“Albatros”, Gazmend Dibra në “sitën” e Gjykatës së Lartë
TIRANË - Dosja e shumëpërfolur “Albatros”, për të cilën Gazmend Dibra mori pafajësi në Shkallën e Parë dhe atë të Apelit ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë. Në tabelën e shpalljeve të Gjykatës së Lartë ditën e djeshme ishte vendosur një shpallje ku thuhej se rreth orës 11:40 zhvillohet seanca gjyqësore për çështjen me numër akti 00315/08, që vjen nga qytetit i Tiranës me palë ndërgjyqësore Gazment Dibrën, për nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal, të cilat korrespondojnë me akuzat “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Burime zyrtare pranë Gjykatës së Lartë thanë se rreth mesditës së djeshme gjyqtari i kësaj gjykate Andi Çeliku i ka rehatuar kolegjit penal çështjen ndaj ish-drejtorit të Aviacionit Civil, i cili aktualisht mban detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Sipas burimeve mësohet se kolegji penal që po shqyrton këtë çështje, gjatë seancës së djeshme, ka kërkuar të njihet me ligjet që normojnë punën e drejtorit të Aviacionit Civil. Mësohet se kjo ka qenë dhe arsyeja përse seanca e radhësh është lënë të zhvillohet javën e ardhshme, kur kolegji penal që po shqyrton çështjen pritet të japë dhe vendimin përfundimtar ndaj Gazment Dibrës, i cili ka arritur të marrë pafajësi nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Çështja për të cilën akuzohet Dibra i referohet kohës kur ky person mbante detyrën e kreut të Aviacionit Civil. Me anë të detyrës dyshohet se Dibra u ka bërë presion pronarëve të një shoqërie fluturimi, të cilët ishin dhe nipat e ish-presidentit të vendit Alfred Moisiu që të ndikonin te ky i fundit, i cili duhet të firmoste shkarkimin e kryeprokurorit të kohës, Theodhori Sollaku. Kjo kërkesë e Dibrës, sipas një bisede të përgjuar, e cila u publikua në media, vinte menjëherë pas bllokimit të punës së kësaj kompanie fluturimesh. Në këmbim të rifillimit të fluturimeve, ish-drejtori i Aviacionit Civil, sipas Prokurorisë, ka kërkuar shkarkimin e Sollakut nga Moisiu.
11 Dhjetor 2008