Punësimi në Itali, kushtet e reja për hyrjen dhe qëndrimin e punëtorëve të huaj
Jonida Tashi
Nënshkruhet marrëveshja për punësimin të rregullt të emigrantëve shqiptarë në Itali. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugën punësimit të mjaft shtetasve shqiptarë, të cilët enden çdo ditë në sportelet e punësimit për të emigruar jashtë vendit për punë. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Shqipërisë dhe Ministria e Solidaritetit Social të Italisë kanë nënshkruar në Tiranë marrëveshjen për punësimin e rregullt të shqiptarëve në Itali. Lajmi u konfirmohet nga ministri i Punës, Anastas Duro. Sipas këtij të fundit, kjo marrëveshje do të bëjë të mundur përzgjedhjen e punëtorëve shqiptarë sipas kërkesave të tregut italian të punës për fuqi punëtore të huaj dhe bërjen të disponueshme të tyre pranë punëdhënësve në Itali, nëpërmjet autoriteteve italiane.
Marrëveshja
Marrëveshja, shpjegoi Duro, synon rregullimin dhe organizimin e flukseve të punonjësve ndërmjet dy vendeve, si dhe lehtësimin e rekrutimit të shtetasve shqiptare në tregun e brendshëm italian të punës, në rast mungese të krahut vendas të punës. Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Duro deklaroi se marrëveshja e nënshkruar me Italinë përbën një nga përpjekjet e qeverisë shqiptare. Duke qenë se mbrojtja e shtetaseve që banojnë jashtë kufijve është një detyrim kushtetues, Duro tha se në programin e qeverisë është përcaktuar rritja e kujdesit shtetëror për emigrantët shqiptarë, duke i dhënë prioritet jo vetëm instalimit të tyre në tregun e punës dhe shoqëritë e vendeve pritëse, por edhe nxitjen e kthimit vullnetar të emigrantëve të suksesshëm. Sipas tij, një garanci për mbrojtjen e këtyre të drejtave është krijimi i mundësive për emigrim të rregullt për punësim. Gjithashtu, Duro bëri të ditur se në kontekstin e krijimit të mundësive për emigrim të rregullt është punuar në drejtim të marrëveshjeve të punësimit, duke krijuar kështu mundësinë e rritjes së kontakteve ndërmjet punëdhënësve në vendet pritëse dhe punëkërkuesve shqiptarë që duan të shkojnë në këto vende. Drejtoria e Emigracionit, Rikthimit dhe Riintegrimit, po vazhdon fushatën e parë të informimit për të drejtat e emigrantëve, e cila do të përfshijë informimin e shtetasve shqiptarë në dy vendet fqinje, Itali dhe Greqi, si dhe shumë institucione shqiptare dhe shoqata të emigrantëve në këto vende.
Kushtet e hyrjes
Për të punuar në Itali duhet të ndiqen hapat e mëposhtëm: së pari duhet të merret dokumenti origjinal i lejes së punës lëshuar nga zyra vendore e Ministrisë së Punës (Ufficio Provinciale del Lavoro), vulosur nga autoritetet policore. Leja merret nga punëdhënësi në Itali. Më pas duhet të merret viza e punës pranë Konsullatës Italiane në vendin tuaj të qëndrimit. E nevojshme është të merret leja e qëndrimit për punë menjëherë pas mbërritjes në Itali.
Viza për Punë. Dokumentet e domosdoshme që nevojiten për të aplikuar janë: pasaportë e vlefshme për të paktën 3 muaj pas përfundimit të periudhës për të cilën kërkohet viza; një fotografi e kohëve të fundit; formular për vizë, i plotësuar me germa kapitale dhe i nënshkruar nga aplikanti; kopje të dy faqeve të para të pasaportës; dokumenti origjinal i lejes së punës lëshuar jo më vonë se 6 muaj nga zyra vendore e Ministrisë së Punës (Ufficio Provinciale del Lavoro), vulosur nga autoritetet policore (Questura) – Certifikatë (Nulla Osta). Leja e Qëndrimit për Punë lëshohet mbi bazën e kontratës së qëndrimit për punë. Kohëzgjatja e lejes përputhet me atë që përcaktohet në kontratën e qëndrimit për punë. Ajo nuk mund të jetë më shumë se një vit për kontrata me periudhë fikse. Për të qenë e vlefshme, kontrata e punës ndërmjet një shtetasi italian dhe një shtetasi të një vendi të tretë duhet të përfshijë: garancinë nga punëdhënësi për mundësinë e një ambienti të përshtatshëm banimi; angazhimin e punëdhënësit për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit të kthimit të punonjësit. Kontrata e punës nënshkruhet te Zyra e Imigracionit (Sportello Unico per I’immigrazione), që mbulon provincën ku banon punëdhënësi ose ku zhvillohet aktiviteti i punësimit. Brenda tetë ditësh nga hyrja, shtetasi i vendit të tretë duhet të paraqitet pranë Zyrës së Imigracionit që ka lëshuar autorizimin dhe të nënshkruajë kontratën e qëndrimit, e cila do të lihet aty. Pasi shtetasi i vendit të tretë merr lejen e qëndrimit për punësim, ai/ajo duhet legalizojë pozicionin e tij/saj në
Institutin Kombëtar për Sigurimin Shoqëror dhe Institutin Kombëtar për Sigurimin në rastet e Aksidenteve në Punë.
Viza për vetëpunësim
Kjo lloj vize u mundëson hyrjen në Itali shtetasit të huaj që ka si qëllim të zhvillojë një aktivitet vetë-punësimi periodik dhe që ka siguruar autorizimet e nevojshme.
Dokumentet e domosdoshme që nevojiten për të aplikuar: pasaportë e vlefshme për të paktën 3 muaj pas përfundimit të periudhës për të cilën kërkohet viza; një fotografi e kohëve të fundit; formular për vizë i plotësuar me germa kapitale dhe i nënshkruar nga aplikanti; kopje të dy faqeve të para të pasaportës; certifikatë (Nulla Osta) lëshuar nga organet përkatëse italiane (Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Artizanatit apo shoqatat profesionale, të një date jo përpara 3 muajve, që përcakton se nuk ka asnjë pengesë për të lëshuar autorizimin apo licencën e nevojshme për të zhvilluar aktivitetin në Itali dhe, sipas nevojës, tregues të parametrave financiarë për të filluar një tregti apo profesion, si dhe një certifikatë që tregon mbështetjen e nevojshme financiare për fillimin e tregtisë; dokumentacion për banim; certifikatë (Nulla Osta) lëshuar nga autoritetet vendore policore (Questura); dokumentacion si provë e të ardhurave vjetore në përputhje me kërkesat e legjislacionit (si më sipër shuma minimale e nevojshme e parashikuar në ligj për përjashtimin nga kontributi shëndetësor), e cila aktualisht është 8260 euro (në vit).
11 Dhjetor 2008