E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Politika jashtë amnistisë, masa të rrepta pas faljes

SHKRUAN: Blerina Hoxha 19-03-2011 10:45

Para se të ketë një draft final për një amnisti të mundshme fiskale, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka marrë opinionet e komunitetit të biznesit. Varianti i shpallur nga Ministria e Financave për këtë proces ka në themel të tij përjashtimin nga amnistia e zyrtarëve të lartë polikë dhe bizneseve që janë të lidhura me krimin. Bode tha në emër të qeverisë se ky proces duhet të mbyllet deri në fund të vitit, por më pas do të shtohen sanksionet dhe penalitetet ndaj bizneseve që i shmangen detyrimeve. “Në asnjë rast, nga kjo nismë nuk duhet të përfitojnë personat dhe kapitali që janë brenda fushës së veprimit të ligjit ‘Antimafia’ ose objekt i Konventës për Pastrimin, Kërkimin, Ngrirjen dhe Sekuestrimin e Aseteve nga Krimi, e datës 8 Nëntor 1990. Gjithashtu, nuk duhen përfshirë pasuritë e personave që kanë pasur një pozicion zyrtar dhe kanë pasur detyrimin për deklarimin e pasurisë sipas ligjit”, saktësoi dje ministri Bode në lidhje me kategoritë që parashikohet të përfitojnë nga amnistia fiskale. Mirëpo ky version i ministrit është kundërshtuar nga ekspertët në tryezë, sipas të cilëve nuk duhet të paragjykohen zyrtarët e lartë, për shkak se ata mund ta kenë krijuar pasurinë e tyre para se të ishin zyrtarë të lartë ose mund ta kenë krijuar edhe më pas. Në Shqipëri nuk është realizuar asnjëherë një amnisti fiskale e plotë, por ka pasur iniciativa faljeje të detyrimeve, por jo amnisti në kuptimin, përmasat e gjatësinë që ajo ka. “Në kushtet kur të gjitha organizatat e biznesit e kërkojnë me shumë insistim, si një mundësi për të vendosur biznesin vendas në të njëjtin standard me atë të vendeve fqinjë të tilla si Greqia, Italia etj.” tha ministri Bode. Ai tha se vendi, edhe pse ka kaluar nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi tregu dhe ka kaluar ngjarje të shumta që kanë treguar pamundësi dhe dobësinë e shtetit në raport me implementimin e ligjit për të tilla si, viti 1997, të cilat nuk i kanë shërbyer forcimit të kulturës tatimpaguese të individit, përsëri nuk ka pasur amnisti fiskale. Nga ana tjetër, Ministria e Financave ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave nga puna e ndershme e emigrantëve është transmetuar në vend, jashtë kanaleve formale të ekonomisë. Nga ana tjetër, aftësia shtrënguese e organeve tatimore dhe lufta ndaj evazionit fiskal e informalitetit është rritur ndjeshëm. Si rrjedhojë bizneset, për shkak të rritjes së tyre në treg, kërkojnë me forcë formalizimin dhe prerjen e lidhjeve me një të kaluar ku, për shkak dhe të mungesës së kontrollit të organeve shtetërore, kanë pasur parregullsi në aktivitetin e tyre tregtar. Gjithashtu, biznesi pret që kjo amnisti të jetë pa pagesë apo kundrejt një pagese simbolike në buxhetin e shtetit, duke qenë se fondet që çlirohen do të sjellin një impakt të madh pozitiv në këtë buxhet dhe ekonominë në tërësi. Gjithashtu, përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve janë shprehur se presin që të përfshihet në këtë iniciative mundësia e regjistrimit të pallateve të përfunduara tashmë prej kohësh dhe që për arsye të mosmarrjes së lejes së shfrytëzimit nga bashkia, nuk regjistrohen dot në ZQRPP. Por Ministria e Financave, iniciatore në këtë nismë, ka përcjellur shqetësimin se një amnisti e tillë do të godiste në mënyrë të pandershme bizneset që kanë qenë të rregullta në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, si dhe do të godiste besimin te forca mbledhëse e këtyre detyrimeve, duke favorizuar kështu pritshmëritë për falje të tjera dhe tendencë për të fshehur detyrimet tatimore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›