E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia do përfshijë apartamentet pa hipotekë

Ndërtuesit kërkojnë amnisti për apartamentet që nuk janë pajisur me hipotekë këto 20 vite tranzicion. Ministri Bode ka pranuar sugjerimin e ndërtuesve, duke u kërkuar atyre që ta formulojnë në letër. Nënkryetari i shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, i ka kërkuar financave që, në kuadrin e një amnistie gjithëpërfshirëse, të merret parasysh edhe falja e mijëra apartamenteve që janë pa hipotekë në këto 20 vite tranzicion. Sugjerimi i Kikës erdhi dje në një tryezë të organizuar për çështjen e Amnistisë Fiskale, me pjesëmarrës grupet e interesit, ministra të kabinetit qeveritar, akademikë, shoqata dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. Kika, duke iu drejtuar ministrit të Financave, Ridvan Bode, ka kërkuar prej tij që në draftin përfundimtar përsa i përket amnistisë fiskale, të përfshihet edhe falja e apartamenteve që ndërtuesit nuk kanë mundur t’i hipotekojnë kur ua kanë shitur qytetarëve, për shkak të burokracive të ndryshme apo pengesave fiskale. Në këtë mënyrë, mijëra qytetarë, të cilët deri tani i kanë patur apartamentet e tyre pa hipotekë, do të bëhen pronarë shumë shpejt të banesave të tyre. Kjo do të ndodhë kur të hyjë në fuqi ligji për amnistinë fiskale. Ministri Bode pranoi sugjerimin e shoqatës së Ndërtuesve, duke i kërkuar Kikës që biznesi i ndërtimit të formulojë propozimin dhe ta paraqesin në qeveri, që të marrë formën për t’u zgjidhur. “Siç e shikoni, falja nuk parashikohet të bëhet vetëm për një kategori të caktuar, por ajo pritet të jetë gjithëpërfshirëse, sa më relaksuese dhe e gjerë”- u shpreh ministri Bode. Qeveria ka deklaruar se, nëse nuk do të marrë mbështetjen e opozitës, do e reduktojë procesin në një falje të detyrimeve të njohura të prapambetura, që biznesi dhe individët kanë në shtet, ku hapi i parë duket se është ai i faljes së borxheve në KESH. Por jo zyrtarisht, burime nga financat thonë se po shikohen edhe disa opsione për të përfshirë në falje edhe elementë të amnistisë, për të cilit ligji lë hapësirë miratimi pa shumicë, edhe pse ende nuk është e qartë se cilat janë ato

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›