E Diel, 1 Nëntor 2026

“Amnisti” për automjetet, ja kush përfiton nga falja e taksës së qarkullimit rrugor



Ervin Koçi

Qeveria ka vënë në zbatim “amnistinë” për taksat e prapambetura të papaguara në vitet e fundit nga drejtuesit e automjeteve të ndryshme, duke synuar që të mbledhë të paktën vetëm bazën e taksave pa përqindjet (kamatë vonesat) që mbarten nga kalimi i kohës. Këto ditë ka hyrë në fuqi udhëzimi për faljen e detyrimeve të prapambetura të taksës së qarkullimit vjetor për automjetet. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, nga falja e taksës së qarkullimit përfitojnë të gjithë ata drejtues, të cilët i kryejnë veprimet për automjetet brenda datës 6 prill të vitit të ardhshëm. Nga falja e taksës vjetore të qarkullimit përfitojnë dy kategori drejtuesish automjetesh. Ndërkohë rregulla të reja dhe po ashtu edhe falja është parashikuar edhe për ata që kanë bërë ndryshimin e pronësisë për automjetet pa paguar më parë detyrimet në shtet. Sipas udhëzimit të “DPTRR”-së janë përcaktuar dhe gjobat nëse çregjistrimi i automjetit dhe ndryshimi i pronësisë nuk kryhen në afatin kohor.

Kush përfiton

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor hyn në fuqi udhëzimi për faljen e detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor. Nga falja përfitojnë dy kategori drejtuesish mjetesh. Në kategorinë e parë hyjnë të gjithë drejtuesit e automjeteve, të cilët nuk kanë shlyer këto detyrime dhe që kërkojnë të qarkullojnë përsëri me mjetin e tyre. Për këtë kategori mjaftohet të paguhet vetëm taksa për vitin 2008 e në vazhdim. Ndërsa në kategorinë e dytë hyjnë të gjithë subjektet fizike ose juridike, të cilët nuk kanë kryer çregjistrimin e mjetit të dalë jashtë përdorimit dhe nuk kanë shlyer as detyrimet e taksave të prapambetura. Ndërkohë këto subjekte përfitojnë vetëm nëse veprimet për mjetin i kryejnë brenda datës 6 prill të vitit 2009. Gjithashtu, sipas njoftimit, pas kësaj date nuk do të kryhet asnjë veprim për automjetin pa u shlyer më parë detyrimet e prapambetura.

Gjobat

Drejtuesit e automjeteve brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i aktit ligjor për ndryshimin e pronësisë dhe rimorkiove duhet të bëjnë regjistrimin si dhe lëshimin e certifikatës së pronësisë. Nëse nuk respektohet ky afat, atëherë drejtuesit e automjeteve ndëshkohen me masën administrative me gjobë nga 10 mijë deri në 40 mijë lekë. Gjithashtu, cilido drejtues që qarkullon me një automjet për të cilin nuk është kërkuar brenda afatit 10-ditor azhornimi ose rinovimi i lejes së qarkullimit dhe i certifikatës së pronësisë ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë. Po sipas njoftimit, brenda 30 ditëve nga dita e heqjes së mjetit nga qarkullimi, drejtuesi i automjetit duhet të dorëzojë në zyrat e “DPSHTRR”-së certifikatën e pronësisë, targën dhe lejen e qarkullimit. Shkelja e këtij afati ndëshkohet me gjobë nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë.

Dy kategoritë e drejtuesve që përfitojnë nga falja

1. Subjektet fizike dhe juridike, të cilët nuk i kanë shlyer këto detyrime dhe që kërkojnë të qarkullojnë përsëri me mjetet e tyre. Për këtë kategori mjafton të paguhen vetëm taksat e vitit 2008 e në vazhdim.

2. Subjektet fizike e juridike, të cilët nuk kanë kryer çregjistrimin e mjeteve të dala jashtë përdorimit dhe nuk kanë shlyer detyrimet e taksave të prapambetura.

Dokumentet për çregjistrimin përfundimtar të automjeteve

1. Leja e qarkullimit të mjetit
2. Targat e mjetit
3. Certifikata e pronësisë
4. Formulari i plotësuar i autodeklarimit

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›