Gjergji: Taksë zero për amnistinë fiskale
Drejtori ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike ka propozuar në tryezën që u organizua dje për Amnistinë Fiskale taksë zero për të gjithë ata që do të përfitojnë nga ky proces. Sipas tij, koncepti i faljes nuk do të kishte kuptim që të parashikonte dhe një taksë, por, pas kryerjes së kësaj amnistie, duhet të shtrëngohen penalitetet. Ai propozoi gjithashtu që ky proces duhet të ketë patjetër konsensusin politik dhe nuk mund të kryhet pa miratimin e opozitës. Amnistia fiskale, sipas Gjergjit, duhet ët jetë e plotë dhe pa paragjykime, ku të përfshihen bizneset, individët dhe të gjithë ata që bëjnë pjesë në ekonominë gri, duke përjashtuar paratë e ardhura nga krimi. Ai kërkoi gjithashtu krijimin e një task-force prej katër grupesh; në grupin e parë biznesi dhe akademikët për studimin e tregut, në grupin e dytë Ministria e Financave dhe administrata tatimore, hipoteka, legalizimet; në grupin e tretë Ministria e Drejtësisë dhe studiot ligjore më të mira në vend; dhe në grupin e katërt Drejtoria e pastrimit të parave dhe Banka e Shqipërisë. Sipas Gjergjit, afati optimal për fillimin e aplikimit dhe kryerjen e këtij procesi është gjashtë muaj.