E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentat vëllait të policit në sy të fëmijës

Një atentat me kallash merr jetën e një 50-vjeçari në Vlorë, ndërsa i shpëton mrekullisht breshërisë i biri 12 vjeç që ndodhej me të. 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

 Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së mërkurës, në fshatin Mesaplik të Vlorës. Mit'hat Sulçe u vra nga persona ende të paidentifikuar, të cilët sipas hetimeve të deritanishme, i kishin zënë pritë. Polici tha se, dyshohet se ngjarja të ketë si motiv pronësinë. Sulçe kishte pasur konflikte me një të afërm në fshatin e tij, i cili madje e kishte kërcënuar me jetë. Por nga hetimet paraprake rezulton se ky person, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ndodhet në Greqi. Viktima është qëlluar në momentin kur sapo kishte dalë nga baxhoja, ku po punonte bashkë me të birin dhe ishte nisur për në shtëpi. Por sapo ka dalë përjashta, atentatori (dyshohet se ai nuk ka qenë i vetëm) ka qëlluar me breshëri, duke e lënë të vdekur në vend. Policia bëri të ditur se 50-vjeçari është vrarë me dy plumba. Për fat të mirë, djali që ishte bashkë me të shpëtoi pa asnjë plagë. I tmerruar, ai është munduar t'i japë ndihmë të atit, por kishte ndërruar jetë në vend. Sipas burimeve të policisë, autorët, ende të paidentifikuar kanë zënë pritë para godinës së baxhos dhe kanë pritur momentin kur Sulçe të dilte për të shkuar në shtëpi. Dyshohet se vrasësit i dinin shumë mirë të gjitha lëvizjet e mundshme të viktimës, si dhe orarin kur ai do të dilte për t'u kthyer në shtëpi. Pas vrasjes, autorët janë larguar pa i parë askush, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin. Autorët janë larguar kur kanë parë të shtrirë viktimën, por nuk kanë bërë asnjë tentativë për të qëlluar ndaj djalit të tij. Djali ka njoftuar të afërmit e tij, të cilët sinjalizuan më pas sallën operative të policisë Vlorë për ngjarjen. Në vendngjarje mbërritën forca të shumta të policisë, të cilët ngritën shumë postblloqe në disa akse që lidhen me fshatin Mesaplik.
Sipas policisë, arma e përdorur ishte automatik kallashnikov. Ende nuk ka një pistë të vetme hetimi. Por burime të policisë bënë të ditur se ka dyshime për vrasje për probleme pronësie. Viktima ka pasur më parë një konflikt pronësie, e madje ishte kërcënuar. Por personi që e ka kërcënuar ndodhet në Greqi. Megjithatë, nuk përjashtohet pista në të cilën dyshohet se autori të ketë ardhur nga Greqia, dhe pasi ka kryer krimin është larguar sërish. Nuk përjashtohen as pista të tjera që kanë të bëjnë me ndonjë mosmarrëveshje apo hakmarrje të vjetër. Mit'hat Sulçe mësohet se është vëllai i një punonjësi të policisë në komisariatin e Vlorës. Megjithëkëtë, policia mohoi që ngjarja të ketë ndonjë lidhje me detyrën e vëllait së të vrarit. Policia ka marrë në pyetje disa persona, banorë të fshatit si dhe të fshatrave përreth këtij fshati, por më pas janë lënë të lirë.  

Zbardhet krimi, endacakun e vrau 17-vjeçari

ELBASAN - Pas 10 ditësh nga vrasja misterioze e një 60-vjeçari pranë stacionit të trenit në Peqin, policia vendase zbardh emrin e të dyshuarit kryesor. Një adoleshent, banor i qytetit akuzohet për vrasje me dashje të endacakut ende të paidentifikuar. E.Sh., është shpallur në kërkim, ndërsa po punohet për të gjetur bashkëpunëtorët e tij. Nga të dhënat e policisë së Elbasanit, dyshohet se vrasja e 60-vjeçarit është kryer në kuadër të një loje mes 17-vjeçarësh. Me një armë në dorë ata kanë vënë në shënjestër burrin e pastrehë dhe e kanë qëlluar nga larg. Një plumb i vetëm nga pas shpine i ka depërtuar atij deri në kraharor, duke e lënë të gjakosur. Në këtë gjendje u gjet rreth mesnatës nga kalimtarë të rastit, të cilët e transportuan me shpejtësi për në urgjencën e spitalit, por disa orë më vonë hemorragjia i mori jetën. Prej asaj dite askush nuk u interesua për viktimën, ndonëse trupi i pajetë u vendos në morgun e spitalit, duke bërë që policia të konkludojë se bëhet fjalë për një endacak.  a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›