Berisha nis negociatat me aleatët, Ceka në koalicion me PD-në
Kryeministri Berisha ka nisur negociatat për marrëveshjet parazgjedhore me partitë aleate të koalicionit të djathtë. Gjatë ditës së djeshme, shefi i qeverisë ka zhvilluar një takim në zyrën e tij në Kryeminisri me kryetarin e Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Cekën. Gjatë këtij takimi, Berisha e Ceka kanë diskutuar në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm elektoral mes dy forcave politike. Kryetari i PD-së Berisha dhe ai i PAD-së, Ceka, dolën në përfundimin se në zgjedhjet e qershorit 2009 këto dy forca politike do të paraqiten si aleate elektorale dhe në qeverisjen e vendit. Të dy personalitetet politike theksuan se kjo erdhi si një domosdoshmëri që buroi nga qëllimet dhe programet e përbashkëta të këtyre dy forcave politike. Pritet që në ditët në vazhdim Berisha të zhvillojë takime edhe me kryetarë të partive të tjera të spektrit të djathtë politik.
13 Shkurt 2009