranës për t’i thënë publikisht dhe njëherësh të gjitha shqetësimet. Sipas tyre, dosjet sa vijnë dhe shtohen dhe puna për ta është e papërballueshme. Mungon baza materiale, infrastruktura, por mbi të gjitha nuk u garantohet siguria. Gjyqtarët thanë se nuk duhet të presin të ndodhë hataja dhe më pas Ministria të ndërmarrë masa për sigurinë e tyre.

Problemet që u ngritën dje në analizën e Gjykatës së Tiranës nga gjyqtarët

Ilir Mustafaj:

“Statistikat tregojnë se nga viti 2001 deri në 2009-n, numri i dosjeve nga 10 mijë është rritur në 20 mijë. Puna jonë për një vit është e papërballueshme duke përfshirë edhe transferimet nëpër gjyqe të tjera. Është turp ta themi, por një herë në dy javë ne detyrohemi që t’i japim lekë sekretareve për të na blerë stilolapsa. Një tjetër problem është siguria. Nuk besoj se për shtetin është e papërballueshme që të vendosë në çdo kat nga një polic. Dy policët që janë në katin e parë për sigurinë e të gjithë gjykatës më duket e papërballueshme për ta”.

Kreshnik Spahiu:

“Ne jemi në dijeni për vështirësitë në punë që hasin gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Mirëpo ne kemi konstatuar se një nga problemet është mungesa e zhvillimit të gjyqeve nëpër salla. Edhe pse sallat mund të jenë bosh, sërish gjyqtarët preferojnë t’i zhvillojnë në zyrat e tyre. Këtë fenomen nuk e toleron më Këshilli i Lartë i Drejtësisë”.

Gerd Hoxha:
“Për mua, problemet më të mëdha janë siguria dhe solemniteti. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, para se të merrte vendime, të shikojë dhe mbi problemet që ekzistojnë mbi gjykatat. Unë jam gjyqtar i dhomës penale dhe proceset i kam zhvilluar gjithmonë në sallë. Këtu mendoj se nuk jemi mbledhur për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit, por që të ishte prezent ministri i Drejtësisë në mënyrë që të kishte dijeni mbi shqetësimet tona. Madje, prezent duhet të ishin edhe përfaqësues të Gjykatës së Apelit, Prokurorisë apo Policisë së Shtetit. Prokurorët kanë gjetur një rrugë shumë të shkurtër, duke sjellë dosjen për gjykim pa deklarimet paraprake. Këto shërbejnë për të shtyrë seancat pa fund. Ndërsa gjyqtarët e Apelit japin vendime të ndryshme për raste të njëjta duke mos ditur se kë të kemi parasysh”.

Albert Meçe:

“Problemet e ngritura nga gjyqtarët për bazë materiale qëndrojnë. Është e patolerueshme kur mendon se Gjykata e Tiranës për një vit arkëton në buxhetin e shtetit rreth 110 milionë lekë të reja dhe nga e gjithë kjo shumë nuk ka të drejtë të përdorë për shpenzimet e saj qoftë edhe një për qind. Ngarkesa e punës për gjyqtarët është shumë e madhe”.

Shefkie Demiraj:
“Incidenti mbi gjyqtarin Nuni mund të na ndodhë të gjithë neve për sigurinë që na ofron shteti. Unë nuk kam njohje me të, por e ndjeva të moralshme t’i bëja një vizitë në spital. Ministria duhet të ndërmarrë masa sa më parë për sigurinë e gjyqtarëve. Të mos presim të ndodhë hataja. Një tjetër problem për mua janë prokurorët. Pjesa më e madhe e tyre janë fare të pakujdesshëm në punën e tyre. I sjellin dosjet me mungesë gjeneralitetesh dhe të dhënash qoftë për të pandehurit, ashtu edhe për dëshmitarët dhe për pasojë proceset zgjaten pa fund”.

