Legalizimi i aseteve do të fusë në rrugë legale 5 miliardë euro
Komunitetet e biznesit kërkojnë legalizim të aseteve. Amnistia fiskale, e miratuar vitin e kaluar nga qeveria, që synon fshirjen e detyrimeve të papaguara të bizneseve në administratën tatimore, doganore dhe taksat e automjeteve, nuk ka ndonjë ndikim domethënës për kompanitë e biznesit. Sipas përfaqësuesve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, “qeveria ka miratuar ligjërisht falje për detyrimet e vërtetuara me fatura. Nëse do të kishte një amnisti për kapitalet dhe asetet që vlerësohen në disa miliardë euro, do të kishte një tjetër impakt në vlerësimin e këtyre bizneseve në pikëpamjen e sistemit bankar”. Sot, më tepër se kurrë, është nevoja që të ketë sa më shumë likuiditet në treg dhe kjo do të krijohet nga tërheqja drejt ekonomisë reale të atyre kapitaleve të fjetura, të atyre kapitaleve që vijnë nga ekonomia gri, e padeklaruar. Njohja e aseteve dhe regjistrimi i tyre do të sillte frymëmarrje për ekonominë, por edhe bankat private do të ishin më të sigurta për të dhënë kredi. Ekspertët e huaj vlerësojnë që pas një amnistie të mundshme vlerësohet një shumë nga 5 deri në 6 miliardë euro që mund t’i rikthehen ekonomisë shqiptare. Në rast se do të përfitojnë nga kjo amnisti fiskale bizneset shqiptare do e kenë shumë më të lehtë për të marrë kredi në sistemin bankar.
13 Shkurt 2009