E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu në Kuvend akuzon Prokurorinë: “Po përdoret politikisht”

Ish-ministri i Mbrojtjes mbrohet ndaj akuzave të prokurorisë. Opozita reagon: “Berisha, i pandehuri kryesor për Gërdecin”

Eljona Ballhysa
Vetëm një ditë pas komunikimit zyrtar të akuzës për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka hedhur akuza të rënda kundrejt Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, Mediu është shprehur se Prokuroria e Përgjithshme po kthehet në një instrument të politikës dhe kjo, sipas tij, është e rrezikshme. Ai i konsideroi shpifje akuzat kundër tij dhe u shpreh se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për tragjedinë e Gërdecit. Por shumë shpejt ka ardhur dhe reagimi i opozitës. Deputeti socialist Taulant Balla akuzoi kryeministrin Berisha duke e cilësuar atë të pandehurin kryesor të tragjedisë së Gërdecit.
Mbrojtja
“Ky akt i organit të akuzës nuk ishte i papritur për mua, sepse veprimet e ndërmarra nga ky institucion, që nga kërkesa për heqjen e imunitetit si deputet, ishin tendencioze dhe kanë patur vetëm një qëllim, dërgimin e kësaj çështjeje në gjykatë. Pavarësisht nga e vërteta dhe përgjegjësitë për tragjedinë e Gërdecit, prokuroria kërkon vetëm të lajë duart, duke çuar më shumë se 20 zyrtarë të kësaj ministrie në dyert e gjykatës”, - është shprehur Mediu. Ai tha se që nga mënyra se si u ndërtua i gjithë procesi i hetimit u kuptua se ai ishte një proces i motivuar politikisht. “Mbas tragjedisë, Prokuroria nxitoi të deklaronte publikisht se ministri i Mbrojtjes ka shmangur Forcat e Armatosura, deklarim që synonte të krijonte përshtypjen se pas kësaj ngjarjeje fshihej interesi privat. Dje, prokuroria ndryshoi akuzën duke më akuzuar tashmë se kam bashkëpunuar me ushtarakët në Ministrinë e Mbrojtjes. Po, e kam bërë një gjë të tillë, pasi kjo ka qenë pjesë e detyrimit tim ligjor si ministër. Ne kemi punuar me bindjen se municioni i tepërt ishte dhe është një rrezik real për Shqipërinë. Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe me dorëzimin e imunitetit, bëra vetëm detyrën. Por, nëse do të doja ta fshihja të vërtetën, nuk do të vihesha në dispozicion të drejtësisë”, - është shprehur Mediu ndërsa ka theksuar se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për tragjedinë e Gërdecit. “Arrij të kuptoj konjukturën politike, e cila ndodh jo rrallë në media. Por, nga ana tjetër, e konsideroj të pafalshme pavarësinë zero të organit të Prokurorisë. Kam duruar çdo akuzë për shkak të atyre viktimave që duan zbardhjen e të vërtetës dhe kam vepruar në mënyrë institucionale sepse respektoj institucionet e këtij vendi. Për shpifjet në media ndaj personit tim, unë i jam bindur vullnetit të mazhorancës dhe nuk kam kërkuar ndjekje penale për asnjë, pavarësisht se shpif. Por nëse Prokuroria kthehet në një instrument të politikës, kjo jo vetëm që është e turpshme, por është e rrezikshme”, - është shprehur Mediu, i cili ka shprehur bindjen se gjykata do ta gjykojë çështjen me gjakftohtësi dhe e shkëputur nga ndikimet politike.
Opozita
Fill pas fjalës së ish-ministrit të Mbrojtjes, ka reaguar deputeti socialist Taulant Balla, i cili akuzoi kryeministrin Berisha për atë që ai e quan krim shtetëror. “Pasi përcollëm me dhimbje, në zi dhe në heshtje 26 viktimat e pafajshme të krimit shtetëror të Gërdecit, denoncuam këtu në Parlament qeverinë e Sali Berishës si fajtorë direkt për këtë tragjedi.
Dhe kështu doli. Dje, qeveria u thirr zyrtarisht e pandehur. Dje është thirrur e pandehur e gjithë qeveria aktuale. Që dje, ish-ministri i Mbrojtjes drejtpërsëdrejti dhe Sali Berisha moralisht janë zyrtarisht të pandehurit e këtij krimi”, - është shprehur Balla. Po kështu, ai deklaroi se drejtësia dhe organizata të ndryshme po vërtetojnë akuzat e opozitës kundër ish-ministrit të Transporteve Basha si dhe kundër dhëndrit të kryeministrit Berisha për shtrembërimin e projektit të Bankës Botërore në bregdetin e Jugut të vendit. “Ne ju thamë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë vjedhur 230 milionë euro dhe kështu doli. Luli është nën akuzë sepse shqiptarëve u janë vjedhur 230 milionë euro.
Ne drejtuam gishtin te Sali Berisha se ai dhe familjarë të tij po përvetësojnë dhe shesin bregdetin shqiptar. Dhe kështu doli. Paneli i Investigimit të Bankës Botërore dhe mediat amerikane denoncuan dhëndrin e Sali Berishës dhe vetë Sali Berishën për shpërdorime në projektin e studimit "Për bregdetin jugor të Shqipërisë”. Ju kërkuam të distancoheni nga miku serb i kryeministrit, sepse ai ishte i lidhur me rrjete të fëlliqura mafioze dhe antishqiptare në Serbi dhe në Bosnje, por ju e mbrojtët. Por, më pas të gjithë shqiptarët mësuan se Fazlliçi na kishte shitur energjinë, na kishte blerë Porto Romanon, madje na kishte marrë vesh edhe sekretet e sigurisë tonë kombëtare”, - është shprehur Balla.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›