Kriza globale, qeveria apel biznesit që t’i paraprijë riskut
Qeveria i ka bërë thirrje biznesit që në këtë periudhë të krizës ekonomike globale të mos veprojë në mënyrë instinktive, por të hartojë platforma dhe studime për të njohur shkallën e riskut dhe për t’u mbrojtur ndaj tij. Deklaratat u bënë dje nga ministrat e Financës dhe Ekonomisë, përkatësisht Ridvan Bode dhe Genc Ruli, gjatë një mbledhjeje që zhvilloi Asambleja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, studimet duhen bërë duke iu referuar vendeve të ngjashme me Shqipërinë, të cilat po vuajnë tashmë pasojat e krizës. “Jetojmë nën periudha të mjegullta të zhvillimit të ekonomisë globale, në pakte sërish të mjegullta ndaj dhe bizneset duhet të fillojnë të bëjnë disa investigime për të parë se ku ekspozohen ndaj këtyre rrisqeve të pritshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë. Gjithashtu duhen parë edhe eksperiencat e vendeve të ngjashme me ne nga struktura ekonomike dhe nga shkalla e rreziqeve të ekspozimit ndaj krizës ekonomike globale”, - deklaroi ministri Ruli. Kriza ekonomike globale është komentuar edhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Ai ka deklaruar se pasojat e saj nuk do t’i vuajnë bizneset, por qytetarët. “Niveli i konsumit në Shqipëri do të ketë luhatje të vogla, por nuk do të bjerë për të dëmtuar aktivitetet prodhuese. Ne si qeveri dhe ju duhet të dimë se kriza nuk vjen për ju, por për blerësin ndaj dhe ne duhet ta mbështesim dhe inkurajojmë atë me të gjitha metodat. T’i krijojmë atij siguri dhe jo panik”, - tha ministri Bode. Më tej, ai përmendi shembullin e bankave që kanë reaguar pozitivisht në këtë situatë krize botërore duke shpejtuar në marrjen e masave.
Rehabilitimi i 101 km rrugëve dytësore, “OPEC” jep 15 milionë dollarë
Rreth 101.2 km rrugë dytësore, në 10 prej 12 qarqeve të vendit, do të rehabilitohen përmes një kredie prej 15 milionë dollarësh nga fondi i “OPEC”-ut. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Fondit të ‘OPEC’-ut për zhvillim ndërkombëtar (OFID) për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore" u miratua dje nga Komisioni i Ekonomisë. Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillim. Ky synim përfshihet në objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, 2007-2013. Projekti parashikon financimin e nënprojekteve për të rehabilituar dhe rindërtuar seksionet e përzgjedhura si parësore të rrjetit të rrugëve dytësore e vendore, përfshirë këtu dhe sigurimin e infrastrukturës së sigurisë rrugore. Nëpërmjet kredisë prej 15 milionë dollarësh pritet të përmirësohet situata e rrugëve dytësore në rajonet e Vlorës, Tiranës, Korçës, Dibrës, Lezhës, Kukësit, Fierit, Beratit, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, tha se zbatuesja e këtij projekti ka një përvojë të gjatë në zbatimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore pasi që nga viti 1993 ka zbatuar 6 projekte të tilla.
11 Dhjetor 2008