Petrit Çomo:
“Mendoj se dy problemet kryesore janë: rritja e buxhetit për Gjyqësorin dhe shtimi i organikës për shkak të mbingarkesës në punë. Të dyja këto i ka në dorë Ekzekutivi. Mirëpo këtu prezent kemi vetëm përfaqësuesin e KLD-së. Po pate mundësi, z. Spahiu, bëni që t’i shkojnë në vesh këto shqetësime edhe ministrit të Drejtësisë”.

Kreshnik Spahiu:

“Përcaktimi i organikës së gjykatave, për fat të keq, prej një viti, me gjithë vendimin e Presidentit, ende nuk ka përfunduar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë këtë problem e ka diskutuar në mbledhjet e fundit. Të gjithë kanë shprehur shqetësimin për këtë problem dhe për hir të së vërtetës edhe ministri ka qenë dakord se numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Tiranës duhet të jetë më i madh sesa është. Pikërisht për këtë arsye ne emëruan edhe stazhierët e rinj të Magjistraturës”.

Altin Shkurti:

“Kisha vendosur të mos flisja, pasi kemi tre vjet që themi të njëjtat probleme dhe nuk shohim asnjë zgjidhje. Është folur për shumë reforma, por unë mendoj se reformat e duhura duhet të bëhen në mënyrë që të ulet numri i dosjeve që vijnë për shqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Për një vit janë shqyrtuar rreth 5 mijë dëshmi trashëgimie. Përse ky akt të mos bëhet nga noterët, siç ka qenë, dhe shteti po të dojë t’u vendosë një taksë. Një rast tjetër ku mund të ulen dosjet: të gjitha shoqërive tregtare ligji u detyron që për çfarëdolloj problemi t’i drejtohen vetëm Gjykatës së Tiranës. Të ndryshohet dispozita ligjore dhe t’u drejtohen gjykatave në qytetin ku kanë biznesin. Apo urdhrat e ekzekutimit që kanë pak fryrje artificiale nga vetë bankat, vijnë me dhjetëra çdo ditë”.

Fakt i hidhur

Gjykata e Apelit, “bunkeri” i hershëm

Nëse dje nuk do të dija datën, orën dhe vitin ku jemi, do të kisha menduar se Shqipëria vazhdon të mbetet pre e sistemit komunist. Vazhdon hermetizmi i dhënies së informacionit dhe realizimi i mbledhjeve të fshehta për të luftuar armikun e klasës. Megjithëse e kemi lënë pas këtë sistem prej 18 vitesh dhe pretendojmë se kemi ambicie për të qenë pjesë e Europës, shembulli më i gjallë i së kaluarës vazhdon të jetë Gjykata e Apelit të Tiranës. Jam e bindur se ky fakt nuk është më i ri për dhjetëra qytetarë që kanë procese çdo ditë në këtë gjykatë. Ata, të fajshëm dhe të pafajshëm, rrinë çdo ditë përtej kangjellave të gjykatës, pavarësisht nëse temperatura do të shënojë 0 gradë celsius apo 38 gradë celsius. Jam e bindur se e keqja e tyre në pritje të Drejtësisë ka nisur prej vitesh, por gangrenë kthehet vetëm në dyert e Gjykatës së Apelit. Dosja do të kalojë ca vite të mira derisa të marrë një vendim. Po patën para, ndoshta kanë dhe shpresë për një gjykim më të shpejtë. Dje pjesë e kësaj gangrene, e këtij sistemi pis, ishim edhe ne, përfaqësuesit e medias. Në të vërtetë, kjo situatë vazhdon të jetë e njëjtë prej vitesh, edhe pse kryetarët ndërrohen me qëllim rritjen e transparencës dhe ndryshimin e imazhit për Gjyqësorin. Dje, me paturpësinë më të madhe, kryetari i kësaj gjykate e zhvilloi analizën e punës së gjykatës me dyer të mbyllura. Nuk e lejoi median me pretekstin se nuk kishte vend ku të uleshim. Kreut të Apelit i dhimbseshim gazetarët apo i trembej raportit të tyre për problemet që mund të ngriheshin aty. Unë jam për të dytën. Nëse nuk është kështu, e mira dhe e drejta do ta donte që të mos veprohet herë tjetër në të njëjtën mënyrë....

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›