E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Deficiti rekord, rrezikohet ekonomia

Drejtori për Europën i FMN, Michael Deppler deklaroi se deficiti korrent kaloi gjithë parashikimet

Niveli rekord në 11% i llogarisë korrente vlerësohet si kërcënim serioz për ekonominë shqiptare

Deficitet e mëdha që vendi ka me jashtë vlerësohen nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar si një kërcënim prezent që mund të sjellë në të ardhmen ulje të ndjeshme në rritjen ekonomike, inflacion të lartë dhe luhatje të ndjeshme në kursin e këmbimit. Inflacioni i lartë në vend tashmë është një nga treguesit e krizës financiare që ka dhënë ndikimet e saj të para. Por Drejtori i Departamentit Europian të FMN-së, Michael Deppler, bën të ditur se analiza e FMN-së sugjeron se shumë deficite të llogarive korrente, sidomos në Balltik dhe në vendet e Europës Juglindore, janë tashmë mbi nivelet e justifikueshme nga supozimet bazë. "Në këto raste ka rrezik të axhustimeve të papritura: nivelet e larta të borxhit të jashtëm janë të ndjeshme ndaj lëvizjeve në kursin e këmbimit dhe të normave të interesit, luhatjes së rritjes ekonomike, si dhe ndryshimeve në interesin e investitorëve për tregjet në zhvillim", - bën të ditur Deppler. Shqipëria është në nga vendet që për vitin 2007 shënoi një rekord në nivelin e deficitit të llogarisë korrente, ndërsa rritje të mëtejshme priten në vitin 2008. Sipas analizave të bëra nga ana e FMN-së, niveli prej 11 për qind i deficitit korrent ka kaluar të gjitha parashikimet. Për vendet e zhvilluara nivele deri në 5 për qind të deficitit korrent vlerësohen si maksimale, ndërsa për vendet në zhvillim, ku futet edhe Shqipëria ky tregues duhet të ketë një nivel tavan deri në 8 për qind. Deficiti korrent regjistroi një vlerë prej 878 milionë euro, ose 11 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, duke thyer të gjitha parashikimet. Pavarësisht se për vitin 2008 Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar një rritje ekonomike për Shqipërinë në 6% dhe një inflacion që do të jetë në nivelin e 4%, raporti i fundit i këtij institucioni vlerëson se deficiti korrent në nivele tepër të larta mund të cenojë këto parashikime duke sjellë përkeqësim të treguesve.

***

Ekonomia shqiptare çdo vit e më shumë tregon dobësi ndaj konkurrencës në rritje që vjen nga jashtë, duke rritur deficitin korrent, që për vitin që kaloi ka rezultuar në 878 milionë euro, ose 11 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Këto janë edhe borxhet që mbeten ndaj të huajve pasi një pjesë e mirë e tyre mbulohet nga të ardhurat e emigrantëve. Por me kalimin e viteve, remitancat mbeten në minorancë përsa i përket kërkesës në rritje për mallra që mbulohet nga jashtë në pamundësi të ekonomisë vendëse për të konkurruar. Një shifër e tillë, sipas specialistëve të ekonomisë po kthehet në një nga pengesat kryesore për të arritur një nivel të lartë të rritjes ekonomike, pasi një pjesë e madhe e kapitaleve financiare po kanalizohet jashtë kufijve të vendit. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e Bankës së Shqipërisë, deficiti i lartë tregtar që ka karakterizuar zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë vitit të kaluar, ka neutralizuar efektet pozitive të zvogëlimit të ndjeshëm të pozicionit deficit në llogarinë e shërbimeve, si dhe rritjen e flukseve pozitive të të ardhurave faktoriale neto, duke mbetur shkaktari kryesor në thellimin e deficitit korrent për këtë periudhë. Vetëm gjatë vitit 2007, deficiti tregtar në mallra ka shkuar në 2.3 miliardë euro, duke pësuar një rritje me 27 për qind krahasuar me një vit ma parë. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë dhe ajo Interim kanë qenë edhe goditjet e fundit, për ta vendosur bilancin tregtar të vendit në këto pozita diskriminuese. Kapaciteti prodhues në vend, i pamjaftueshëm për të kënaqur kërkesën gjithmonë e në rritje të ekonomisë shqiptare për mallra, ka bërë që raporti i mbulimit të importeve nga eksportet të jetë në nivele të ulëta, 26 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›