E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, Koçiut i ulen 6 muaj burg

TIRANE - Sokol Koçiu, ish-oficeri i Policisë Gjyqësore, i dënuar në procesin "Kokaina" ka fituar 6 muaj ulje nga dënimi. 

Kjo pasi Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për amnistimin e akuzës "falsifikim pasaportash", në bazë të ligjit "Për amnistinë" të fillimvitit të kaluar. Koçiu është dënuar me 12 vjet burg pasi togat e zeza e gjetën fajtor për përfshirjen në organizatën kriminale, që drejtohej nga Frederik Durda. Deri më tani ai ka kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe i kanë mbetur për të vuajtur afërsisht edhe dy vite të tjerë burg. Aktualisht, Koçiu ndodhet në burgun e Vaqarit ku po vuan pjesën e mbetur të dënimit, ndërkohë që pjesën më të madhe të dënimit e ka kaluar në qelitë e burgut të Peqinit. Për shkak të sjelljes së mirë në qeli gjykata, i pranoi atij pak muaj më parë ndryshimin e sigurisë së burgut, duke e kaluar në një më të ulët dhe pas kësaj atij i lindi e drejta për t'u transferuar në një burg të sigurisë së zakonshme pranë Tiranës, ku banon familja e tij. Ndërkohë, juristët e institucioneve të vuajtjes së dënimit në Peqin dhe Vaqar nuk kishin pranuar të aplikonin uljen e dënimit për shkak të amnistisë.                                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›