E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen akuzat, pezullohet Kuvendi

Socialistët dhe demokratët i rikthehen përplasjeve dhe akuzave pas një pauze të gjatë qetësie në seancat parlamentare. 

BLEDAR HOTI

 Socialistët kanë nisur seancën e djeshme parlamentare me akuza të ashpra ndaj Kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar në lidhje me pronat në bregdet. Akuzat e ashpra kanë ardhur nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, i cili ka theksuar se Kryeministri ka prona, nëpërmjet vajzës së tij në bregdet, në gjirin e Lalzit. Braçe nxori edhe deklaratat e pasurisë së paraqitur nga ana e bijës së Berishës, Argita Malltezi ku pasqyrohej prona në bregdet. "Kryeministrin nuk e kam akuzuar se ka metër katror në bregdet, do ta bëj tani në gojën e Argita Malltezit, të vajzës së tij, e cila deklaron se ka 166 m2 ndërtim në gjirin e Lalzit, në gojën e kunatit të tij shumë të pastër që deklaron se ka 98 m2 po prapë në gjirin e Lalzit", deklaroi Braçe. Edhe pse gjatë diskutimit të socialistit Braçe, Berisha nuk ishte prezent, Kryeministri ka nisur të flasë për ftesën në NATO, ndërsa nuk ka lënë pa iu përgjigjur edhe akuzave të ngritura nga ana e opozitës. "Kjo është fabrika e mashtrimit të politikës së re, akuzohem se kam bërë prona në jug unë s'kam një metër katror tokë përveçse në Tropojë dhe në asnjë vend tjetër të Shqipërisë, edhe atë ia fal fshatarëve të mi", iu kundërpërgjigj Berisha. Ndërsa kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj i kërkoi kryeministrit, që të mos e privatizojë nënshkrimin e Protokollit dhe se reformat e kërkuara janë bllokuar prej kohësh.
"Më vjen keq zonjë, që bëheni pjesë e kuzhinës së shpifjeve dhe trillimeve të politikës së re", iu drejtua Berisha, Leskajt. Pas fjalimit të mbajtur, Berisha është larguar duke i përshëndetur me dorë dhe ironi socialistët. Ndërsa Braçe ka tentuar të replikojë me qëndrimin e mbajtur nga Berisha, por drejtuesi i seancës Fatos Beja ka ndërprerë seancën, duke kërkuar dhjetë minuta pushim. Pas kësaj pauze, Braçe ka qëndruar në foltore për të marrë fjalën, por kur Beja i ka dhënë të drejtë socialistit, ai ka nisur të diskutojë kundër kryeministrit dhe kjo solli përsëri ndërprerjen e seancës së parlamentit. Nënkryetari i komisionit tentoi përsëri të vazhdonte seancën me raportimin e kryeprokurores Ina Rama, por Braçe ka kërkuar përsëri fjalën. Në këto kushte, Beja ka ndërprerë seancën e Kuvendit, duke e shtyrë për të hënën ballafaqimin me krye-prokuroren Ina Rama.

PS, Kodheli: Berisha s'ia heq meritën Majkos
"Kryeministri nuk i heq dot Pandeli Majkos meritën e ideatorit dhe filluesit të punimeve për rrugën Durrës - Kukës, e cila ka qenë dhe është për ne socialistët, një arterie jetike për kombin shqiptar". Kështu reagoi dje zëdhënësja e Kryesisë socialiste, Mimi Kodheli në lidhje me rrugën Durrës-Kukës. Ai theksoi se nuk pajtohet me akuzat e Berishës për grabitjen e fondet të kësaj rruge nga socialistët.

Batutat në Parlament

Valentina Leskaj:Reformat janë bllokuar, derisa Parlamenti është bllokuar. Keni tetë interpelanca, që nuk jeni përgjigjur në seancë. Që kjo opozitë nuk do të pranojë të bëhet koperturë as në sallën e Parlamentit dhe as jashtë tij, për sa kohë që ju dhunoni fjalën e lirë, për sa kohë që ju shpërfillni kërkesat e opozitës.
Nëse ju e keni seriozisht çështjen e reformave, nëse ju dje nuk keni gënjyer në Bruksel për reformat, atëherë ju duhet të reflektoni.
Berisha: E nderuara zonjë, më vjen keq për fjalimet që mbani. Mos u bëj zëdhënëse e shpifjes dhe trillimeve. Unë nuk mund të bie në merimangat e trillimeve dhe shpifjeve dhe mashtrimeve të përditshme që gatuan kuzhina e politikës së re, më lër rehat me të, se më atë nuk kam punë. Akuzohem se i paskam dhënë rërë, por këto janë çmendurira mor, por kujt i dhashë rërë, që s'më ka kërkuar njeri rërë që kur jam bërë kryeministër unë apo jo? Kjo është fabrika e mashtrimit të politikës së re, akuzohem se kam bërë prona në jug unë s'kam një metër katror tokë përveçse në Tropojë dhe në asnjë vend tjetër të Shqipërisë, edhe atë ia fal fshatarëve të mi. Ju jeni inkoherentë, jeni kundër ligjit të dosjeve, ky burrë (Majko) ka paraqit ligjin e dosjeve tani thoni se është antikushtetues. Kujt ia thoni mua, jo ia thoni atij se ka qenë kryetar grupi i PS-së. Prandaj e hoqët ju se ishte për rrugën Durrës-Kukës.
Erjon Braçe: Berisha, kryeministrin nuk e kam akuzuar se ka metra katrore në bregdet, do ta bëj tani në gojën e Argita Malltezit, të vajzës së tij, e cila deklaron se ka 166 m2 ndërtim në Gjirin e Lalzit, në gojën e kunatit të tij shumë të pastër që deklaron se ka 98 m2 po prapë në Gjirin e Lalzit. Unë e akuzova kryeministrin për konfliktin e interesave, që kryeministri përdor qeverinë e tij për të përmbushur interesat e tij personale të familjes së tij biologjike dhe prova është kjo Gjiri i Jalës, në të cilin kryeministri ynë i nderuar dërgoi fadromat e policisë për të shkatërruar ndërtimet që ishin bërë atje, dhe kjo në favor të një projekti që nuk ka marrë leje, por që deklarohet në faqen zyrtare të një kompanie që është partnere me vajzën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›