E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimi që do të marrin pensionistët dhe administrata për festat

Pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim, kurse buxhetorët nga 10 mijë deri në një pagë. Berisha respekton traditën duke zbutur zemrën për punonjësit me paga të ulëta

Jonida Tashi

Miratohet shpërblimi që do të marrë mosha e tretë dhe punonjësit e administratës me rastin e festave të fundvitit. Qeveria ka vendosur që t’u japë të gjitha kategorive të pensionistëve, në qytet dhe fshat, shpërblimin e fundvitit prej 5 mijë lekësh. Ndërsa shpërblimi që do të përfitojnë punonjësit buxhetorë do të variojë nga 10 mijë deri në një pagë. Në këtë fundvit më me fat pritet që të jenë punonjësit e administratës me paga të ulëta, pasi shpërblimi për këta punonjës do të jetë sa dyfishi i pagës së tyre. Kryeministri Berisha ka pohuar se qeveria që ai drejton këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta. Kështu, nëse nga miradministrimi kanë tepruar para në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta, limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë. Me këtë vendim Berisha ka “thyer” rregullin e vitit të kaluar, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë. Sipas kryeministrit të vendit, në radhë të parë me pagë të veçantë do të shpërblehen punonjësit që janë më në nevojë, me paga të ulëta dhe ata që kanë më shumë fëmijë.
Përfituesit
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duke e cilësuar këtë vendim “kartolinën e qeverisë për festat e fundvitit”, bëri të ditur dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se nga ky vendim përfitojnë rreth 800 mijë familje shqiptare, punonjës të administratës, të institucioneve publike dhe pensionistëve të të gjitha kategorive, në qytet dhe fshat. “Ne e ndërmarrim këtë akt tradicional për këtë qeveri si një vullnet të qeverisë për t’u uruar Vitin e Ri qytetarëve të vendit jo vetëm me fjalë, por edhe me një shpërblim në fund të vitit, me të cilin bëhet i paqenë inflacioni, që ishte në nivelet më të ulëta prej 2.6 përqindësh. Në këtë mënyrë ata lehtësohen dhe kursimet e tyre nuk preken shumë për të festuar Vitin e Ri”, - u shpreh kreu i qeverisë. Gjithashtu, kryeministri i vendit theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë nuk do të përfshihet në rritjen e njoftuar të pensioneve më 1 maj. Për këtë kryeministri ka pohuar: “Pensionistët, në mbarë vendin, do të marrin një shumë prej 5 mijë lekësh, kudo ku ndodhen dhe të të gjitha kategorive. Kjo shumë nuk llogaritet në rritjen e premtuar të pensioneve”. Sipas tij, rritja e pensioneve në datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet. Berisha ka siguruar 520 mijë pensionistëve se lekët për rritjen e pensioneve vitin e ardhshëm ekzistojnë dhe pensionet, më 1 maj, për 170 mijë pensionistë në fshat do të kapin dyfishimin e tyre dhe për 260 mijë pensionistë në qytet pensionet rriten nga 40 deri në 70 për qind në 4 vjet.
Shpërndarja
Shpërndarja e shpërblimit për pensionistët do të realizohet sipas listës së emrave dhe urdhër-pagesave që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Mendohet që ky shpërblim të shpërndahet në 10-ditshin e fundit të muajit dhjetor, me qëllim që të gjithë pensionistët ta marrin shpërblimin para natës së ndërrimit të viteve. Për të evituar problemet në shpërndarjen e pensioneve, si dhe në përfundimin e dhënies së shpërblimit të fundvitit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të hartojë një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij. Grafiku parashikon shpërndarjen e shpërblimit deri më 29 dhjetor, duke kombinuar për çdo ditë marrjen e këstit mujor nga ata që kanë datën e zakonshme të tërheqjes së pensionit me dy data të mëparshme që e kanë tërhequr pensionin dhe që pas orës 13:30 do të përfitojnë vetëm shpërblimin. Sipas këtij grafiku, pensionistët do ta marrin shpërblimin në datën e caktuar kur marrin edhe pensionin. Ndërsa pas orës 13:00 do të jepet pensioni për ata pensionistë që u ka kaluar data e pensionit. Pensionistët që nuk do arrijnë ta marrin shpërblimin para festave të fundvitit, do ta marrin atë në janar të vitit 2009, kur të kenë datën e marrjes së pensionit. Ky është viti i tretë radhazi që pensionistët marrin shpërblim për festat e fundvitit. Në vitin 2007 masa e shpërblimit ishte 5 mijë lekë, në 2006-n masa e shpërblimit ishte po 5 mijë. Ndërsa në vitin 2004, gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Fatos Nano, pensionistët kanë marrë 3500 lekë shpërblim, me rastin e festave të fundvitit.
Administrata
Dhënia e shpërblimeve për punonjësit e administratës publike bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Rrjedhimisht, personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore ose kalojnë në listë pritjeje, marrin shpërblim. Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i Përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar. Ministria e Financave po përgatit udhëzimin konkret që përcakton mënyrat dhe format e shpërblimit për punonjësit e administratës. Njëkohësisht është përcaktuar edhe një fond i veçantë për shpërblimet. Ndërsa qeveria ka përcaktuar edhe kriteret se kur mund të përfitohet një shpërblim, i cili në rastin më ideal është kur punon në bazë të parashikimeve. Shpërblimi që mund të përfitohet nga të gjithë është një pagë shtesë mujore në bazë të rezultateve, por që e vendos titullari dhe për këtë kërkohet një marrëdhënie ideale me shefin e zyrës. Udhëzimi i Ministrisë përmban detajet se kush punonjës administrate mund të përfitojë një shpërblim shtesë. Ministria ka përcaktuar se punonjësit me kontratë mund të përfitojnë shpërblime të zgjeruara, por njëkohësisht edhe punonjësit në listë pritjeje. Në listën e përcaktuar nga Ministria, shpërblim mund të përfitojnë edhe ushtarakët në reformë, punonjësit arsimorë në dispozicion, si dhe do të ketë pagesa për bashkëshortët e ushtarakëve. Lista përmban shpërblime edhe për studentët ushtarakë dhe punonjësit me kontratë të përkohshme.

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›